Teodor Keko: Dy TVSH-të
(Botuar me 28 shtator 1997 në KOHA JONE)
Nga Teodor Keko-
Dje bisedoja rastësisht me një afarist serioz te kafe “Evropa”. Si kalimthi, ai tha një fjali në dukje absurde: -Ne paguajmë dy TVSH! Një fiskale dhe një politike… E dini, që ne paguajmë vërtet dy TVSH? Që kjo është çmenduri, nuk diskutohet, por ne i paguajmë dhe ja se si ndodh ky absurd, ose ky budallallëk: TVSH-ja e parë paguhet nga tregtarët. Ajo ka kapur shifra, të cilat mund të ngopin oreksin e një shteti, që nuk pengon dot evazionin fiskal. Megjithatë, duke menduar se shteti ynë është foshnje, dhe i duhet një buxhet i fortë (për vete), me kocka ende të paformuara, ne e paguajmë këtë taksë. E paguajmë, megjithëse dëmtohemi, që të rritet e forcohet shteti ynë i vockël, por me egoizëm forcohet shteti ynë i vockël, por me egoizëm të madh (dhëntë Zoti, nacional!). Kurse TVSH-ja e dytë është diçka tjetër. Atë e paguajnë të gjithë, kryesisht ai që është pa një lek në xhep, populli. Si e paguan populli?
Shumë thjeshtë: Humbet zgjedhjet Saliu dhe për t’i mbushur mendjen atyre që shohin qengjin me sytë e ujkut, ulurin: “Për mua populli vdes, tund këmbën!…”. Dhe nxjerr ca naivë nga ne në demonstrata. Kaq duam ne! Ikim më tutje! Dinamit kemi, armë po sa të duash dhe bëjmë rrëmujë dynjanë. Investitorët tremben dhe ikin. Ne mbetemi pa punë, po në pikën 0. Mbetemi mizërie, sepse kemi paguar TVSH-në politike.
Por ka dhe forma të tjera, për të na çuar neve te kjo pagesë, ose për të na lënë trokë. Po nuk t’i ktheu xhepat mbrapsht Saliu, t’i kthen Fatosi. Ai bën “reformën administrative”, që është thjesht “një xhaketë e kthyer mbrapsht!”. Këtë nuk e do KE-ja, sepse ka një arsye të thjeshtë: e di që nëpunësi nuk është skllav, meqë kanë respekt për veten e tyre, nga që janë nëpunës vetë dhe nuk do që ai të kthehet “mish për top”, pa harruar këtu, që KE-ja nuk ka fonde për të njohur çdo nëpunës të ri të shtetit tonë ligjor. Mirëpo Fatosi ka nevojë organike të lajë borxhe te fansat e tij, që janë çjerrë në provincë dhe djeg kështu të njomin me të thatin, gjë që merret vesh “te burimi” dhe “kuçedra” e egërsuar vendos një embargo, e cila sërish kthehet në detyrim, për të paguar TVSH-në tjetër ne, populli, pasi investimet vonohen.
Si përfundim, për këtë histori reale, por absurde, unë do guxoja t’iu kujtoja pushtetarëve subjektin e një fabule, të shkruar nga D. Agolli, ku gomari është i pari në karvan e kali i dyti dhe, mbasi i zoti, i fundit në karvan, rreh kalin, ky i thotë: “Po më vër mua në vend të gomarit, sa më godet kot!”. Me dy fjalë për budallallëqet e politikanëve tanë, po hamë dru ne të tjerët kot fare! Më duket, këtu e kishte fjalën miku im dje te kafe “Evropa”…/TEODOR KEKO/