Skënder Minxhozi: Vitit 1997, horoskop i vështirë shqiptar
(Botuar me 4 janar 1997)
Nga Skënder Minxhozi-
Kalendarët e rinj të vitit 1997 mbajnë pothuajse të gjithë përsipër emra firmash. Të shtypur me letër luksoze jashtë shtetit, ata do të rrinë varur në muret e shqiptarëve deri në 31 dhjetorin e ardhshëm. Ndërkohë, vetë firmat që i kanë prodhuar duket se do të kalojnë vitin më delikat të aktivitetit të tyre. Por jo vetëm ato. 1997 i ka të gjitha gjasat që të hyjë në historinë e Shqipërisë si viti i zgjidhjes së disa enigmave që intrigojnë aktualisht të tashmen tonë. Dhjetori i shkuar qe muaji i fillimit të krizës së fajdeve. Sudja ishte e para që u vu në qendër të skandalit, duke treguar se zgjidhja e nyjës gordiane së katër viteve të fundit mund të ketë një fund të dhimbshëm. Viti ku po hyjmë i ka pakësuar dukshëm entuziastët e “dolce vita”-s dhe tani kompanitë e mëdha duhet të kërkojnë rrugë të tjera biznesi për të dalë pa u dëmtuar nga historia disavjeçare e marrjes së parave me përqindje. Lajmet e para që vijnë nga selitë e tyre flasin për një formulë të re, që gjithsesi u pëlqen shqiptarëve: ulje e përqindjeve për të vëzhguar aktivitetin.
Megjithatë, suksesi i kësaj zgjidhjeje do të duket gjatë këtij viti, në finish të të cilit do të arrijnë ata që i kanë gjunjët më të fortë. Nga ana tjetër, ky vit e gjen vendin pa projektbuxhet dhe me një deficit të frikshëm buxhetor prej 260 milionë dollarësh si rezultat i evazionit fiskal dhe rritjes së shpenzimeve. Ekonomia e para dhe pas saj politika. Në dymbëdhjetë muajt që kemi përpara, ne pritet të shohim monologun e PD në krye të pushtetit dhe dialogët e lodhshme të opozitës brenda vetes për të gjetur një arsye ekzistence. Të dyja palët dëshmuan gjatë vitit të shkuar se e kanë humbur ekuilibrin më 26 maj. PD mblodhi pas zgjedhjeve të manipuluara të majit dhe tetorit një pushtet më të rëndë sesa mund ta mbante. Në kushtet kur opozita ishte përjashtuar nga pjesa e saj në qeverisje, për pasojë edhe nga përgjegjësitë, një situatë e tillë u kthye për demokratët në një bumerang që i ka goditur ata rregullisht në shtatë muajt e qeverisjes. Opozita nga ana e saj, pritet të zgjidhë gjatë vitit 1997 problemet jo të pakta që ka brenda vetes, por mbi të gjitha të gjejë arsyen e ekzistencës në kushtet kur mund ta influencojë më pak se kurrë jetën politike. Gjatë këtij viti ne e dimë se cili do të zgjidhet president i ri i vendit, ky do të jetë Sali Berisha. Por nuk dimë se cili do të jetë fati i kushtetutës. Tani, ata që kërkonin referendum janë kthyer në parlament. Të kundërtën bëjnë edhe kundërshtarët e tyre, që parlamentin e kanë braktisur. Ligji themelor mund të fshehë të tjera surpriza për partitë por gjithçka parashikohet të luhet si në vitin 1994, me gjuhën e sfidës. Kosova pritet të jetë pikëpyetja e madhe e vitit ’97. Tashmë në Tiranë flitet për pas Rugovën dhe pritet emri i pasardhësit. Por nëse përzgjedhja e një lideri të ri do të jetë fillimi, cili do të jetë mbarimi i një çështjeje që duket mjaft delikate për shqiptarët? Muajt në vazhdim mund të japin një përgjigje. Gjithçka vendoset në Prishtinë, ka deklaruar Berisha. Por edhe në Tiranë e Beograd…
Këto janë shenjat kryesore të horoskopit të vështirë shqiptar për vitin ku sapo kemi hyrë. Nëse surprizat priten të jenë të shumta, urojmë që të mos jenë të pakëndshme, domethënë të padurueshme. Megjithëse ne kemi dëshmuar se durimin e kemi në pafundësi./S. Minxhozi/