Skënder Minxhozi: Mbreti vdiq, rroftë mbreti!
(Botuar me 3 Korrik 1997 në KOHA JONE)
Nga Skënder Minxhozi-
Një miting në sheshin qendror të Tiranës dhe bllokimi i rrugës nacionale Tiranë-Shkodër, kanë ngjallur dje idenë se shteti i dhunës nuk ka mbaruar e për më tepër, është ende aktiv. Monarkistët, aktorët e një aventure referendare për rikthimin e mbretërisë së paraluftës, po e mbajnë të ndezur zjarrin e një konflikti politik që shumëkush e kujtoi të shuar në mbrëmjen e 29 qershorit. Referendumi, dhurata që Berisha i la në dorë Durollarit ditën e marrëveshjes së 9 majit, është kthyer në nyjën e paparashikuar të politikës shqiptare, duke gjeneruar një tension absurd, por mjaft të rrezikshëm. Nuk duhet shumë mund për të kuptuar se farsa e zhurmës rreth rezultateve të referendumit mbi monarkinë është sa artificiale, aq edhe e pabazuar në dokumentacionin që instancat përkatëse po e plotësojnë ngadalë nën një sherr që po stimulohet qëllimisht. Përqindjet kokëforte të popullaritetit të monarkisë, tregojnë në mënyrë konstante se Leka Zogu do të jetë edhe më tej qytetar i thjeshtë dhe jo trashëgimtar i dinastisë nga Mati.
Me 39% të votave të regjistruara në KQZ deri dje në mesditë, pas ardhjes së dokumentacionit nga 49% e territorit, regjimi i ri i “importuar” bashkë me Leka Zogun nga Johanesburgu, nuk ka më asnjë shans që të fitojë. Por, këtu fillon tragjikomedia shqiptare. Sa më shumë përqindjet tregojnë rënien e Monarkisë dhe konsolidimin e Republikës, aq më e madhe bëhet zhurma që monarkistët dhe demokratët e sapohumbur, bëjnë rreth rezultatit. Në mes të një stuhie, e cila normalisht do të konsiderohej “në gotën e ujit”, të dyja palët e kanë gjetur armikun e përbashkët për të luftuar: PS dhe Fatos Nano. Dhe meqë në Shqipëri momentalisht ka shumë pak normalitet, edhe protesta e të djathtëve monarko-republikanë, po krijon një klimë të tendosur mes dy raundeve të zgjedhjeve.
Ndërkohë që Leka Zogu takon Berishën dhe ky i fundit i premton ndihmë, një kushtrim i heshtur ka bërë që valangat e fanatikëve të ish-partisë në pushtet zgjedhjet i nxorën të humbur, duket se demokratët kanë vendosur që të venë sërish gurë nën rrota për fituesit e rinj. Por jo si më parë, duke manipuluar direkt ose hedhur poshtë rezultatin. Asnjëri prej këtyre varianteve nuk ka qenë i mundur kësaj radhe. Është gjetur atëherë “gozhda” e monarkisë për të bërë zhurmën që nuk qe mundur të bëhet për votimet e përgjithshme. Shtypi presidencial dhe ai pro PD e kanë marrë tashmë si të mirëqenë faktin që referendumi për monarkinë ka fituar, megjithëse nuk ka publikuar deri tani ndonjë provë për ta vërtetuar këtë tezë.
Historia e vonët e Shqipërisë ka mësuar se kjo lloj propagande e pilotuar shfaqet sa herë që duhet ndihmuar apo goditur një mik ose kundërshtar i atij që deri dje ishte regjimi i Sali Berishës. Deri dje, pasi sot Berisha ndodhet në stacionin e fundit. Tani duhet ndihmuar monarkia, goma e fundit e shpëtimit për të gjithë ata që në pesë vjet notuan mbi Titanikun e mbytur të PD. Një ngushëllim mbetet gjithsesi për ta: shprehja e famshme e monarkisë franceze “Mbreti vdiq, rroftë mbreti”.
- MINXHOZI