Sokol Balla: Kush i bëri arrestimet e drejtuesve të PD?

(Botuar me 27 Gusht 1998 në KOHA JONE)

Nga Sokol Balla

Arrestimi i gjashtë personave që mund të konsiderohen kundërshtarë politikë të PS, po të merret i mirëqenë fjalimi i parmbrëmshëm i kryeministrit, më pak se kushdo tjetër mund të ketë gishtin e Fatos Nanos. Kjo për disa arsye, por më e dukshmja është që filozofia me të cilën ai kërkon të operojë në qeverisjen e tij, bie në kundërshtim të plotë me veprimin e fundit të prokurorisë. Jo thjesht sepse parmbrëmë Nano përmendi vuajtjet e tij dhe të familjes, por sepse prej mëse një viti, me gjithë gjuhën e ashpër ndaj Berishës, ai nuk ka harruar të përmendë me forcë se ekipi i tij është i vendosur të ecë në drejtim të kundërt me filozofinë e arrestimit të kundërshtarëve politikë. Aq më tepër Nano nuk mund të vendoste arrestimin e ish-akuzuesit të tij Çela, përmes akuzave që ngrihen dhe mbrohen me të madhe, nga ish-avokati i tij Tirana. Sepse pavarësisht nga defektet e tij të mëdha qeverisëse dhe personale, inteligjenca e premierit shqiptar nuk mund t’i lejonte vetes një gafë të tillë kaq të trashë.

Pra arrestimi në kundërshtim me platformën e Nanos, ka shkaktuar një çoroditje të opinionit publik aq sa të ngrihet pyetja se kush është ai person apo grup që ka marrë përsipër një veprim të tillë pa dijeninë e kryeministrit. Ose ky është një veprim i pavarur që Prokuroria e ka bërë pa e pyetur vërtet kryeministrin, ose futja në burg e gjashtë funksionarëve lartë të PD-së, ka pasur për qëllim të godasë diku tjetër. Së pari të krijojë përshtypjen në popull se fjalët e Nanos për gjithëpërfshirje janë një hipokrizi, duke zbatuar trashë një skemë që është shumë e ngjashme me arrestimet e politikanëve në qeverisjen e mëparshme. Dhe së dyti, të përgatisë brenda PS-së atmosferën se liberalizmi romantik i kryeministrit dhe filozofia e tij e re, po humbet pozitat e forta dhe mbështetjen e përgjithshme dhe se intransigjentët që duan hakmarrjen, janë ata që kanë pushtetin e vërtetë. Nisur nga ky arsyetim, dhe gjithnjë po të besohet në sinqeritetin e fjalëve të parmbrëmshme të kryeministrit dhe në deklaratën e Ambasadores së SHBA, veprimi i fundit politik i arrestimit të funksionarëve të PD-së, më tepër se opozitën, ka të ngjarë të godasë vetë Nanon. Po kush janë të interesuar për këtë goditje? Ndoshta struktura që jo rrallë herë kanë shfaqur pakënaqësinë për butësinë e shefit, butësi që në fjalimin e tij të fundit është përkthyer si dezertim apo frikë nga Berisha. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këto struktura paskërkan pozita dhe njerëz të fortë edhe në qeveri edhe në PS. Nuk ka se si shpjegohet që një veprim i tillë me pasoja të rrezikshme politike si ai i gjashtë arrestimeve, të mos i bëhet e ditur kreut të vendit nga njerëzit e tij të afërt, apo shërbimet e tjera informative.

Kur gjykatat angleze dënojnë një eksponent të lartë të Sinn Feinit për terrorizëm, Tony Blair megjithëse nuk ndikon në masën e dënimit, informohet nga kanale zyrtare mbi hetimet. Kjo sepse nuk po gjykohet një kriminel i çfarëdoshëm, por një kriminel me një kostum politik, bile shumë të rëndësishëm.

Kjo si duket nuk ka ndodhur me Fatos Nanon, që siç thuhet, lajmin e arrestimeve e ka marrë vesh nga njerëzit e shtëpisë kur është kthyer nga Maqedonia. Dhe nëse kjo ka ndodhur vërtet, kryeministrit tonë që parmbrëmë u duk më shumë i dëshpëruar sesa i nevrikosur, po i përgatitet një lojë e rrezikshme, që synon fillimisht ta izolojë nga ajo çka ndodh brenda strukturave të shtetit që ai drejton dhe ndoshta për ta zëvendësuar më vonë më mirë etjen për hakmarrje të bazës socialiste. Ky veprim konsiston në institucionalizimin e pakënaqësive të pjesës ekstremiste që kërkon hakmarrje, përmes një mocioni të mundshëm të hartuesve të skemës, që do të largonte Nanon nga kreu i PS “për butësi”, si rrjedhim edhe nga kreu i qeverisë.

Fjalimi i Nanos parmbrëmë më shumë se të bindë kundërshtarët se nuk ka gisht në arrestime, me frazat e tij të pikëlluara dhe dëshpëruese, ka bindur simpatizantët e filozofisë së tij se pozitat e premierit liberal janë dobësuar shumë. Tanimë Nanos i kanë mbetur pak zgjedhje për të shpëtuar veten dhe filozofinë e tij të re nga mbetja në klasë. Për këtë nuk është e mjaftueshme të dalësh në TV dhe të lash duart, por duhen aksione të vërteta politike që të bindin botën brenda dhe jashtë, se qeveria e tij nuk ecën në rrugën njohur të paraardhësve, atë të arrestimeve politike. Aksione që fillojnë nga reformimi i strukturave të partisë dhe deri tek eliminimi i njerëzve që bashkëqeverisin me të, por që kanë filozofi tjetër. Nano duhet ta dijë mirë se në Shqipëri nuk ka rrugë më të mirë për të humbur votat, sesa ajo e arrestimit të kundërshtarëve politikë dhe për t’i bërë gati në të ardhmen “varrin” vetes. Varr që kundërshtarët e tij politikë ia paralajmëruan në mitingjet e ditëve të fundit dhe që më shumë se në PD, po duartrokiten në ndonjë zyrë të zymtë të PS-së apo të kryeministrisë…/Sokol Balla/

SHKARKO APP