Teodor Keko: Për kë bien kambanat shqiptare në Vlorë?

(Botuar me 28 Shkurt 1997 në KOHA JONE)

Nga Teodor Keko-

1997-ta po jep të gjitha shenjat se do të jetë një vit historik për Shqipërinë e re demokratike. Zhvillimet e fundit në vendin e vogël ballkanik, të dalluar në shekuj për lëvrimin e artizanatit, blegtorisë dhe dhënies së energjive më të mira gati falas për të tjerët, pa harruar këtu edhe tangërllëkun tradicional për vendin e tyre, lexohen si fillimi i një epoke të re artizanale. Rebelimi i Vlorës vetëm për naivët do të fiket, kur të bjerë një Qeveri apo një parti. Ky rebelim, për ata që dinë të kuptojnë, do të thotë se do të ndodhin protesta rregullisht në Shqipëri, sa herë që populli të mashtrohet, apo qeveriset keq. Në thelb, populli shqiptar shpërtheu në një pikë, duke e bërë copë-copë GRUSHTIN E HEKURT të shtetit dhe paskëtaj, asnjë lloj dhune nuk do ta trembë më atë. Ai u bë i ndërgjegjshëm për të vërtetën e madhe, se është gjithmonë më i fortë se shteti! Kjo është faza e parë e rilindjes së demokracisë së vërtetë në Shqipëri. Paskëtaj nuk do të ketë më qeverisës aventurierë e të papërgjegjshëm, por qeverisës perëndimorë, që e dinë fundin që do të kenë, po qeverisën keq. Nuk do të ketë më hajdutë votash, por ndershmëri elektorale, nuk do të ketë më presh në pushtet, por kolona të vërteta shtetërore. Problemi më themelor duket se si do të kuptohet kjo arritje, ose ky realitet i ri. Sot shohim tre grupime ne Shqipëri: Pushtetin, opozitën dhe popullin. Dy të parët përpiqen të lidhen me të tretin, humbësin e madh, që deri dje shihej nga dy të parët si turmë. I treti nuk i afron. Pushtetin e urren, sepse e quan direkt fajtor për lekët e grabitura. Opozitën nuk e vlerëson, sepse e quan fajtore që u tregua pa ndonjë kurajë e shpirt sakrifice, kur ia vodhën votat. Këto marrëdhënie lexohen qartë: kjo klasë politike shqiptare duhet të largohet nga skena politike, sepse është e paaftë të drejtojë e të kërkojë të drejtat e saj! A kuptohet ky mesazh nga politikanët tanë? Shenjat tregojnë se ata janë të trembur, në panik dhe kësisoj nuk e analizojnë dot realitetin. Presidenti tregohet patetik, bërtet e betohet, për të vrarë frikën e tij, e cila është e dukshme, qoftë edhe po t’i analizosh frazat kontradiktore që lëshon. Duke qenë se ai është dëshmitar okular dhe nuk e shikon TV-në (televokshin), Presidenti, thellë-thellë, e di mirë se si e ka pritur populli “në bazë”. Është i njëjti personazh që më pak se një vit më parë, pa kujtuar vitet 1991-1992, dominonte pa shumë strategji organizative sheshin Skënderbej, sheshet e Shkodrës, Beratit, Lushnjes, Vlorës, Korçës etj. dhe që sot struket sallave që vijnë erë djersë e siklet. Opozita po përpiqet të dalë para popullit, por as ajo nuk dëgjohet nga populli. Po t’i referohemi Vlorës së ndezur, populli i Vlorës nuk i bindet opozitës edhe sikur kjo t’i thotë “leri demonstrimet e ktheju punës”, edhe sikur kjo t’i thotë “merrni armët dhe rrëzojeni këtë pushtet”.

Protesta popullore aktualisht udhëhiqet nga instinkti njerëzor, deri sa nga protestuesit të dalin udhëheqësit e rinj të zgjedhur demokratikisht prej saj. Në këtë aspekt, situata po degjeneron. Shenjat tregojnë se shumë shpejt në Vlorë do zbarkojnë nxënës, studentë, të shkolluar e të pashkolluar nga e gjithë Shqipëria. GRUSHTI I HEKURT i shtetit në Tiranë e në disa rrethe të tjera do t’i detyrojnë të pakënaqurit të nxjerrin fëmijët përpara, ndërsa vetë të shkojnë në Vlorë dhe do të mbetet një GRUSHT sehirxhi rreth ca shtetarëve pa probleme. Ç’do të bëjnë këta njerëz në Vlorë? Do fillojnë eksodin masiv? Do rikthehen për të bërë revolucion në Tiranë, si më 1924-ën? Do vdesin për bukë në Vlorë?

Do fillojnë të plaçkitin? Sa mund t’i mbajë Vlora ata dhe sa mund të mbajë Vlora prej tyre? Zgjidhja politike duhet të vendoset urgjent, tani, me shpatë gordiane, qoftë edhe me harakir, dhe nuk mund të presë të zgjidhet presidenti, apo të dalë jashtë kryeministri. Po filluan të lëvizin skafet e Vlorës, Italia nuk do të heshtë dhe fjalët e saj do ta diskreditojnë keq Shqipërinë e shqiptarët, që këtë herë shpëtuan mirë në Bruksel, pasi dihet se skafet nuk posedohen nga filantropë e nga njerëz që punojnë për bukën e gojës. Një rigjallërim, qoftë edhe disaditor, i krimit të organizuar shqiptar, do jetë fatal për të gjithë ne. Brukseli do të flasë me gjuhë tjetër për Shqipërinë. Shqiptarët tani duhet të fillojnë të mendojnë edhe për pasojat.

Rrëzimi i fajdeve është real, kur secili nga ne mos shohë vetëm shkakun, por edhe pasojën! Ky realitet ta shton bindjen se klasa jonë politike, me në krye Presidentin, janë të mbaruar, të destinuar për në pension, dhe të gjithë këta, po të jenë pakëz shqiptarë, duhet të japin DORËHEQJEN E MADHE! Ata vazhdojnë të kenë iluzione foshnjarake, si gjithë shqiptarët e djeshëm, kur bëheshin copë te sportelet e Sudes. Por Sude nuk ka më! Përpos DORËHEQJES SË MADHE, zgjidhje tjetër nuk duhet të ketë. Edhe zgjidhjet anësore, si dorëheqja e qeverisë, apo zgjedhjet e parakohshme, të shpien në konkluzionin e ZGJIDHJES SË MADHE, vetëm se ato do ta ushqejnë me bujari kaosin dhe krimin në dëmin tonë, derisa të vijë ZGJIDHJA E MADHE. Nja 60 vjet të shkuara Ernest Heminguej shtroi pyetjen tronditëse: “PËR KE BIE KJO KAMBANË?” Kjo pyetje shtrohet edhe sot para klasës sonë politike! Atëherë botën, shurdhëria idiote, e shtyu në një kasaphanë tragjike. Edhe ne, po nuk e morëm vesh se për kë bien kambanat në Vlorë, do shkojmë në kasaphanë. Ju luten fëmijët e pafajshëm të këtij vendi, iu luten pleqtë e rraskapitur e të pafat të këtij vendi, iu lutet Shqipëria: Ndalojeni!

Teodor Keko

SHKARKO APP