Sokol Balla: Kush i fitoi zgjedhjet

(Botuar me 24 qershor 1998 në KOHA JONE)

Nga Sokol Balla-

Kush i fitoi zgjedhjet lokale të së dielës së shkuar? Kësaj pyetje politikanë të opozitës dhe pozitës kërkuan me ngulm t’i imponojnë përgjigjet që deshën vetë. Partia e Berishës që ka humbur çdo sfidë elektorale këto katër vitet e fundit përjashto zgjedhjet e kontestuara nga Komuniteti Ndërkombëtar të 26 majit 1996, së fundi humbi edhe pikën e fundit të referencës për fitore, krahasimin me zgjedhjet lokale të 20 tetorit. Pollo tentoi, por pa shumë rezultat që zgjedhjet e së dielës t’i paraqesë si të manipuluara dhe mungesën e votuesve si shenjë zhgënjimi vetëm ndaj qeverisë dhe kryeministrit Nano.

Partitë e Aleancës për Shtetin triumfatorë në një konferencë shtypi, ku munguan Nano dhe Ceka, tentuan të bënin për vete gazetarët, duke thënë se fitorja e partive të qeverisë ishte dërrmuese përballë Berishës. Mungesën e votuesve, pa pikë turpi, e justifikuan me vapën dhe kampionatin botëror të futbollit. Vetëm tek-tuk ndonjë lider i dorës së dytë apo të tretë të Aleancës për Shtetin, pohoi dje në shtyp se votat e abstenuesve ishin kundër koalicionit qeveritar. Nëse këto fjalë i marrim si të vërteta atëherë humbja (ose të paktën ftohja me elektoratin) e PS dhe e “aleatëve” të saj është disi më e thellë sesa humbja e Berishës dhe “partnerëve” të tij modestë që në këtë sfidë elektorale niseshin nga shifrat poshtëruese të 29 qershorit. Të vetmit që duket se nga ky duel dolën fitimtarë ishin njerëzit e boshtit republikano-ballist që ndër votuesit arritën të kenë deri në 32 për qind të preferencave si në Shijak, një ëndërr që as Ermenji nuk kishte guxuar më parë ta deklaronte si të mundshme. Por gjithsesi në fund të llogarive edhe të djathtët dolën zyrtarisht të humbur.

Humbën (shpresën) edhe ata që nuk votuan për askënd, pasi nuk kishin për kë dhe nuk ishin pak, por gati 45 për qind e votuesve. Ata nuk i hodhën votat në kuti as për shkak të vapës, as prej Valderamës, por prej korrupsionit, kontrabandës, varfërisë dhe në fund pse jo, edhe prej parave të pakthyera. Vlora nga 8, u ngrit në 25 për qind pro Berishës, njeriut që ende nuk ka marrë në sy të shkelë në Sheshin e Flamurit. Një nga shenjat që fitorja më e madhe e këtyre gjysmë zgjedhjeve ishte normaliteti.

Incidente më tepër banale sesa të rëndësishme që në fund nuk ndryshuan asgjë nga ato që priteshin, një atmosferë që në çdo rast ishte shumë më ndryshe nga të dielat e blinduara elektorale të para 29 qershorit, megjithë praninë e shumtë të policisë, me shumë gjasë këtë radhë vetëm për të mbrojtur rendin.

Deklarata e fundit e njeriut që vëzhgon gjithçka në Shqipëri, Daan Everts, nuk la për demokratët e Berishës asnjë shteg që të mund të shfrytëzohej për t’i dhënë një pamje negative ditës së zgjedhjeve. Ata, ashtu siç tha edhe Pollo, “duhet të heqin dorë nga euforia e zgjedhjeve të parakohshme dhe të zgjedhin taktika të reja”. Dhe për këtë duhet të nxitojnë. Nano, të paktën sa ka dalë nga burgu, ka qenë gjithmonë në këtë drejtim, dy lëvizje përpara./Sokol Balla/

SHKARKO APP