Teodor Keko: Batakçinjtë e politikës
(Botuar me 23 tetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Teodor Keko-
Shtypi shqiptar i dha një hapësirë të madhe konfliktit Nano-PS në Parlament, mbi nenin për Buxhetin. Pavarësisht se si mund të interpretohet një konflikt i tillë, ai ka dimensione në shqetësim. Buxheti është pjesa më e prekshme e një populli, sepse populli i varfër paguan, dhe shqetësimi i çdo ekipi qeverisës fillon këtu. Mirëpo debati në Parlament mes qeveritarëve dhe kreut të partisë së tyre degjeneron, kur populli (jo elektorati i tyre!) shikon se paratë e paguara nga populli nuk përfillen nga politika, pra, kur buxheti i paguar prej nesh shkelmohet nga politika. Kur një popull paguan, atij duhet t’i japësh shpjegime. Aq më shumë, kur atij i kërkohen supertaksa për rend e qetësi! Teorikisht edhe ne kemi një tufë zëdhënësish shtetërorë, që nuk japin asnjë shpjegim se përse largohen nga detyra, nxirren në dispozicion etj, funksionarë të lartë të drejtësisë, njerëz me rëndësi të veçantë, për të cilët ne paguajmë, ose, u kërkojmë llogari pikërisht këtyre, si popull, kur këta nuk punojnë mirë.
A mund të ndodhë në një vend evropian të hiqet, ose të japë dorëheqjen nga puna, kryepolici i Shkodrës (mbas një muaji e ca ditë punë), apo kryeprokurori i Tiranës, pa i thënë dy fjalë dikasteret përkatëse popullit, se pse u bënë këto ndryshime? Në botë kjo quhet çmenduri! Në botë quhet çmenduri edhe fakti, kur nuk i jep llogari taksapaguesit për mënyrën se si qeveris, qoftë edhe kur bën zëvendësime të rangut më të vogël. Te ne, ç’po ndodh? Mos vallë edhe kjo Qeveri është e mbështetur në KLANE? Mos vallë edhe këta djem e vajza mendojnë se punohet më mirë me mikun tënd, sa me punonjësin e shtetit? Nëse ndodh kështu, atëherë edhe kjo Qeveri nuk do të ketë as jetë, as reputacion, as mbështetjen tonë e as forcë optimiste. Aparati shtetëror nuk është në dorë të këtyre, atyre apo atyre ministrave që do të vinë. Ministrat tanë duhet të kenë respekt për atë që paguan. Nga ky moment, ministrat tanë duhet të jenë transparentë me ne, nëse duan të kenë shtet, sepse ai që lufton krimin drejtpërdrejt, jo mbas fustanit të grave, paguhet nga ne, jep llogari para nesh dhe duhet mbrojtur; ose dënuar me transparencë! Ata nuk duhet të jenë – përfitues! As hakmarrës e as gjykatës shtetërorë. Natyrisht, nëse duan shtet! /Teodor Keko/