Skënder Minxhozi: Vranicki, zbritje në mjergull!
(Botuar me 8 Maj 1997 në KOHA JONE)
Nga Skënder Minxhozi-
Dje Vranicki zbriti për herë të katërt në aeroportin e Rinasit nën stemën e përfaqësuesit të lartë të OSBE. Pasi takoi Finon dhe kaloi darkën me të, ai pritet të fillojë sot në hotel Rogner serinë e takimeve që ndofta do të vendosin kur dhe si do të votojmë. Në kancelaritë e shtetit shqiptar përgatitjet për këtë vizitë kanë filluar prej ditësh dhe kjo nuk është e vështirë të konstatohet. Ambasadori i ish-kancelarit austriak në Tiranë, Grubmajer, ka qenë tepër i zënë me kontakte dhe takime më të gjitha nivelet dhe palët që kanë diçka në dorë në kaosin e madh shqiptar. Megjithatë, kësaj radhe raportet e diplomatit për shefin duhet të kenë qenë më pesimiste se radhët e para. Shtatë javë para afatit të fundit për mbajtjen e zgjedhjeve, Shqipëria po i largohet një objektivi, i cili shihet si esencial në kapërcimin e krizës së armëve. Berisha dhe PD duket se e kanë vendosur linjën e tyre politike për sabotimin e bisedimeve dhe gjetjen e një kompromisi të kënaqshëm. Hedhja poshtë e propozimeve të Finos në tryezën me partitë, propozime të cilat i jepnin një rrugëzgjidhje tre çështjeve që mbajnë lidhur politikën shqiptare: komiteteve, ligjit elektoral dhe datës së zgjedhjeve, dëshmon se në PD i kanë harruar fjalët pajtim dhe marrëveshje. Duke gjetur kështu një mënyrë për të fituar sadopak kohë dhe për të evituar me të gjitha rrugët e mundshme një blof elektoral në votime.
Situata që po gjen Vranicki nuk është më e lumtura. Fino dhe kabineti i tij, po mbajnë përsipër një presion që nuk e meritojnë. Së pari, debati rreth ligjit elektoral, mbi projektin e të cilit kryeministri ka deklaruar se do të vendosë votëbesimin e tij, është në fakt debat mes partive të tryezës së rrumbullakët që po dështon për shkak të kokëfortësisë së pamotivuar të PD, e cila duket se përkrah një mënyrë votimi që e dëmton, vetëm për të qenë në kundërrymë me pjesën tjetër të forcave politike. Nga ana tjetër, Finos i duhet të paguajë për fjalët e moderuara që ka lëshuar në drejtim të komiteteve. Por vetëm kaq, pasi, megjithëse u zotua të flasë me të gjitha palët kur mori votëbesimin, kryeministri ka diskutuar vetëm me një herë me përfaqësues të Komitetit të Vlorës, dhe kjo është shumë pak për ta akuzuar. Së treti dhe së fundi, Qeveria e Pajtimit, mandati i së cilës duhet të përfundonte më 29 qershor, po ndodhet tani përballë deklaratave të liderëve demokratë, të cilët po hedhin hije dyshimi mbi një datë që është gdhendur fort në marrëveshjen e 9 marsit.
Në këto kushte, Franc Vranicki, i cili ka treguar vullnetin e duhur për të marrë maksimumin nga çdo rrethanë në të cilën e ka vënë fantazia e prapë e presidentit dhe të papriturat e një vendi ku nuk ka as luftë civile, por as shtet, do të duhet të manovrojë shpejt për të gjetur koordinatat e përbashkëta mes qëndrimeve agresive të pozitës dhe opozitës. Së pari, atij do t’i duhej të marrë një premtim për respektimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti Berisha. Këtë nuk e pret vetëm opozita shqiptare, por edhe ata që e kanë vendosur në Bruksel, Strasburg e Pragë. Por ky është stacioni i fundit në rrugën drejt zgjedhjeve. Më parë Vranicki do të duhet të influencojë që dita e diskutimit të projektligjit elektoral në parlament të mos kthehet në ditën e dorëheqjes së Finos. Kurse më vonë, atëherë kur të jetë vendosur sesi do të votohet, ish-kancelarit do t’i duhet të ulë inatin e Berishës për komitetet dhe të gjejë një formulë të kënaqshme për të gjithë. Dhe këtu ndofta ai do të duhet të japë disa garanci për Berishën dhe të tijtë, të cilët po e ndërlikojnë me qëllim situatën. Tashmë është e qartë se nuk bëhet më fjalë për komitete dhe ligj elektoral, por për të gjetur një mënyrë sa më pak të dhimbshme për të dalë nga skena. Për hir të daljes nga qorrsokaku ku jemi futur dhe të suksesit të misionit që ka marrë përsipër, Vranicki duhet ta bëjë këtë. Siç shihet përfaqësuesi i lartë i OSBE, një politikan evropian që ka një kod etik krejt tjetër nga ai i politikanëve shqiptarë, ka detyrën e vështirë për t’u adaptuar në një klimë primitive mërish dhe kurthesh tipike për një vend ballkanik. Vranicki ka përballë tij një pengesë të lartë, të cilën duhet ta kalojë medoemos kësaj radhe, nëse do të dojë t’i përmbahet 9 marsit dhe t’i japë një zgjidhje problemit shqiptar. Çështja është se atij dhe klasës politike shqiptare, do t’u duhet të merren vesh në pak ditë për çështje, rreth zgjidhjes së të cilave u çua shumë kohë dëm, kryesisht për fajin e PD dhe të Presidentit. Me siguri që këtë Vranicki e ka tashmë të qartë.