Teodor Keko: Kryetarë partish, si Skënderbeu!
(Botuar me 2 Nëntor 1997 në KOHA JONE)
Nga Teodor Keko-
Sa herë dëgjoj për Kongrese, apo Kuvende partish, e vetmja pikë për të cilën nuk bëhem kurioz, është zgjedhja e kryetarit te partisë. Ata nuk ndërrohen kurrë, le të ketë humbur zgjedhjet e fundit partia dhe le të jetë shpërndarë edhe vetë partia! Kryetarët e partive tona janë bërë si pronarët e vjetër! Mbajnë tapitë e kryetarëve të partive në xhep!
Në Shqipëri partia mund të drejtohet nga Presidenca dhe nga burgu, nga kryeministria dhe nga emigracioni, nga Parlamenti dhe nga ministria. Kryetarët tanë janë gati të bëjnë nga 100 punë dhe postin e kryetarit nuk e lëshojnë! Çudi e madhe në këtë vend! Kur u ngritën kundër diktaturës, kryetarët tanë ulërinin në kor: “Poshtë pushteti absolut!” Mirëpo, sa themeluan morinë e partive, e harruan pushtetin absolut! Na mbetën të përjetshëm në derë, si i bukuri shejtan, a thua s’ka njeri mend më shumë se këta! Fenomeni “Kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia” është pasqyrë e një dukurie arkaike, që ia pa mirë sherrin edhe bota, edhe ne. Sot, zhvillimet e vrullshme dhe ritmi gjithmonë e më i lartë, nuk mund të shfrytëzohen në mënyrë të plotë nga të njëjtët njerëz, të cilët shpesh kanë treguar se janë dështakë. Ekzistenca e të njëjtë e emrave dhe fytyrave, në thelb i varfëron me anëtarë partitë, sepse populli nuk është budalla të vrapojë pas monumenteve! Më thoni, ç’ka më shumë Skënderbeu nga një kryetar partie?! Hiç, asgjë më shumë nuk ka!
TEODOR KEKO