Teodor Keko: Fasada e qeverisë

(Botuar me 7 prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Teodor Keko-

Këto ditët e fundit në Shqipërinë qendrore po flitet shumë për ndryshime në qeverisjen e vendit. Kjo temë, përderisa u intereson shumë njerëzve, tregon se ka seriozitet. Që këtu duhen ndryshime, bile, radikale, kjo nuk ka asnjë dyshim, sepse ne jemi dëshmitarë që punët tona në qeverisje nuk shkojnë tradicionalisht mirë. Që aparati ynë shtetëror, i djeshëm, i sotëm, i pardjeshëm, ka brenda hajdutë, kjo dihet. Atëherë, si ka mundësi, kur ngrihet një ide racionale, të hidhen lart të gjitha partitë e vogla dhe të deklarojnë se ne prishim koalicionin, po na hoqe iksin nga qeveria. Fillimisht, shtrohet pyetja: Ndryshimet na duhen, apo jo? Po nuk duhen, atëherë, hajde të flasim. Por kur ato janë të domosdoshme, përse duhet folur për Bojkot?

Nëse ndryshimi nuk i pëlqen dikujt, atëherë kujt nuk i pëlqen? Nuk i pëlqen PSD-së apo AD-së, sepse do të zëvendësohet ndonjë ministër i tyre? Por a duhet të ngrejë zërin kaq lart minoranca e vockël pozitare, sepse iu ndërruan dy njerëz?

Unë mendoj se partitë e vockla të pozitës nuk duhet të bëjnë shumë zhurmë, ashtu si edhe partitë e vogla të opozitës, të cilat jetojnë vetëm prej PD-së. Tani dihet se disa parti apo deputetë të pozitës ndodhen në parlamentin tonë, vetëm se deshte PS-ja, siç dihet se disa individë të opozitës janë në Parlament vetëm se deshte PD-ja. Nëse këta dalin nesër të “pavarur”, a ekzistojnë dot, apo jo? Unë mendoj se këta nuk mund të jetojnë sot për sot pa çadër, prandaj, nisur nga kjo logjikë, më duket absurde, që të dëgjoj presione ndaj qeverisë nga njerëz, të cilët janë thjesht një fasadë. Në këto kushte, do të ishte më mirë që PS ta ndërtonte qeverinë vetë dhe të qeveriste vetë, sepse ajo ka marrë një votëbesim. Kështu, PS do t’i lante vetë llogaritë me ne, votuesit, nëse punët e qeverisë nuk do të shkonin mirë. Por të krijohet sherr apo t’i kërkosh llogari dikujt që s’ka asgjë në dorë, edhe kjo nuk shkon. Ndoshta sot është momenti, që Nano, mbas gjithë lëshimeve të tij, ta rikonceptojë qeverisjen e vendit dhe kjo është e drejta e tij, përderisa ai është njeriu i caktuar nga ne për të na qeverisur. Biznesi i Nanos është mënyra se si do të na qeverisë. Biznesi ynë është mënyra se si do të votojmë. Tani, të vegjlit bëjnë mirë të heshtin. Vlerat duken në lodrat e mëdha. Nano duhet ta luajë tani lodrën e tij, nëse dëshiron të tregojë se çfarë vlerash ka…/Teodor Keko/

SHKARKO APP