Skënder Minxhozi: Ultimatumi europian!
Nga Skënder Minxhozi-
“Ne duam të bëjmë të qartë se kërkojmë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të reja dhe të ndershme në një kohë sa më të shkurtër”.
Kjo frazë ka dalë dje nga goja e përfaqësuesit të Holandës në Bashkimin Evropian, Bot, vend i cili mban aktualisht presidencën e BE. Në një mbledhje të ministrave të jashtëm të Bashkimit, që do të zhvillohet të hënën e ardhshme dhe ku do të diskutohet rreth gjendjes në Shqipëri, pritet që të dilet me një kërkesë të qartë drejtuar qeverisë shqiptare për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në një afat kohor të shkurtër. Kjo do të shënonte krijimin e një fronti unik perëndimor në qëndrimin ndaj Shqipërisë, çka u kërkua para katër ditësh edhe nga sekretarja e shtetit e SHBA, Ollbrajt, gjatë takimit që ajo pati me komisionerin e lartë evropian Van den Bruk.
Burimet nga Bashkimi Evropian thonë se edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje asocimi me BE, një objektiv i vjetër politik ky i Tiranës, do të kushtëzohet këtej e tutje me zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare. Nëse edhe pas mbledhjes së të hënës ky qëndrim nuk do të ndryshojë, dhe janë shumë të pakta gjasat që ai të ndryshojë, Shqipëria do ta shihte veten përballë një kushti që do mund të komprometonte rëndë procesin e integrimit në kontinent, që ajo deklaron prej disa vitesh se ka ndërmarrë. Vetëm pak ditë më parë presidenti shqiptar Sali Berisha u ka deklaruar përkrahësve të tij në një takim në Tiranë, se nuk ka lëvizur nga mendimi i tij rreth zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në pranverën e vitit 2000. Ky qëndrim i presidentit në momentin kur një pjesë e vendit është ngritur në protesta masive dhe kur rënia e fajdeve mund të sjellë kolapsin ekonomik total, u pa në kuadrin e politikës kokëforte që Berisha ka ndjekur rregullisht në vitet e fundit. Megjithatë, kreu i shtetit dhe partia në pushtet, nuk kanë mundur të parandalojnë përkeqësimin e imazhit ndërkombëtar, i cili ka filluar me manipulimin e zgjedhjeve të 26 majit, ka vazhduar me rënien e parametrave ekonomikë gjatë vitit të shkuar dhe po përfundon me skandalin e fajdeve. Gjatë muajve të fundit PD ka parë sesi partnerët e saj të djathtë evropianë i kanë moderuar gradualisht deklaratat e tyre dhe gjithmonë kjo është shoqëruar me anulime projektesh dhe pakësim ndihmash.
Vizita e fundit e Ollbrajt në Bruksel duket se ka shënuar shuarjen e dilemave të fundit që BE ka ndaj qeverisë shqiptare. Influenca amerikane duhet të ketë qenë përcaktuese në konturimin përfundimtar të një qëndrimi të ri që vendet evropiane janë matur të adoptojnë ndaj Tiranës. Brukseli e ka kuptuar, nën presionin e SHBA, se “mëkatet” e fitimtarëve të majit janë shtuar së tepërmi dhe se vendi ka nevojë për një zgjidhje politike të krizës. Kur Shtetet e Bashkuara kërkuan të parat vitin e shkuar, organizimin e zgjedhjeve të reja në vend, PD i hodhi sytë nga vendet evropiane, qëndrimi tradicionalisht i kujdesshëm i të cilave, bëri që institucionet e kontinentit të vjetër të propozonin formula të mesme ku fjalët “zgjedhje të parakohshme” ishin zëvendësuar nga gjuha e stërholluar e kancelarive që hezitonin t’i jepnin të shtyrën një pushteti që gjithsesi mbetej “i djathtë”. Franca dhe Gjermania janë parë nga demokratët shqiptarë si dy partneret kryesore politike që do të plotësonin boshin e krijuar nga kriza e marrëdhënieve me Uashingtonin. Këto dy shtete, të cilat kontrollojnë edhe organizmat evropiane, ndikuan jo pak zbutjen e një presioni, i cili pas rezolutës së parë të Parlamentit Evropian për përsëritjen e zgjedhjeve, cukej se do të ishte e fortë. Institucionet e tjera, si Këshilli i Evropës, e kanë moderuar kështu gjuhën ndaj Tiranës dhe kanë bërë thirrje që të gjendet një formulë pa ndryshuar kuadrin politik që doli nga 26 maji. Por siç duket pozicionet politike të KE nuk kanë qenë përcaktuese. Vendimet për Shqipërinë duhet të jenë marrë në organizmat ekzekutive, prej ku dalin edhe paratë. Ndërkohë, thellimi i krizës në Shqipëri dhe dhuna e ushtruar nga qeveria, kanë sjellë edhe zbehjen e përkrahjes evropiane për Berishën dhe partinë e tij. Kjo ka bërë që miqtë evropianë të PD të mos flasin më me gjuhën e mëparshme dhe të kërkojnë atë që ajo dëshiron më pak në këtë moment: rivënien në diskutim të pushtetit të fituar në 26 maj 1996. Ata po fillojnë të flasin me gjuhën e “armiqve amerikanë”./Skënder Minxhozi/