Teodor Keko: Sfida e Nanos
(Botuar me 23 gusht 1996 në KOHA JONE)
Nga Teodor Keko-
Një ditë më parë lexova një pjesë të intervistës së zotit Nano në gazetën “Dita informacion”. Duke qenë i interesuar si qytetar modest i këtij vendi se çfarë koeficienti intelektual përballon sot lideri i opozitës shqiptare, e cila, pa profeci, një ditë do të vijë në pushtet, si edhe PD-ja pas humbjes normale, e lexova me interes të veçantë intervistën, thjesht, edhe për të ditur se kush do ta përfaqësojë interesin tim nesër.
Pa pretenduar manipulimin, të opinionit publik do të deklaroja që në fillim se Nano nuk është më një i burgosur politik.
Problemi i tij tani është human. Mua më vjen keq që kam ardhur kaq vonë në këtë konstatim. Nga pikëpamja logjike dhe stilistike, referuar intervistës së zotit Nano, me aq intelekt dhe kulturë sa kam mundur të grumbulloj, mendoj se do të ishte fatkeqësi për këtë vend, nëse do të vazhdonte të luante lojën e njeriut që nuk pyet për askënd, lojën enveriane, ndaj një njeriu civil si Nano. Personalisht, nuk mund ta kuptoj se si mund të konsiderohet ordiner një njeri që nuk ka asnjë lidhje me ordinerizmin.
Kjo pjesë e intervistës së tij mund të merret si shembull civilizimi, natyrisht, duke i hequr idiolatritë aq të kuptueshme për një njeri që vuan. Rezervat e mia ndaj Berishës deri më sot kanë qenë thjesht politike, për rrugën e zgjedhur prej tij për shpëtimin kombëtar.
Sot rezervat e mia si qytetar për Berishën janë më të thella, janë të karakterit human. Ai duhet të kuptojë se me Nanon ka gabuar, ka gabuar thellësisht, siç duhet të kuptojë se nëse ai e përdor pushtetin e tij aq të njohur për fuqinë për ta liruar rivalin e tij do të jetë tepër civil, pasi edhe Berisha sot është në pozitat e Nanos, i burgosur i një natyre tjetër. Ai duhet të japë shembullin si mjek dhe intelektual i shquar, që e vlerëson kolegun, kundërshtarin dhe armikun e tij, për të respektuar jo vetëm veten e tij, por edhe të gjitha gjeneratat e politikanëve që do të vijnë, që mos ta marrin shpërblimin e sakrificave, formimit dhe intelektit të tyre me vite të pafundme burgu. Kur Berisha krijoi Partinë Demokratike ishte hero, por ai nuk duhet të harrojë se kur Nano e shndërroi me mjetet që kishte në përdorim Partinë e Punës ishte një super hero.
Këta njerëz i bën civilë dhe tolerantë njohja e vlerave reciproke. Në këtë aspekt, Berisha është keq. Nano e kritikon, kurse ai kritikuesin e tij e ka burgosur! Berishës i lutem të tregohet këtë herë patriot. Ai e do vendin e tij më shumë se shumë nga ne, ai e di se vendin e tij nuk e duan në botë, për arsye që nuk varen nga ai, atëherë ai duhet ta minimizojë këtë masakër botërore kundër nesh, duke vënë një paqe brenda nesh.
Atij duhet t’i kujtohet ajo legjenda e lashtë e Skënderbeut për thuprat. Kur të gjithë duan të na vrasin, pse duhet të persekutojmë njëri-tjetrin, dhe, aq më shumë, njerëzit që kanë vizion? Për mendimin tim, edhe Nano, edhe Berisha, janë në të njëjtin pozicion fillestar. Nëse Berisha mendon se Nano është hajdut dhe nëse ai është tepër i ndershëm, me modesti do ta këshilloja ta zgjidhte nyjën gordiane me një psikologji tepër të thjeshtë. Në Shqipëri ka plot hajdutë, që Berisha i njeh mirë, dhe punët nuk po shkojnë keq, një më shumë e një më pak, nuk është problem i madh…
Unë e di se Berisha nuk ka frikë nga hajdutët. Ai ka pasur frikë nga opozita.
Uroj të jetë bërë aq civil, sa ka qenë kur nuk merrej me politikë, që ta kuptojë se forca e tij më e madhe qëndron, kur ka kundërshtarë dinjitozë përballë.
Nano ia tha hapur përmes “Ditës” se është dinjitoz.
Kjo quhet thjesht sfidë.
Berisha duhet ta kuptojë se këtë herë do fitojë shumë, po të tregohet i urtë, ndryshe… Si zgjedhës, në Shqipëri unë nuk do të votoj asnjëherë, nëse Nano, Berisha apo liderë të tjerë politikë të këtij kalibri do të jenë në burg! Kjo nuk është psikologjia e autorit të këtij shkrimi. Kështu nuk do të kishte asnjë vlerë. Kjo është psikologji e gjerë, psikologji që lind protestën dhe bojkotin. Por nga këta prindër, lind dhuna, mungesa e respektit, vëllavrasja.
Presidenti dhe i burgosuri duhet të na respektojnë, të na lenë të qetë ta mbyllim normalisht ciklin tonë, duhet mos ta prishin dinjitetin tonë, racën, emrin, trungun gjenetik. Këtë ndërmarrje të thellë patriotike, këtë veprim pak tradicional në vendin tonë e ka në dorë Berisha./Teodor Keko/