Sokol Sadushi: Procesi zgjedhor dhe Gjykata Kushtetuese
(Botohet me 20 gusht 2001në KOHA JONE)
Nga Sokol Sadushi-
Mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve, si dhe verifikimi i rezultatit të tyre është një proces i tërë kontrolli që kërkon detyrimisht zbatimin dhe përmbushjen me përpikëri të detyrimeve ligjore nga subjektet politike apo shtetërore, të cilat luajnë rolin përcaktues në to. Fillimisht, komisioneve zgjedhore të të gjitha hallkave, e më pas gjykatave u mbetet pesha dhe përgjegjësia kryesore e realizimit korrekt, të paanshëm dhe ligjor të kontrollit administrativ dhe gjyqësor mbi zgjedhjet. Nga një vështrim tërësor i procesit zgjedhor, u vërejt se nga shqyrtimi me disa mangësi i ankesave administrative nga komisionet zgjedhore, për shkak të konceptimit të tyre më shumë si organe me vartësi partiake se shtetërore, qoftë dhe për arsye të formulimit të paqartë të disa dispozitave ligjore, nuk mund të parandalohej fluksi i jashtëzakonshëm i kërkesave të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese.
Në këto kushte ky institucion kushtetues nga njëra anë, u vu përballë shfrytëzimit ligjor të të drejtës së ankimit nga ana e kandidatëve për deputetë, si dhe të trysnisë së jashtëzakonshme politike, mediatike dhe ligjore, (e cila shprehej në afatin mjaft të shkurtër të zgjidhjes së çështjeve). Prandaj dhe menaxhimi me kujdes, korrektesë dhe sipas kërkesave ligjore i këtyre çështjeve, u realizua në një kohë të përshtatshme, pa penguar zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Ka patur disa keqkuptime, për fat të keq edhe nga juristë, në drejtim të pozicionit juridiksional të Gjykatës Kushtetuese ndaj procesit zgjedhor, duke e interpretuar veprimtarinë procedurale, si një teprim në kompetencat e saj.
Megjithatë, Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor kanë autorizuar Gjykatën Kushtetuese që të realizojë shqyrtimin gjyqësor të çështjeve që lidhen me zgjedhjen e deputetëve. Dhe në këtë aspekt kjo nuk përbën një problem të diskutueshëm juridiksional. Duke qenë i rezervuar, për shkak të funksionit kushtetues që kryej, për të shprehur opinionin tim personal për disa rregullime ligjore që i duhen bërë detyrimisht në të ardhmen Kodit Zgjedhor, do të paraqisja nëpërmjet këtyre radhëve, një vështrim konstatues mbi kompetencën dhe jurisprudencën e ndjekur nga Gjykata Kushtetuese gjatë procesit zgjedhor.
- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në pjesën e parimeve themelore i referohet sistemit të zgjedhjeve. Neni 131, shkronja “e” e Kushtetutës është e vetmja dispozitë që përcakton kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmërinë në ushtrimin e funksioneve të deputetëve, si dhe për të verifikuar zgjedhjen e tyre. Në këtë dispozitë përfshihen tre forma të kontrollit kushtetues që ushtron kjo gjykatë. Papajtueshmëria në ushtrimin e funksioneve të deputetëve është një kompetencë që nuk lidhet drejtpërdrejt me kontrollin që Gjykata Kushtetuese ushtron gjatë procesit zgjedhor, pasi ajo ushtrohet pasi deputeti është zgjedhur.
Inicimi i kësaj procedure realizohet nga Kuvendi kur ai konstaton një nga rastet e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të deputetit dhe për sa kohë vazhdon mandati i tij. Gjithashtu edhe kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e zgjedhshmërisë së deputetëve nuk është e njëllojtë dhe nuk mund të konfondohet me verifikimin që ajo i bën zgjedhjes së tyre. Kjo procedurë që ndiqet nuk është e njëjtë me shqyrtimin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve. Në rast se pazgjidhshmëria apo papajtueshmëria konstatohen pasi deputeti është zgjedhur mund të ndodhemi përpara një pavlefshmërie, e cila nuk trajtohet si pavlefshmëri e zgjedhjes, por si mbarim ose pavlefshmëri mandati. Mund të jenë elementë të pavlefshmërisë së një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të shpalljes së pavlefshme të zgjedhjeve në një zonë të caktuar rastet e pazgjidhshmërisë apo të papajtueshmërisë së deputetëve, në rast se ato konstatohen gjatë procesit zgjedhor. Megjithatë nga pikëpamja formale ato mbeten kompetenca të dallueshme nga njëra-tjetra. Prandaj nuk është objekt i këtij shkrimi, verifikimi i rasteve të papajtueshmërisë dhe të pazgjidhshmërisë së deputetëve, por verifikimi i rezultatit të zgjedhjes së tyre si dhe pavlefshmëria e zgjedhjeve. Në asnjë nga dispozitat e Kushtetutës së RSH nuk përmendet termi pavlefshmëri e zgjedhjeve.
Një formulim i përafërt ka qenë parashikuar edhe në dispozitat e mëparshme kushtetuese, sipas të cilave Gjykata Kushtetuese zgjidhte çështjet për ligjshmërinë e zgjedhjes së deputetëve. Pavarësisht nga ky emetim formal kushtetues, e drejta e gjykatës për të shfuqizuar aktet që shqyrton, nënkupton pavlefshmërinë. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të kryer verifikimin e zgjedhjes së deputetëve, siç parashikohet në shkronjën “e” të nenit 131 të Kushtetutës realizohet duke gjykuar mbi vlefshmërinë e aktit që shqyrton. Ajo nuk mund të kryejë verifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, nëse nuk do t’i paraqitet për shqyrtim një akt.
Pra formulimi aktual kushtetues i kompetencës së kësaj gjykate për të verifikuar zgjedhjen e deputetëve është konsideruar i mjaftueshëm për ligjvënësin që nëpërmjet Kodit Zgjedhor të zbërthejë konceptin e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, rastet se kur ndodhemi para saj, si dhe procedurat përkatëse që ndiqen për të shpallur pavlefshmërinë. Kodi Zgjedhor vetëm në dy nene e dhe konkretisht në nenin 113 pika 5 dhe 141, pika 1, parashikon të drejtën e personave të interesuar për tu ankuar ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Gjykatën Kushtetuese, si dhe të drejtën e kësaj gjykate për të shqyrtuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin, si dhe pavlefshmëritë e tyre.
Në Kod janë parashikuar nëpërmjet shumë dispozitave kërkesat juridike që përcaktojnë ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe të akteve që nxjerrin komisionet zgjedhore. Konkluzionin ligjor se vendimet që nxirren nga KQV-ja, apo KZZ-ja, janë ose jo në përputhje me ligjin e nxjerr KQZ-ja, ndërsa për vendimin e kësaj të fundit shprehet Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet e përgjithshme dhe Gjykata e Lartë për zgjedhjet vendore.
Në Kodin Zgjedhor nuk ka ndonjë rregullim të hollësishëm të rasteve se kur zgjedhjet janë të pavlefshme. Neni 113 jep dy raste të specifikuara të shpalljes së pavlefshmërisë, të cilat lidhen me fatkeqësitë natyrore me përmasa të tilla që mund të kenë ndikuar në ndarjen e mandateve në Kuvend dhe në rezultatin e zgjedhjeve, si dhe kur votimi nuk ka filluar ose është ndërprerë për më shumë se gjashtë orë. Të provuarit e këtyre dy rasteve, mendoj se nuk paraqet ndonjë vështirësi në trajtimin juridik për të kuptuar se kur KQZ-ja duhet t’i shpallë të pavlefshme zgjedhjet. Përkundrazi nocioni “shkelje e ligjit” që sjell pavlefshmërinë e zgjedhjeve, i parashikuar nga shkronja “a” e këtij neni, e bën më të vështirë konstatimin e një rasti të tillë.
Prandaj komenti apo interpretimi i shprehjes shkelje e ligjit mbetet kurdoherë i rëndësishëm për tu trajtuar. Ky nen duke përdorur termin “shkelje ligji”, pa e specifikuar llojin e shkeljes, e ka trajtuar pavlefshmërinë në përgjithësi. Mjafton që të konstatohet shkelja e ligjit nga organi që shqyrton çështjen që akti të shpallet i pavlefshëm. Megjithatë jo çdo shkelje ligji sjell detyrimisht pavlefshmëri. Ligji ka parasysh vetëm ato shkelje që në të vërtetë ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Në vendimin nr 79/2001, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga kandidati për deputet i zonës zgjedhore nr. 44, duke argumentuar se, “shkeljet e konstatuara nuk janë të tilla që të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në këtë zonë.”
Ndërsa në çështjen që lidhej me zonën zgjedhore nr. 82, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin e KQZ-së, sepse mospërfshirja nga ky i fundit në tabelën e rezultateve të të dhënave të katër qendrave të votimit, kishte ndikuar drejtpërdrejt në shpalljen padrejtësisht të kandidatit tjetër si fitues. Pavlefshmëria që shpallet nga KQZ-ja, sipas nenit 113 të Kodit Zgjedhor është e lidhur me rastet e paligjshmërisë së aktit. Shqyrtimi i paligjshmërisë së aktit vlen edhe për Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas pikës 5 të këtij neni, ajo bën shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve si rrjedhojë e ankimit ndaj vendimit të KQZ-së. Kontrolli që ushtrohet në këtë rast nga Gjykata Kushtetuese ndaj vendimeve të KQZ-së, ndryshe nga kompetencat e tjera që lidhen me kushtetutshmërinë e normës që shqyrtohet, përqendrohet tek aspekti i paligjshmërisë.
Megjithatë edhe kontrolli ndaj paligjshmërisë së aktit që kryen kjo gjykatë është në funksion të kontrollit të kushtetutshmërisë që asaj i buron veçse nga Kushtetuta. Shqyrtimi i vendimit të KQZ-së nga pikëpamja e paligjshmërisë, duket sikur e shndërron Gjykatën Kushtetuese në një gjykatë fakti, duke i shmangur asaj funksionin e një autoriteti të lartë kushtetues. Në të vërtetë këto procedura gjykimi janë të njëjta me gjykimet e faktit, pasi ankimet ndaj pavlefshmërisë kërkojnë zgjidhjen e çështjes në themel. Pajisja e Gjykatës Kushtetuese me një kompetencë të tillë duket sikur përbën një përjashtim nga funksioni i kontrollit të kushtetutshmërisë së normës. Sigurisht që ka një qëllim dhënia e kësaj kompetence Gjykatës Kushtetuese.
Verifikimi i rezultatit të zgjedhjes së deputetit kërkon një garanci shumë të madhe, sepse për të kanë shprehur vullnetin e tyre zgjedhësit nëpërmjet votës dhe një gjykatë e nivelit të lartë, i krijon më shumë premisat për një gjykim të drejtë.
Prandaj në gjykimin e këtyre çështjeve, Gjykata Kushtetuese zbaton për aq sa janë të aplikueshme parimet dhe normat procedurale, siç parashikohet në nenin 1 të ligjit të saj. Megjithatë, pajisja me më shumë të drejta e komisioneve zgjedhore për zgjidhjen e çështjeve që dalin gjatë procesit zgjedhor në rrugë administrative, si dhe ingranimi maksimal brenda hapësirave ligjore i gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, do ta poziciononte Gjykatën Kushtetuese në funksionin e saj të mirëfilltë kushtetues për verifikimin e rezultatit përfundimtar dhe jo për të gjitha çështjet që përfshihen në një procedurë gjyqësore.
Neni 113 i Kodit Zgjedhor të krijon përshtypjen se pavlefshmëria mund të shpallet kryesisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Shprehja e parashikuar në këtë dispozitë “në qoftë se vëren”, duket sikur e ka lënë në çmimin e KQZ së konstatimin e shkeljeve që vërtetojnë pavlefshmërinë. Në të vërtetë e drejta e këtij organi për të vendosur kryesisht për pavlefshmërinë ekziston. Pavarësisht se neni 113 nuk parashikon shprehimisht ankimin në KQZ për pavlefshmëri nga subjektet e interesuara, e drejta e tyre për të kundërshtuar vendimet e KZZ-së apo të KZQV-së në KQZ, buron nga neni 140, pika 2 e Kodit Zgjedhor.
Ezaurimi i ankimit administrativ, si një mjet mbrojtje është jo vetëm një e drejtë, por ai përbën njëkohësisht edhe një detyrim për të interesuarit për të kërkuar më pas të drejtën e tyre në Gjykatën Kushtetuese. Ky është koncepti doktrinar i shterimit më parë të rrugëve administrative nëpërmjet rekursit administrativ si dhe kuptimi që vet Kodi Zgjedhor jep nëpërmjet dispozitave të sipërcituara.
Gjykata Kushtetuese në disa vendime të saj, ka rrëzuar kërkesat e kandidatëve për deputet, me arsyetimin e mungesës së legjitimimit të tyre për shkak të mosushtrimit më parë dhe brenda afatit të caktuar në ligj të të drejtës së ankimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në vendimin nr 99/2001, Gjykata Kushtetuese arsyeton se kandidati për deputet i zonës zgjedhore nr. 18, nuk i ka konsumuar mjetet e tjera ligjore të ankimit në rrugën administrative e për pasojë, në kuptim të nenit 131 shkronja “f” të Kushtetutës dhe neneve 113 e 140 të Kodit Zgjedhor, nuk legjitimohet. Ndërsa në vendimin nr 107/2001, Gjykata Kushtetuese konkludon se ndaj vendimit të KQZ-së, i cili vendosi zhvillimin e zgjedhjeve për kandidatët për deputetë dhe për listat shumemërore në zonën zgjedhore nr. 60, asnjë subjekt zgjedhor nuk e kishte ushtruar të drejtën ligjore të ankimit në gjykatë.
Formulimi i pikës 5 të nenit 113 të Kodit Zgjedhor, se çdo person i interesuar mund ta ankimojë vendimin e KQZ-së për t’i shpallur zgjedhjet të pavlefshme ose jo, parashikon në një paragraf të vetëm dy konceptet kryesore që lidhen me legjitimimin e kërkuesit për të iniciuar një gjykim kushtetues dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve. Në këtë dispozitë të Kodit Zgjedhor lidhur me legjitimimin e subjekteve që kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese përdoret formulimi “çdo person i interesuar”. Ky term duket mjaft i gjerë dhe përfshin në të çdo person, mjafton që ai të provojë interesin në çështjen konkrete. Megjithatë jo çdokush dhe për çdo gjë ka të drejtë të investojë Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin gjyqësor të një akti të pavlefshëm, por vetëm ato subjekte që janë në gjendje të provojnë një interes të drejtpërdrejt dhe të ligjshëm për çështjen në shqyrtim.
Neni 66, pika 2 e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, parashikon se vetëm me kërkesë të partisë politike ose të kandidatit për deputet të pavarur mund të ushtrohet ankimi përpara Gjykatës Kushtetuese. Kjo dispozitë nënkupton se kandidati për deputet i një partie politike nuk legjitimohet, pasi kjo e drejtë i përket vetëm partisë që ai përfaqëson. Kjo mënyrë e formulimit të dispozitave të krijon përshtypjen se midis ligjit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kodit Zgjedhor ka një kontradiktë, prezenca e të cilës vë në diskutim ligjin që duhet zbatuar. Praktika e ndjekur nga Gjykata Kushtetuese ka shkuar në favor të zbatimit të Kodit Zgjedhor, për arsye se ai është ligji specifik që rregullon hollësisht procedurat që lidhen me zgjedhjet, aq më tepër që vetë ligji i Gjykatës Kushtetuese, për këto raste të referon në dispozitat ligjore për zgjedhjet. Gjithashtu duke iu referuar nenit 2 të Kodit Zgjedhor rezulton se në përkufizimin “subjekt zgjedhor” përfshihen krahas partive politike edhe kandidatët e tyre. Legjitimimi i kandidatit për deputet për të iniciuar një gjykim kushtetues për procesin zgjedhor është i lidhur njëkohësisht dhe me të drejtën kushtetuese të shtetasve për t’u zgjedhur.
Krahas legjitimimit të personave të interesuar trajtohet dhe afati i paraqitjes së kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese. Kodi Zgjedhor ka parashikuar në dy nene dy afate parashkrimi. Sipas nenit 113, pika 5 ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve ose jo, bëhet brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit të KQZ-së. Tjetër afat ka parashikuar neni 141, sipas të cilit vendimet e KQZ-së në lidhje me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin, si dhe për pavlefshmërinë e tyre ankimohen brenda tri ditëve nga shpallja e tyre. Megjithëse dy dispozitat nuk kanë lidhje me njëra tjetrën, në thelb ato për sa i përket kompetencës së Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së, marrin të njëjtin kuptim.
Pavarësisht nga paqartësia që mund të ekzistojë nga pikëpamja e teknikës legjislative në mënyrën e formulimit të dispozitave të sipërcituara, objektivi i rishqyrtimit të animit në Gjykatën Kushtetuese në të dyja rastet nuk është i njëjtë. Pra juridiksioni kushtetues është i ndryshëm, sepse ndërsa ankimi sipas nenit 113 ushtrohet për konstatimin e rasteve të pavlefshmërisë së zgjedhjeve në zona të caktuara zgjedhore, ankimi në bazë të nenit 141 është i kufizuar vetëm ndaj vendimit të KQZ-së që ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin në të gjithë territorin e Republikës.
Sipas formulimit të nenit 113 të Kodit Zgjedhor që parashikon ankimin e vendimit të KQZ për t’i shpallur zgjedhjet të pavlefshme ose jo, në Gjykatën Kushtetuese dy janë llojet e kërkesave që shqyrtohen për efekt të pavlefshmërisë së vendimit të KQZ-së. Në njërin rast kërkohet pavlefshmëria e vendimit të KQZ-së që ka shpallur si të pavlefshëm zgjedhjet në qendrën e votimit, në njësitë zgjedhore ose në të gjithë territorin e Republikës. Kjo do të thotë se kërkohet pavlefshmëria e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, që në fakt sjell mosshpalljen e zgjedhjeve të pavlefshme, pra vlefshmërinë e tyre. Rrëzimi i kërkesës sjell zhvillimin e zgjedhjeve në zonën përkatëse si rrjedhojë e vendimit të KQZ-së që ka vendosur pavlefshmërinë e tyre. Kështu KQZ-ja me vendimin nr.5, datë 01.07.2001 kishte vendosur të shpallte të pavlefshme zgjedhjet në 6 qendra votimi të zonës zgjedhore nr 4 duke urdhëruar përsëritjen e tyre. Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre. Ndërsa kur pranohet kërkesa, atëherë shfuqizohet vendimi i KQZ-së që ka shpallur pavlefshmërinë e zgjedhjeve duke mbetur i pacenuar në këtë mënyrë rezultati i zgjedhjeve në njësinë përkatëse.
Kështu me vendimin nr 70, dt 6.07.2001 Gjykata Kushtetuese shfuqizon pjesërisht për pesë qendra votimi vendimin e KQZ-së i cili kishte vendosur pavlefshmërinë e zgjedhjeve në 18 qendra votimi të zonës zgjedhore nr 2, duke konkluduar se në këto pesë qendra votimi, zgjedhjet nuk duheshin përsëritur.
Në rastin tjetër kërkohet pavlefshmëria e vendimit të KQZ-së që ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve në njësitë përkatëse. Gjykata Kushtetuese pasi shqyrton çështjen mund të vendos rrëzimin e kërkesës, duke mos e cenuar rezultatin e zgjedhjeve, ose pranimin e saj dhe shfuqizimin e aktit të pavlefshëm. Shfuqizimi i vendimit të KQZ-së sjell përsëritjen e zgjedhjeve në njësinë përkatëse pas jo më shumë se 4 javësh, në kuptim të nenit 113, pika 4 të Kodit Zgjedhor etj. Kështu duke u shfuqizuar si i pavlefshëm vendimi i KQZ-së, rrjedhimisht të gjitha vendimet e komisioneve me të ulëta do të bien për arsye të pavlefshmërisë.
Fakti që Gjykata Kushtetuese pasi shfuqizon si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së urdhëron këtë të fundit të përsërisë zgjedhjet në njësinë përkatëse, do të thotë se të gjitha vendimet që kanë lidhje me këto zgjedhje mbeten pa fuqi juridike. Kështu në çështjen gjyqësore që i përket zonës zgjedhore nr 13, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si të pavlefshëm vendimin e KQZ-së si dhe e detyroi këtë të fundit të përsërisë zgjedhjet në këtë zonë vetëm për kandidatët e drejtpërdrejt. Objekt i shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese në çdo rast që ajo ushtron të drejtën për të verifikuar rezultatin e zgjedhjeve është pavlefshmëria e aktit. Pra akti që kundërshtohet është vendimi i KQZ-së dhe së bashku me të edhe vendimet që kanë marrë komisionet e qendrave të votimit dhe komisionet zgjedhore të zonave.
Gjykata Kushtetuese kryen një verifikim të plotë dhe të saktë të zgjedhjeve duke hyrë në vlefshmërinë e aktit, sepse në çdo rast ajo ka një akt për shqyrtim. Megjithatë pavlefshmëria e aktit nuk sjell detyrimisht edhe pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Sipas rasteve të sipërcituara mundet të shfuqizohet vendimi i KQZ-së si i pavlefshëm dhe zgjedhjet të mbeten të pacenuara. Kjo ndodh kur pas shfuqizimit të vendimit të KQZ-së, të mbetet në fuqi vendimi i KZZ-së që ka shpallur deputetin fitues. Kështu në çështjen që i përkiste zonës zgjedhore nr 33, Gjykata Kushtetuese konkludoi se gjatë procedurës së rinumërimit të votave të kryer nga gjykata e rrethit ishin konstatuar mjaft parregullsi serioze, për të cilat KQZ-ja padrejtësisht nuk kishte mbajtur qëndrim ligjor. Në përfundim të gjykimit, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë vendimin e KQZ-së dhe të lërë në fuqi vendimin e KZZ-së që kishte shpallur fitues kandidatin tjetër.
Në praktikën e kësaj gjykate gjenden edhe vendime që megjithëse ajo shfuqizon si të pavlefshëm vendimet e KQZ-së dhe të KZZ-së, me vendim përfundimtar detyron KQZ-në të shpallë si deputet fitues kandidatin tjetër, kur krijon bindjen e plotë nga procesverbalet apo nga urdhërimi për hapjen e kutive të votimit se përsëritja e zgjedhjeve është e panevojshme. Neni 107, pika 2 e Kodit Zgjedhor ia ka njohur të drejtën Gjykatës Kushtetuese që të urdhërojë hapjen e kutive të votimit për efekt verifikimi, veprim i cili mund të sjellë përmbysjen e rezultatit të fiksuar në vendimin e KQZ-së apo të KZZ-së. Në çështjen gjyqësore që i përkiste zonës zgjedhore nr 63, Gjykata Kushtetuese urdhëroi hapjen e kutisë së votimit dhe verifikimin e procesverbalit dhe të votave që ndodheshin në të, nga ku rezultoi se pretendimi i kërkueses për pasaktësinë e procesverbalit të marrë për bazë nga komisionet zgjedhore ishte i vërtetë.
Hapja e kutisë së votimit në këtë rast ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjes së kësaj zone. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet kur pranojnë t’i hyjnë pavlefshmërisë së aktit që kanë për shqyrtim mund të shprehen në dispozitiv për rrëzimin e kërkesës apo për shfuqizimin e aktit.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 132 i ka njohur Gjykatës Kushtetuese vetëm të drejtën e shfuqizimit të aktit që shqyrton. Këto vendime, datën e hyrjes në fuqi e kanë të kushtëzuar me botimin e tyre në Fletoren Zyrtare. Por duke patur parasysh specifikën e këtyre gjykimeve që lidhen me zgjedhjet, të cilat për nga natyra e tyre janë të shpejta, në kuptim të nenit 26 të Ligjit te Gjykatës Kushtetuese, vendimet e saj meqenëse kanë të bëjnë edhe me mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të individit, mund të hyjnë në fuqi me shpalljen e tyre. Kjo përbën tashmë një qëndrim të konsoliduar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.
Pas hyrjes në fuqi të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese fillon ekzekutimi i tyre. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. Edhe vendimet që ajo merr për verifikimin e zgjedhjeve të deputetëve sigurisht që ekzekutohen. Specifika që këto vendime paraqesin i bën ato të ekzekutueshme nga organet që merren me procesin zgjedhor. Përderisa objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese bëhen vendimet e KQZ-së, atëherë është e kuptueshme se është ky organ dhe të gjitha komisionet përkatëse zgjedhore, të cilët realizojnë zbatimin e urdhërimeve që vendos Gjykata Kushtetuese në dispozitivin e saj.
Pasi ka përfunduar procesi zgjedhor, gjithsecili bën një përmbledhje dhe nxjerr konkluzionet e tij për veçantitë që ai paraqiti. Duke dëshiruar të prezantoj nëpërmjet kësaj trajtese ndërthurjen e koncepteve doktrinare e ligjore me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, shpresoj të kem arritur të them atë, që opinioni publik nuk ka mundur ta perceptojë nga informacionet mediatike mbi seancat e pafundme gjyqësore. E rëndësishme është të kuptohet tashmë, nga të gjithë ata, të cilët nuk e kanë patur aftësinë dhe mundësinë që të dallojnë se Gjykata Kushtetuese ka kryer veprimtarinë e saj duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Shqyrtimi me shumë kujdes i këtyre çështjeve dhe jo zvarritja e tyre, duke referuar dispozitave të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, përbën orientimin bazë të këtij institucioni kushtetues. Aspektin më thelbësor të këtij procesi zgjedhor e përbën fakti mjaft i rëndësishëm dhe i pandodhur më parë në të tilla përmasa, që lidhet me legalizimin e apelimeve administrative dhe gjyqësore dhe që orienton më në fund zgjidhjen e këtyre çështjeve në rrugë institucionale. Gjykata Kushtetuese ishte organi që u tregon subjekteve zgjedhore dhe jo vetëm atyre, se procesi zgjedhor nuk mund të jetë i pakontrollueshëm. Në kë mënyrë është ky autoritet i lart kushtetues, i cili nëpërmjet vendimeve thotë përfundimisht fjalën e tij në një kohë që të tjerët duhet heshtin.
Askush tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese nuk mund të kryejë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe askujt nuk i lind e drejta të pozicionohet në mënyrë aktive qoftë edhe nga një funksion i caktuar publik kundër vendimeve të saj, të cilat janë përfundimtare, të formës së prerë dhe të detyrueshme për ti zbatuar. Ky është rregulli i funksionimit të shtetit të së drejtës, për të cilin duket se ende mungon dëshirë për ta mësuar lehtë. Sidoqoftë, ky proces zgjedhor krijoi precedentin dhe kjo nuk është pak. Megjithatë dhe pavarësisht nga të gjitha këto, mbetem i sigurt në bindjen time, se pasi të jenë shuar natyrshëm fshikullimet emocionale ndaj procesit zgjedhor dhe kontrollit verifikues institucional mbi të, nga të gjithë aktorët politik vendas, si dhe pasi të jenë lexuar dhe kuptuar drejt arsyetimet ligjore e kushtetuese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese zgjidhjet e të cilave janë si rrjedhojë dhe aftësisë apo paaftësisë së mbrojtjes ligjore të palëve në proces, kuptohet se edhe qëndrimet do të jenë më kujdesshme./ Sokol Sadushi, anëtar i Gjykatës Kushtetuese/