Skënder Minxhozi: Televizion privat me pikatore

(Botuar me 10 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Skënder Minxhozi-

Televizioni privat i së nesërmes do të flasë me gjuhën e televizionit shtetëror të së djeshmes. Në PD po i marrin të gjitha masat që të ndodhë pikërisht kështu. Pasi e la vendin pa media elektronike private gjatë katër viteve të mandatit të saj të parë, PD përgatitet që gjatë të dytit të zgjedhë sërish variantin më të keq ligjor për Shqipërinë: akordimi i një numri të kufizuar kanalesh televizive private kombëtare. Dy të tilla do të ketë në të gjithë vendin, kurse pjesa tjetër do të jenë televizione lokale. Kjo është esenca e projektligjit që pritet t’i kalojë për aprovim parlamentit. Mjeti më i fuqishëm i informacionit i shpikur deri më sot, do të kalojë sërish nën pikatoren e imët të organeve shtetërore dhe valët e difuzionit do të jepen me të njëjtin kriter me të cilin janë dhënë tenderat, objektet e privatizuara, postet në administratë, deri dhe apartamentet – besnikërinë politike ndaj partisë në pushtet. Lufta katërvjeçare për ngritjen e mediave të pavarura private është kanalizuar kështu në mënyrën më të keqe, në një formulë që si gjithmonë mban vulën e origjinalitetit pervers të atyre që asnjëherë nuk mendojnë se si mund të qeveriset, por se si mund të sundohet. Presioni ndërkombëtar ndaj Shqipërisë rreth temës së mediave elektronike private ka qenë i madh dhe uniform. Pothuajse të gjitha institucionet ku ne aderojmë ose aspirojmë të aderojmë, i kanë kujtuar qeverisë tonë se ekzistenca e mediave të decentralizuara nga shteti është një kusht bazë për besueshmërinë e qeverisjes dhe cilësinë e demokracisë që zbatohet brenda vendit. Një leksion i tillë i përsëritur, të cilin zyrtarët tanë nuk e kanë hedhur kurrë poshtë parimisht, ka marrë formë të shkruar në angazhimet që Shqipëria ka marrë në qershor 1995, kur u pranua në Këshillin e Evropës. Mes tyre, ekzistenca e mediave elektronike të pavarura, ka qenë një ndër kushtet themelore, vënia në jetë e të cilit do të zhbllokonte situatën atavike që sundonte dhe sundon ne Televizionin e vetëm shtetëror shqiptar. Por siç duket, që nga qershori ’95, në Tiranë nuk kanë menduar sesi t’i lejojnë kanalet televizive private, por sesi t’i pengojnë ato. Koha nuk duhet të jetë çuar kot, përderisa është gjetur formula që lejon censurën maksimale brenda kuadrit të lejimit të televizioneve private kombëtare. Skema e një numri të kufizuar kanalesh private kombëtare, njihet edhe në vende të tjera evropiane. E parë kështu, dhe sigurisht kështu do ta shohë nesër propaganda shtetërore, kjo zgjidhje ngjan normale edhe për vendin tonë. Ajo çka nuk shkon në formulën e gjetur është se duke kufizuar mundësinë për të hapur kanale televizive private me shtrirje kombëtare, praktikisht asgjësohen mundësitë që Shqipëria të ketë ndonjëherë media elektronike të pavarura. Komisioni Suprem (kështu do të quhet organi që do të japë lejen përkatëse), kryetari i të cilit emërohet nga presidenti i Republikës, do të çojë në vend urdhrin politik të partisë në pushtet, duke kthyer mbrapsht të gjithë të tjerët. Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe nuk pritet që me televizionin privat të ndodhë ndryshe. Tashmë kanë nisur të qarkullojnë emrat e kandidatëve të mundshëm për dy rrjetet në ankand. Mënyra se si po veprohet me ligjin e mediave elektronike private, është sfida e dytë e madhe që i bëhet demokracisë shqiptare pas vjedhjes së votave gjatë vitit të shkuar. Beteja për mediat, nëse dikur ka ekzistuar ajo, po mbyllet tani sipas një epilogu të ngjashëm me atë të betejës elektorale për pushtetin.

SHKARKO APP