Sokol Sadushi: E drejta e jetës, e drejtë Kushtetuese

(Botuar me 4 shkurt 2002 në KOHA JONE)

Nga Sokol Sadushi, gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Çdokush është në gjendje të bëjë një analizë dhe të vlerësojë se sa rëndësi marrin për një shoqëri të emancipuar respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të cilat sigurisht që e kanë gjetur pasqyrimin e tyre në mënyrën më të plotë në kushtetutat demokratike të çdo shteti. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm dhe e kuptojmë mjaft mirë se këto të drejta dhe liri nuk mund të respektohen dhe të gëzohen pa asnjë lloj kufizimi. Një mbrojtje absolute dhe e njëllojtë e të drejtave në të gjitha aspektet dhe në përgjithësi për çdo shtetas, do të ishte praktikisht e pamundur. Prandaj ekzistojnë kufizimet në të drejtat dhe liritë themelore të individit, që kushtetutat dhe aktet ndërkombëtare i kanë klasifikuar si kufizime të lejueshme. Pavarësisht nga ky kuptim, ekzistojnë disa të drejta, që janë absolutisht të pacenueshme, për të cilat as vetë kushtetutat nuk e kanë mundësinë e lejimit të kufizimit të tyre. E drejta për të jetuar, është një nga këto të drejta të rëndësishme.

Jeta e personit mbrohet me ligj

Në këtë mënyrë është sanksionuar koncepti juridik i mbrojtjes së jetës njerëzore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky formulim shpreh qartë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen e jetës së njeriut, e cila përbën një vlerë kushtetuese. E drejta për jetën paraqitet në Kushtetutë, si një vlerë, nga e cila burojnë të gjitha të drejtat e tjera. Parimet themelore të mbrojtjes së jetës gjejnë mbështetje të plotë në këto dispozita. Jeta është një e drejtë, atribut fondamental i qenies njerëzore dhe kur kjo jetë hiqet, apo merret në çfarëdolloj mënyre, njeriu në të njëjtën kohë eliminohet si mbartës të drejtash dhe detyrimesh. Kapitulli i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut përshkohet nga koncepti i mosdhunimit të tyre.

Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, sipas nenit 15 të Kushtetutës, janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik, prandaj ekziston edhe detyrimi parësor dhe kushtetues i shtetit, nëpërmjet organeve të tij, që t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto të drejta. Jeta e njeriut, duke patur një vlerë të padiskutueshme, bëhet objekt i mbrojtjes kushtetuese. Mbrojtja e jetës së njeriut në çdo moment dhe në të gjitha rrethanat nuk është e njëjtë, pasi ajo është e influencuar nga një sërë faktorësh të ndryshëm, për të cilët edhe ligjvënësi mund të jetë ai që nëpërmjet ligjit që harton e miraton të parashikojë hollësitë që mund të garantojnë këtë jetë njerëzore. Vetëm nëpërmjet ligjit mund të bëhen përjashtimet, kur si rrjedhojë e mbrojtjes së një të drejte më të rëndësishme kushtetuese, kërkohet të hiqet jeta e dikujt.

Ligji është ai, të cilit i jepet e drejta, që në raste të veçanta dhe që kanë lidhje me vdekjen, në kuptim të nenit 2, pika 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të lejojë edhe heqjen e jetës për njeriun. Konkretisht, këto raste kanë gjetur rregullimin e tyre ligjor në dispozitat e përgjithshme të Kodit Penal që parashikojnë institutin juridik të mbrojtjes së nevojshme, apo në ligjet e tjera, të cilët i japin të drejtë Forcave të Armatosura, forcave të policisë, rojave civile të armatosura që të përdorin armët e zjarrit në rastet e sipërpërmendura.

Sipas kësaj dispozite të Konventës, jeta e njeriut mund të hiqet dhe kjo lloj vdekje që i shkaktohet atij, qoftë dhe nga shteti, nëpërmjet organeve të tij, nuk ka të bëjë dhe nuk mund të jetë e njëjtë me dënimin me vdekje, si lloj dënimi që jepej më parë nga gjykata, por është e lidhur me ato raste përjashtimore, shprehimisht të sipërcituara. Mbi këto koncepte të drejta është ndërtuar legjislacioni ynë dhe, në fakt, ky është kuptimi kushtetues e ligjor, mbi të cilën realizohet mbrojtja e jetës së njeriut. Ky është legjislacioni ynë që më shumë i përgjigjet kushteve të një shoqërie moderne, të emancipuar dhe me një demokracie solide. Në këtë aspekt legjislacioni shqiptar paraqitet shumë më pararendës se mentaliteti shoqëror dhe tradicional, gjë që përbën një pengesë tepër të vështirë në përsosjen dhe konsolidimin e kësaj shoqërie.

Pyetja që i shtroj vetes është se, a ndodhen të përgatitur dhe a ndihen komod shteti dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi përballë një legjislacioni të tillë emancipues e modern dhe a janë ato në gjendje që të garantojnë jetën e personit, lirinë dhe sigurinë e tij, ndërkohë që kanuni, rregullat zakonore, vetëgjyqësia dhe gjakmarrja arrijnë të eklipsojnë ligjin?

Përgjigjja që më vjen e menjëhershme dhe natyrshëm është “jo”.

E them këtë sepse në mjaft zona të vendit, familje të tëra ndodhen të ngujuara për shkak të gjakmarrjes. Secili nga ne e kupton se çfarë ndjejmë kur dëgjojmë se jeta e dikujt u privua si pasojë e marrjes së gjakut. Akoma më tej shtohet ky ankth kur marrim vesh se një familje, apo një fis i tërë u ngujua nga frika e gjakmarrjes. Të gjithë këta individë të pafajshëm që deri në ato çaste që nuk kishin hyrë në gjak, kryenin një detyrë apo realizonin të drejtat e tyre si pjesëtarë të shoqërisë, papritur detyrohen të shkëputen prej saj, duke e privuar ndërkohë veten nga gëzimi dhe ushtrimi i këtyre të drejtave.

A është e pranueshme për të gjithë ne, që këta individë të shoqërisë të konsiderohen dhe të mbeten përgjithmonë të dënuar pa ligj dhe të privuar njëkohësisht nga ushtrimi i të drejtave dhe lirive të tyre themelore të garantuara nga Kushtetuta?

Çështja shtrohet se në ç’mënyrë e realizon shteti dhe vetë shoqëria civile mbrojtjen e jetës, lirinë dhe sigurinë e këtyre njerëzve të pafajshëm, pra, të këtyre familjeve që ndodhen në gjak? Unë, por besoj se edhe ju, nuk ndihemi mirë, kur jemi të detyruar të pohojmë se jetën e këtyre personave nuk është në gjendje ta mbrojë ligji. Ndihem keq kur detyrohem të pohoj se jetën e tyre e mbron ngujimi. Ata duke mos qenë të garantuar nga ligji, detyrohen të ngujohen dhe të vetëkufizojnë një pjesë shumë të madhe të lirive të tyre. Të drejtat dhe liritë themelore të këtyre shtetasve nuk realizohen sipas kuptimit kushtetues. Ato nuk ushtrohen si rrjedhojë e të qenit të tyre të ngujuar. Në Kushtetutë është i parashikuar kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve për shkak të ligjit, por ky trajtim është një kufizim i ligjshëm dhe kushtetues. Është e kuptueshme se këto të drejta dhe liri nuk mund të konceptohen si të paprekshme dhe të pakufizuara. Njihet kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore, por kur një gjë e tillë është e parashikuar me ligj, kur ekziston një interes publik apo kur kërkohet të mbrohen të drejtat e të tjerëve. Dhe ky kufizim kushtetues parashikohet në rastet e diskriminimit (18/3), të punës së detyruar (26), të heqjes së lirisë (27), të bërjes publike të të dhënave vetjake (35), të kontrollit të banesës (37), të drejtës së pronës (41) etj.

Por nga ana tjetër, në disa dispozita të kapitullit të të drejtave dhe lirive themelore, legjislatori ka parashikuar vetëm rregullin e përgjithshëm dhe nuk ka lejuar absolutisht për jashtmin. Kjo do të thotë se ka disa të drejta dhe liri që nuk mund të kufizohen as nga ligji dhe as nga Kushtetuta. Mungesa në mënyrë të qartë e këtij përjashtimi shfaqet në shumë dispozita kushtetuese dhe konkretisht në nenet që nuk lejojnë tejkalimin e kufizimeve të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (17, pika 2), të drejtat e pakicave (20), lirinë e ndërgjegjes e të fesë (24), ndalimin e torturës (25), të drejtën e mbrojtjes (28, 31), prezumimin e pafajësisë (30) etj. Në këtë grup dispozitash bën pjesë edhe e drejta për jetën (neni 21), në të cilën nuk është parashikuar asnjë lloj kufizimi. Kjo do të thotë se shteti nuk mund të pajtohet me raste apo fenomene që cenojnë të drejtën e jetës. Janë këto koncepte të sanksionuara në Kushtetutë, mbi të cilat u mbështet dhe Gjykata Kushtetuese për të shpallur dënimin me vdekje në Shqipëri si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Çështja shtrohet se si mund të justifikohet shteti dhe shoqëria në tërësi për pamundësinë reale që ato paraqesin për ta bërë konkret realizimin në praktikë të kësaj dispozite kushtetuese?

Jo vetëm kaq. Shteti dhe gjithë shoqëria në tërësi është e ndërgjegjësuar se këtyre shtetasve jo vetëm nuk u mbrohet jeta, por njëkohësisht i kufizohen edhe shumë të drejta të tjera kushtetuese mjaft fondamentale. Dhe përsëri ato paraqiten të pafuqishme për eliminimin e këtyre kufizimeve kushtetuese, që në këtë rast nuk bëhen me ligj, por shkaktohen si rrjedhojë e gjakmarrjes dhe ngujimit të tyre. Vetëm një vështrim po të hedhin në disa dispozita të Kushtetutës do të krijojmë menjëherë bindjen se për këtë kategori individësh sanksionimi në Kushtetutë i detyrimit të organeve të pushtetit publik për të respektuar të drejtat dhe liritë themelore si dhe për të kontribuar në realizimin e tyre, mbetet një formulim i pazbatueshëm që shndërrohet në demagogji.

Të shikojmë se si e realizojnë të drejtën e votës këto shtetas.

E drejta e votës është një nga të drejtat themelore të shtetasve dhe si të gjitha të drejtat e tjera mbetet e padhunueshme. Kushtetuta në nenin 45 të saj ka sanksionuar të drejtën e çdo shtetasi për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, të drejtë të cilën ai e realizon nëpërmjet votës vetjake, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë. E drejta e votës përbën një të drejtë të pakufizuar. Sipas konceptit kushtetues, nga ushtrimi i të drejtës së votës nuk mund të privohet askush, me përjashtim të shtetasve të deklaruar si të paaftë mendërisht me vendim gjyqësor të formës së prerë. Pikërisht fenomeni i gjakmarrjes pengon ushtrimin e kësaj të drejte kushtetuese të pakufizueshme. Fatkeqësia e këtyre shtetasve nuk mbaron këtu. Këta individë të ngujuar nuk janë në gjendje të ushtrojnë edhe shumë të drejta të tjera kushtetuese. Sipas Kushtetutës, secili është i lirë të zgjedhë fenë ose bindjet si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht në publik nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve. E megjithatë këta individë të ngujuar e kanë të pamundur të marrin pjesë në ushtrimin e këtyre praktikave fetare.

Liria e organizimit është një tjetër e drejtë kushtetuese që ka rëndësinë e vet thelbësore në krijimin, zhvillimin dhe ruajtjen e demokracisë. Ajo ndihmon për t’u siguruar që njerëzit mund të mblidhen së bashku për të nxitur interesat e tyre dhe ndihmon ruajtjen e lirive dhe të drejtave të tjera kushtetuese. Por individët e ngujuar janë të kufizuar në të drejtën e tyre për t’u organizuar kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm apo për të marrë pjesë në tubime paqësore në sheshe publike për realizimin e të drejtave të tyre kushtetuese. Këta shtetas nuk mund të realizojnë as të drejtën e lëvizjes lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit, aq më tepër të pretendojnë për të ushtruar të drejtën e tyre për punë, si dhe të drejtën për arsim. Në stadin në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare kur pretendimet e saj për t’u bërë pjesë e realitetit të ri evropian janë drejt zgjidhjes, ekzistenca e pengesave të tilla që nuk lejojnë ushtrimin e të drejtës më elementare, siç është e drejta për arsim, janë të patolerueshme.

Mosushtrimi i këtyre të drejtave dhe lirive kushtetuese si rrjedhojë e fenomenit të gjakmarrjes për të cilin kemi dijeni të gjithë, është njëlloj sikur shteti, shoqëria civile në tërësi me vetëdije të plotë pranojnë të kufizohen dhe të dhunohen këto të drejta. Indiferenca që shfaqet ndaj përmasave të frikshme që ka marrë ky fenomen fajëson të gjithë shoqërinë në tërësi dhe shtetin në veçanti. Të gjithë ne e dimë se Kushtetuta jetën e njeriut e mbron me ligj. Thelbi i dispozitave kushtetuese është nxjerrja në pah e atyre drejtimeve themelore që si orientim primar kanë respektimin e vlerës së jetës dhe të dinjitetit njerëzor. Vlera më superiore për shtetin dhe shoqërinë është njeriu dhe jeta e tij, e cila qëndron në themel të të gjitha të drejtave dhe mohimi i saj sjell edhe eliminimin e të drejtave të tjera njerëzore. Jeta njerëzore, duke u konsideruar e tillë që nga fillimi i saj bëhet një vlerë mbi të gjitha vlerat e tjera që mbrohet nga Kushtetuta. Por problemi që shtrohet për t’u zgjidhur është se sa është në gjendje të bëjë një shtet ose një shoqëri e tërë për jetën njerëzore në mënyrë që të mbrojë dhe të garantojë një nivel të caktuar jetese? Dihet se për arsye të shumta shumë nga ne mund të jenë ndjerë të pasigurtë për jetën e tyre. Dhe kjo ka shpjegimet e veta. Por ekzistenca në mentalitetin e një pjese të realitetit shqiptar e aplikimit të rregullave të të drejtës zakonore dhe situata, në të cilën gjenden personat e ngujuar për shkak të gjakmarrjes janë tepër tronditëse dhe që përbëjnë një fenomen që në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet bashkudhëtar me një shoqëri që pretendon se ka arritur të ketë një legjislacion të përparuar, një kushtetutë tepër të avancuar dhe që dënimin me vdekje e konsideron dënim çnjerëzor, duke mos e pranuar tashmë si një lloj dënimi penal në legjislacionin e saj. Nëse do të hedhim një vështrim në vendet e tjera, të cilat janë të orientuara plotësisht drejt demokracisë dhe do të bëjmë krahasimin me stadin në të cilin ndodhet shteti dhe shoqëria shqiptare si mentalitet, do të konstatojmë me keqardhje se kemi shumë rrugë të gjatë për të bërë, e cila sigurisht që kërkon kohën e vet, por që nuk mendoj se do të realizohet vetvetiu.

SHKARKO APP