Skënder Minxhozi: Shteti lyhet me bojë

(Botuar me 21 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Skënder Minxhozi-

Çfarë ishin që dolën të dielën në sheshin qendror të Tiranës? Protestues apo bojaxhinj? Çfarë ishte ai që skuqi shkallët e Pallatit të Kulturës, gjak apo bojë? Kjo dilemë, tepër cinike për viktimat e rrahura ose të çuara urgjent në spital, por edhe për disa mijëra njerëz që kanë sfiduar kordonët e skafandrave pardje në sheshin “Skënderbej”, është rezultati i mjegullës që hodhi në eter informacionin e dhënë nga RTSH dhe komunikata e Ministrisë së Brendshme rreth protestës. Në ekran pamë një grua të intervistuar në të njëjtin stil me intervistën e censuruar të Sudes, në një dhomë të mbyllur (dhe jo në podiumin e Pallatit ku ndodhej në fillim) dhe fjalët e vetme që u dëgjuan nga goja e saj “e leva aty”. Askund nuk u dëgjua fjala “bojë”. Ajo nuk u shqiptua kurrë nga “dëshmitarja e akuzës”. Më tej dëgjuam të flitet për kuti boje dhe persona që ishin munduar të lyheshin me të para kamerave të huaja. Në qendër, një burrë i moshuar i larë në ngjyrë të kuqe, gjak sipas atyre që ishin aty, bojë sipas versionit zyrtar. Nga fajdetë te boja, gjithçka u transferua në një polemikë me sfond të kuq.

Përgjigjen më të mirë tragji-komedisë zyrtare me bojën e kuqe ia dha dje Syrja Bebri, njeriu i gjakosur, heroi i dytë i valëve satelitore. Fytyra e tij pushtoi të gjitha kanalet e botës, madje edhe atë shqiptar. Tetë muaj pas të moshuarit që bërtiste i mbuluar nga gjaku në protestën e opozitës pas zgjedhjeve, fshatari 58-vjeçar Bedri nga Shkoza ka dalë dje para gazetarëve në konferencën e shtypit të PS, duke treguar një të çarë në kokë, tani e mbuluar nga gjaku i mpiksur. Janë bërë publikë gjithashtu edhe emrat e personave që janë transportuar në spital, si pasojë e goditjeve të marra dhe tronditjes së shkaktuar gjatë protestës. Një ditë më pas, partitë e opozitës kanë njoftuar për një të vrarë dhe disa të arrestuar në Fier, mes të cilëve kryetari i PS.

Është ndaluar gjithashtu edhe gazetari i “Koha Jonë”.

Bilanci i mësipërm e zgjidh përfundimisht debatin mes qëndrimit të forcave të rendit dhe atyre speciale të angazhuara të dielën e shkuar në mitingjet “antifajde”. Në Tiranë dhe qytete të tjera ka patur dhunë dhe kjo është e qartë. E diskutueshme ndofta është sesa brutale ka qenë ajo ndaj protestuesve. Ministria e Brendshme ka deklaruar se forcat e rendit nuk kanë ushtruar dhunë. Në rast se me këtë, komunikata ka patur parasysh 28 majin e vitit të kaluar, kjo mund të jetë e vërtetë. Tetë muaj më parë shkopinjtë e policisë nuk kanë kursyer askënd, as deputetët e Kuvendit Popullor dhe kryetarët e partive dhe as gazetarët e huaj. Por e diela e janarit nuk është e marta e majit. Kësaj radhe një pjesë e mirë e policisë, siç e kanë deklaruar vetë drejtuesit e saj, ka qenë edhe vetë viktimë e piramidave. Këta klientë me uniforma nuk mund t’i rrihnin ata që kishin dalë në shesh për të kërkuar paratë e humbura. Problemi i interpretimit të protestave popullore nuk duhet ulur në nivelin e punonjësve të thjeshtë të rendit. Çështja e leximit të sinjaleve që vijnë nga rruga dhe qëndrimi ndaj tyre i takon shtetit shqiptar dhe organizmave kryesorë të tij. Pikërisht këtu, në zyrat ku për Roland Yzeirin përgatiten deklaratat për shtyp dhe jepen urdhrat për median e shtetit, duket se ndodh deformimi i madh. Këtu gjaku kthehet në bojë dhe shkopinjtë në fërkime krahësh. Qeveria nuk ka patur nevojë për historinë e bojës së kuqe. Ajo çka mund ta ndihmonte shtetin në këto momente, është pranimi i të vërtetës dhe ndershmëria me veten dhe publikun.

Skënder Minxhozi

 

SHKARKO APP