Teodor Keko: Xhevahir Spahiu, zëri i mbijetesës. Poeti që jeton rininë poetike

(Botuar me 2 Nëntor 1997 në KOHA JONE)

Nga Teodor Keko

Rasti ma ka sjellë, që Xhevahir Spahiun, mos ta njoh vetëm përmes poezisë së tij, por edhe si njeri. Kur ke këtë njohje të dyfishtë, fillon e ve re edhe disa veçanti të tjera në opusin e tij poetik. Ndoshta Xh. Spahiu është i pari poet me vlera i poezisë sonë, që e afroi shumë poezinë, në aspektin komunikues, me gazetarinë.

Duke ruajtur e zhvilluar një figuracion poetik të shkëlqyer, ai shpesh e transmeton imazhin, apo mendimin me një lehtësi të habitshme. Janë të rrallë poetët tanë, ku abstraktja me konkreten të jetojnë në një harmoni perfekte. Vlerësimi i poezisë së Xh. Spahiut është një vlerësim ndaj poezisë së vërtetë. Por është për të ardhur keq, që kritika vitet e fundit thuajse nuk e ka parë këtë poezi. Kjo heshtje sjell një asimilim më pak perfekt të kësaj poezie – shkollë nga krijuesit tanë të rinj, duke ua bërë kështu më të mundimshëm orientimin drejt suksesit. Mënyra se si e ndërton figurën, si e përdor verbin, ku e seleksionon imazhin poetik, si e përdor metoniminë ky poet, si i ndërton urat lidhëse mes tij dhe lexuesit, janë vërtet një shkollë më vete poetike, që duhet studiuar. Mua më gëzon fakti që ai është në një rini të vazhdueshme poetike dhe që ne kemi poetë të dimensioneve të tilla, çka mund të përkthehet, që nesër shpirti ynë do të jetë më fisnik dhe me më pak demonë shkatërrimi.

SHKARKO APP