Teodor Keko: Kriza e vlerave

(Botuar me 13 tetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Teodor KEKO-

Vazhdimisht, dhe në të gjithë botën, përmendet dhe trajtohet periodikisht “kriza e vlerave”. Ky diskutim i pandërprerë ka logjikën e vet: shoqëritë e ndryshme ende nuk kanë artikuluar një PO ose JO të bindur, për sa i përket pyetjes: do të vazhdojmë kështu, apo do të reflektojmë mbi një rrugë të re zhvillimi.

Po t’i ndanim, sipas zhvillimit ekonomik, vendet e botës, mund të binim dakord që bota ndahet në tre pjesë: vende të zhvilluara, vende në zhvillim dhe vende të pazhvilluara. Mendoj se ne hyjmë në grupin e tretë. Të kesh një orientim të saktë për të ardhmen, nuk mendoj se është ndonjë fatkeqësi fatale të hysh në vendet e pazhvilluara. Kjo, për faktin, se vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, kush mesatarisht e kush maksimalisht, përmes dhënies së një prioriteti absolut zhvillimit ekonomik, kanë infektuar popujt e tyre nga sëmundjet e pragmatizmit e të egocentrizmit, që thjesht, në gjuhën tonë, mund të shqipërohen me fjalën dritëshkurtësi.

Konkretisht, ne shqiptarët sot kemi një etje të madhe për zhvillim ekonomik, por jo të gjithë mendojmë idem, për sa i përket rrugës që të çon te ky zhvillim. Disa mendojnë se një kopje perëndimore është rruga më e shpejtë për të arritur te vlerat materiale.

Këta joshen nga mirëqenia e vendeve perëndimore dhe neglizhojnë sëmundjet e lartpërmendura të këtyre vendeve, që, për një vështrim logjik, identifikohen me qelizat kanceroze. Këto qeliza janë pjesë e organizmit të çdo njeriu, ato rregullojnë funksionimin harmonik të qenies njerëzore, por, u lejohet një prioritet më i madh nga ç’u ka dhënë natyra, hanë organet e trupit i të tyre dhe sjellin VDEKJEN e organizmit mëmë. Duke kuptuar pak a shumë natyrën e shqiptarëve, natyrë që ka respekt për vetveten dhe dëshiron me këmbëngulje identitet e konfirmim, mendoj se ne rrezikohemi nga rënia në pozitat e plagjiaturës: mendojmë se gjithçka thotë bota e zhvilluar duhet ndjekur me fanatizëm. Shembuj në këtë pikë kemi shumë. Ndërkohë, duke shfrytëzuar këtë natyrë të shqiptarit të sotëm, ne harrojmë se njeriu që është i etur për identitet, e shuan këtë etje, duke njohur saktë historinë dhe kulturën e tij. Kjo, sepse ai kërkon argumente mbështetëse për bindjet e tij, që, duhet pranuar, janë solide. Në këtë aspekt, individi ynë punon e orientohet në mënyrë intuitive: ai blen librat e autorëve shqiptarë, ndjek teatrin, operën, baletin, koncertin… Por, nga makina e propagandës zyrtare, ai ndihmohet fare pak, për të mos thënë HIÇ! Shteti duhet ta shuajë këtë etje të shqiptarëve me një plan afatgjatë, që ata mos drejtohen nga kultura perëndimore, e cila ka mijëra kryevepra e formula magjike zhvillimi, por aspak mentalitet e mënyrë jetese shqiptare. I gjithë ky keqkuptim dhe apati ka një shpjegim. Të gjithë ne nuk dimë se ç’të bëjmë në një pikë: të sulemi symbyllur drejt zhvillimit aq të ëndërruar, pa marrë parasysh shkatërrimin ekologjik e të resurseve tona nacionale, apo ta pranojmë sistemin tonë biologjik dhe të gjejmë zgjidhje më të pranueshme për çastin dhe për të ardhmen? Kjo është konkretisht kriza jonë e vlerave! Duke qenë se vendimet e përditshme që ne marrim, fatmirësisht, nuk përcaktohen nga gjenet, por nga mënyra jonë e të menduarit, ne mund t’i jepnim prioritet kulturës për të programuar saktë mendjet tona, etimologjikisht, origjina e fjalës kulturë rrjedh nga fjala latine COLERE, që mund të shqipërohet “me bërë kujdes”, “me kultivuar”, ose më gjatë, të vlerësosh dhe të nderosh vendin. Këtu kemi një konsensus: si ata që duan të dëgjojnë perëndimorët e pasur, si ata që duan kultin e vendit të tyre, le të dëgjojnë një herë të vetme latinët! T’i japin prioritet kulturës, për t’u shëruar nga kjo krizë morale që kemi, e cila, rëndom na shtyn të veprojmë, pa pyetur më parë veten PSE? Jemi në prag të shekullit XXI. Në prag të një “apokalipsi”, që, më në fund, mund ta konvertojmë në VLERE! Një mençuri e tërë ka formuar kulturën tonë, e cila ka vlera orientuese. Nuk kemi dëgjuar e zbërthyer në mënyrë logjike, asnjë zë të kulturës sonë deri më sot. Ose, i kapëm keq sinjalet e kësaj kulture, vetëm vizualisht, ose me tinguj të rastësishëm. Pasojat: nga Lek Dukagjini i mençur morëm të shtënat e armëve dhe jo logjikën e shkrepjes së armës; nga Sami Frashëri morëm e bëmë Tiranën metropol, por e ndërtuam në fushë dhe jo në kodër, siç këshillonte ai. Të orientuar keq, humbëm kot njerëz e toka, ne, ndër më të varfrit në këto drejtime. Kemi shansin që në shekullin XXI të futemi me flamurin e kulturës sonë në ballë. Ne, të varfrit e botës, kemi një shans real e të pandërrueshëm: kanceri nuk është zgjuar ende në trupin tonë!/Teodor Keko/

 

SHKARKO APP