Sokol Balla: Riciklimi i politikës
(Botuar me 10 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Sokol Balla
Tetë dhjetori ka ikur pa u ndjerë, duke u lënë shqiptarëve të hutuar nga reformat, kontrabanda dhe ngritjet ulëritëse të çmimeve, shijen e hidhur të një feste të munguar. Xhon Lenon dhe vrasja e tij në Nju Jork më 8 dhjetor 1981, është kujtuar nga të rinjtë shqiptarë më shumë se ajo ditë e ftohtë shtatë vjet më parë, kur një grup studentësh dolën në rrugët e Qytetit Studenti për të kërkuar kushte më të mira e më pas pluralizmin politik. Kjo sepse shumica e atyre personazheve sot i kanë fatet të ndara në politikë.
Disa festojnë te Piramida, të tjerë tek Akademia, ose siç njihej dikur tek Instituti i Arteve, atje ku më 8 dhjetor 1990, pikërisht në një festë të improvizuar të përvjetorit të Lenonit, studentët nisën sfidën e madhe ndaj shtetit të vjetruar. Sot edhe fatet e dhjetoristëve VIP janë të ndryshëm. Një pjesë e tyre është rikthyer edhe një herë në opozitë. Një pjesë e themeluesve të revoltës dhjetoriste kanë kujtuar ditën që u ndryshoi jetën, të izoluar, të përjashtuar, të braktisur, disa edhe të arratisur. Ndërsa një pjesë tjetër ka kujtuar ditën e madhe të lirisë, së bashku me ish-armiqtë e tyre. Ish-armiq që pardje nuk ngurruan të vënë lule edhe në piedestalin e qytetit që nisi revolucionin kundër tyre, Shkodrën.
Shtatë vite duken pak, po sidoqoftë ato kanë qenë mjaft që të përmbysin historinë dhe të riciklojnë politikanët. Këta të fundit, duke filluar nga Alia, duke vazhduar te Fatos Nano, e deri te Sali Berisha, sot po kërkojnë të bëjnë dhjetorin të tyrin. Kryeministri shqiptar nuk ngurroi të hynte thuajse klandestin në qytetin që e akuzon rëndë për 2 prillin, duke tentuar jo thjesht të thyejë mitin, por të tregojë se tanimë edhe socialistët duhet të kenë të drejtën e “festës” së dhjetorit, deri dje të munguar. Vetëm nëntë ditë pasi Nano festoi me pleqtë me gjoksin plot dekorata të kohës së Enver Hoxhës, ai së bashku me Imamin, Cekën dhe dhjetoristë të tjerë, festoi zyrtarisht ditën që dikur tronditi themelet e “ndërtesës”, ku edhe ai kishte një “zyrë”.
Sali Berisha, tentoi prapë sfidën e egër ndaj pushtetit të sotëm, duke rimarrë temën e luftës kundër komunizmit. Ish-komunisti antikomunist, numri një i partisë së parë opozitare megjithatë nuk mundi të zbusë dot imazhin e krizës së madhe, duke festuar i mbyllur në ish-Piramidën e madhe të Hoxhës. Por ama të gjithë njerëzit kryesorë të politikës shqiptare, zgjodhën tetë dhjetorin për t’u ricikluar nga mëkatet e djeshme dhe të sotme. Duke harruar përjashta mureve të festave të tyre të mbyllura, njerëzit e thjeshtë, ata që dhjetorin e 1990, nuk e bënë të paharrueshëm as përmes zyrave dhe kulisave të Ramiz Alisë, as përmes protokollimit të historisë. Politika shqiptare edhe sivjet vendosi që tetë dhjetori të mos shpallet ashtu siç e meriton, Festë Kombëtare e Shqipërisë, por thjesht një rast më tepër që ata të thonë se ishin ata që sollën lirinë. Duke u bërë kështu, secili sipas mënyrës së vet, cinikë dhe qesharakë përpara historisë.