Sofokli Lazri: Çlirimi nga ndjenja e fajit për të kaluarën

(Botuar me 5 dhjetor 1999 në KOHA JONE)

Nga Prof. Sofokli Lazri- 

U mbushën 55 vjet nga çlirimi i Shqipërisë. Kohë e mjaftueshme që një përvjetor historik të shndërrohej në një ngjarje të zakonshme, bile edhe rutinore. Por jo rrallë datat historike shndërrohen në fenomene me ngarkesa të mëdha emocionale e politike. Kështu ndodhi edhe me festat e sivjetme të Nëntorit. Falë kujdesit qeveritar në mënyrë të posaçme të Ministrit të Kulturës Edi Rama që vuri tërë pasionin rinor e devocionin patriotik për organizimin e tyre, dita e 29 Nëntorit u shndërrua në një ditë gëzimi, në një çast qetësie e paqeje, harmonie e butësie njerëzore.

Por pati edhe nga ata që nuk deshën e nuk duan të njohin 29 Nëntorin si ditë të çlirimit të vendit. Për ta kjo datë është një sajim komunist.

Ata pretendojnë se ushtari i fundit gjerman paska kapërcyer pragun e doganës së Hanit të Hotit përpara mesnatës së 28 Nëntorit. Se kush ka qenë ai që me një kohëmatës për garat sportive paska matur me minuta e sekonda vrapin e gjermanëve nuk e thonë, siç nuk thonë se kush e homologoi këtë rezultat.

Kjo tezë nuk mund të merret në konsideratë, pasi ajo jo vetëm shtrembëron faktet historike, por krijon edhe një përcaktim arbitrar të asaj se çfarë është quajtur dhe quhet çlirim i Shqipërisë. Lufta Nacionalçlirimtare në kohën e vet, por edhe në gjithë literaturën dokumentare historike, politike, kulturore etj., është quajtur edhe “Lufta për çlirimin nga pushtuesit e huaj e tradhtarët e vendit”.

Prandaj kur kërkojmë të dimë se kur u çlirua Shqipëria nuk mund t’i ndajmë ushtarët gjermanë nga ata shqiptarë që luftuan përkrah e nën komandën e tyre.

Përpara betejës për çlirimin e Shkodrës, në këtë qytet ishin grumbulluar grupe të mëdhenj ballistësh të armatosur nga e gjithë Shqipëria; Aty ishin zogistët e Bazit të Canes e sidomos reparte të organizuara të ushtrisë së rregullt të Qeverisë së Tiranës. Këtyre duhet t’u shtojmë edhe grupet e armatosura të bajraktarëve përreth qytetit. Të gjithë këta njerëz, pasi gjermanët nuk i morën dot me vete, vendosën të luftonin deri në fund kundër partizanëve.

Këtë situatë, shtabi që drejtonte operacionet në Veri e kishte mirë parasysh, prandaj edhe plani operativ i tij parashikonte jo vetëm dëbimin e ushtarëve gjermanë, por edhe shkatërrimin total të të gjithë këtyre forcave dhe dorëzimin e tyre pa kushte. Shkodra u quajt e çliruar kur urdhri i detajuar i Shtabit të Përgjithshëm që përfshinte gjithë këto detyra që përmendëm dhe plani operativ i çlirimit të Shkodrës u plotësua në të gjitha drejtimet, kur partizanët e vendosën flamurin e tyre në ballkonin e Prefekturës së qytetit dhe kur forcat e Ballit bashkë me krerët e tyre ngritën duart lart dhe dorëzuan armët.

Kjo ndodhi më 29 Nëntor. Dorëzimi i ballistëve, zogistëve e forcave të ndryshme të bajraktarëve vazhdoi edhe të nesërmen e në ditët e mëpastajme. Prandaj, edhe sikur gjermani i fundit të ketë ikur më 28 nëntor, historikisht dhe shkencërisht ky fakt nuk mund të ishte përcaktues për fiksimin e datës së çlirimit të Shqipërisë pa marrë parasysh edhe kohën se kur u shkatërruan e kapitulluan grupet e armatosura që gjatë luftës bashkëpunuan me ta e i përcollën deri në kufi.

Teza se Shqipëria është çliruar më 28 dhe jo më 29 Nëntor nuk ka të bëjë me historinë. Ajo përfaqëson një artifis propagandistik që do t’i hapte rrugën revanshit politik që u shpreh me egërsi në varrim-zhvarrimet, në burgosjen e gjeneralëve të lavdishëm të Luftës Nacionalçlirimtare për gjoja krime lufte, në ligjin 24/1, në listat e intelektualëve antikomunistë për gjenocidin, etj. Në këto vite tranzicioni u formua një rrymë antihistorike, e cila ka fituar mjaft pozita. Ajo është përpjekur të justifikojë shumë ngjarje antipatriotike e antishqiptare dhe të rehabilitojë mjaft nga autorët e tyre.

Emra të zinj kanë hyrë dhunshëm në librat e historisë që mësohet në shkollat tona, por më e dëmshmja është se ajo ka arritur të krijojë një indiferentizëm jo të vogël ndaj vlerave tona historike, një nënvleftësim të pakuptueshëm ndaj idealit patriotik dhe sakrificave që ka bërë populli shqiptar për të fituar lirinë, pavarësinë dhe për afirmimin e identitetit të tij kombëtar. Sigurisht, ky përçmim i vlerave historike nuk mund të vazhdojë pa mbarim. Historia nuk mund të mbështetet gjatë mbi antivlerat.

Tanimë ka filluar të vihet re se agresiviteti dhe dhuna mbi historinë tonë të re po bien dukshëm. Përpjekjet e atyre që donin të bindnin shqiptarët se në Shqipëri s’ka pasur luftë kundër pushtuesve të huaj dhe të rehabilitonin kolaboracionizmin dhe mercenarizmin, dështuan. Ai kapital i paktë politik që ata vunë duke shfrytëzuar kuriozitete të ndryshme historike nga e kaluara, u sos. Edhe baruti i pushkëve të vjetra, mbetur që nga koha e sulltanit dhe Viktor Emanuelit, u harxhua.

Megjithëkëtë, komplekset e shumta që dhuna politike e kulturore e revanshizmit krijoi tek mjaft njerëz, nuk janë kapërcyer. Lidhur me këto sfida e komplekse i pata dërguar afro dy vjet e gjysmë më parë një artikull “Zërit të Popullit”, të cilin ai nuk e botoi.

“Kam përshtypjen thosha ndër të tjera, – se Partia Socialiste akoma nuk është çliruar nga kompleksi Berisha. Nga disa veprime që bën e qëndrime që mban, akoma mendon jo se çfarë mendon populli, por se si do të reagojë Berisha”. Shtoja më pas se tek Pandeli Majko ky kompleks ishte shumë i dukshëm. Kongresi i fundit i Partisë Socialiste dëshmoi se këto ndrojtje e hezitime u kapërcyen.

Megjithatë, më duket mua se për socialistët, për të majtën shqiptare dhe për tërë rrymën progresiste historike mbetet një problem i madh, që duhet përballuar me kurajë, por edhe me mençuri e urtësi. Në shkrimin që përmenda më lart dhe që do të doja ta përsëris, thosha: “Një tjetër kompleks që Partia Demokratike ka krijuar jo vetëm te socialistët por sidomos në radhët e inteligjencies, është imponimi i një ndjenje faji për të kaluarën. Për 7 vjet me radhë, Berisha u ka ulëritur socialistëve se ishin komunistë, enveristë, të kuq, të verdhë, se nuk ishin të reformuar, se nuk ishin evropianë, se ishin bij të këtij e nipër të atij, se ishin nga fusha e jo nga mali. Socialistët nuk ditën ose nuk mundën që me argumente teorike e veprimtari praktike politike të përballonin këtë propagandë të zhurmshme e denigruese. Ata zhvilluan një betejë defensive në terrenin e antikomunizmit ku i tërhoqi ai. U mungoi guximi politik për të lenë nga e kaluara ç’kishin për të lënë dhe të merrnin ç’kishin për të marrë.

Antikomunizmi rezultoi, se çdo “Anti” që përmban ngarkesa negative, në një debat inproduktiv, si për të djathtët ashtu dhe për të majtët; ç’është më e keqja, ai krijoi një psikologji e kulturë politike të prapambetur e arkaike, një shtyp të mbushur me sharje vulgare, fyerje e urrejtje primitive. Partia Socialiste si parti e së majtës evropiane, si parti e intelektualëve progresistë, i takon barra të luftojë për emancipimin e kulturës politike shqiptare, për çlirimin e njerëzve nga psikologjitë, mentalitetet, komplekset e të gjitha deformimet e tjera, gjithçka që në Shqipëri konfondon vlerat me antivlerat. Sot Shqipërinë e shqiptarët nuk i shqetëson e kaluara, por e ardhmja. Po t’i kishin besuar fushatës propagandistike të Berishës, ata nuk do të ishin ngritur kundër tij dhe nuk do të kishin votuar për socialistët. Prandaj, çlirimi nga komplekset e shumta që ka krijuar ai do të jetë një çlirim e bashkim i të gjitha forcave krijuese e konstruktive, një hap tjetër i madh në pajtimin e unitetin e popullit, aq të dëshiruar e të domosdoshme në këto kohë të vështira”. Festimi i 29 nëntorit të sivjetmë ishte një hap i mbarë.

SHKARKO APP