Teodor Laço: Kujt nuk i pëlqen shkrirja e akujve
(Botuar me 15 janar 1999 në KOHA JONE)
Nga Teodor Laço-
Takimi midis kryeministrit shqiptar dhe liderit të opozitës kryesore shqiptare, vazhdon të mbetet një pikë referimi për shumicën e politikanëve dhe të mbështetësve të tyre më të afërt. Kjo qëndrueshmëri, përveç detajeve, provon se rifillimi i një klime tjetër ku dialogu ka kryet e vendit, ishte kthyer në një domosdoshmëri. Simbolikisht, hotel “Rogner” apo Parku i Evropës siç i thonë ndryshe, ishte vendi më i përshtatshëm ku rrjedha e ngrirë e lumit të fillonte copëtimin e akujve. Jo vetëm sepse këtë shkrirje e kanë kërkuar Evropa e SHBA, por sepse nëse duam të mësojmë diçka nga përvoja e vendeve më të qytetëruara e më demokratike, është pikërisht mençuria e tyre për zgjidhjen e krizave nëpërmjet dialogut.
Mirëpo kjo shkrirje, ende e vogël dhe nënujore, disa njerëz i ka përmbytur që tani. Ua ka zënë kafshatën në fyt dhe kështu, me mide të trazuar, vjellin zorrët e barkut gjithandej. Është me interes të qëmtohet se ç’ka tregojnë këta individë, ç’përfaqësojnë dhe përse mbeten kundërshtarë të hapur apo të maskuar të zbritjes së acarit. Në skalionin e parë mbeten si gjithnjë segmentet e politikanëve ekstremistë që zakonisht janë kundërshtarë “të papërkulur” të grupimeve të tjera politike. Për ata, në këtë vend në këtë botë përgjithësisht do të ishte më mirë të kishte vetëm një planet. Disa prej tyre, të ndershëm në këtë bindje kokëfortë e naive, mbetet të jenë partizanë të përhershëm të mospajtimit, koncept që nuk ishte larg nga ai i luftës së klasave. Kësaj kategorie nuk ke ç’t’i bësh. Ajo beson verbërisht në disa skema dhe për këtë miopi nuk gjenden syza. Megjithatë, kjo kategori nuk është as më e rrezikshmja, as më dëmprurësja.
Ka një kategori tjetër e ata në thelb nuk kanë as ideale dhe as bindje të vërteta, e cila nuk e do pajtimin. Shkaku është i thjeshtë. Ata, si ujku, gjuajnë më mirë kur ka mjegull. Mjegulla e politikës quhet sherr, grindje, acarime, klimë konfliktuale. Ata tremben gjithashtu se mos kullimi i llumrave që vjen pas vërshimeve do t’i nxjerrë nga balta ku sot rrinë ngrohtë (ka edhe një kurë me baltë në mjekësi që quhet baltoterapi). Pas këtij kullimi, ata do të shfaqen me pamjen e tyre të vërtetë, lakuriq, të ndranguar, të dregosur, plot tatuazhe të bëra në errësirë, gjatë seancave të bashkëpunimit me botën e krimit. Fshehja e mëkateve të kohërave jo të largëta, po vjen e bëhet gjithnjë e më e vështirë. Lidhja me bandat e pranverës së ’97, lidhjes me rrjetin e kontrabandës e të trafikut të klandestinëve, drogës, armëve, prostitucionit, parave të pista dhe dhjetëra punërave të tjera të qelbura, rrezikojnë të zbulohet. Dhe kur hiqen mbulesat e gjirizeve, era e keqe përmbyt dynjanë.
Kjo përpjekje për marrëveshje, për kthjelltësi, ata i tremb. Frika i bën agresivë. Cinikë, grindavecë, perversë, ata s’mund të durojnë një situatë që shkon kundër qëllimeve të tyre. Në këtë përshfaqje të anëve më të errëta të vetvetes, të cilat më parë i kanë shfaqur vetëm rastësisht, disa politikanë të partive në pushtet provojnë tërthorazi se akuza kundër tyre për implikim në struktura e veprime të karakterit mafioz që ka bërë shtypi, nuk janë aq të pabaza siç mëtohet. Është tjetër punë që hetuesia, prokuroria, gjyqtarët kanë jorganë të mëdhenj për të mbuluar ato që duan të mbulojnë…
Politikanët e opozitës, të ashtuquajturit radikalë, përdorin si argument për kundërshtimin e tyre trysninë e militantëve. Mirëpo, mbështetja në opinionet apo qëndrimet e kësaj shtrese, nuk është gjithmonë ajo më e mira ose më e përshtatshmja. Disa nga “politikanët” dhe mbështetësit e tyre të kësaj kategorie, nuk janë gjithmonë idealistë të kulluar siç hiqen. Midis tyre ka mjaft pragmatistë të djallëzuar që llogarisin se idetë e bashkëpunimit apo edhe të bashkëqeverisjeve më të gjera do t’ua heqin nga goja disa thela që mëtojnë t’i marrin në rast fitoreje për “meritat” e të qenit në pararojë të brohoritjeve apo të sharjeve. Në të vërtetë, ata s’kanë ndonjë respekt për militantët. Idealizmin e skajshëm të kësaj shtrese, ata e përdorin si karrem për të peshkuar famë, popullaritet. Zërat e tjerë kundërshtarë, herë të “fortë” dhe herë në sordinë, vijnë nga politikanë të partive të vogla apo dhe të ndonjë shoqate. Skepticizmi dhe kundërshtimet e tyre që mundohen ta paraqesin takimin si nëpërkëmbje të pluralizmit dhe të kushtetutës nga “të mëdhenjtë” (shkrimi i P. Barkës tek “Koha Jonë” p. sh.), shprehin shqetësime që mund të jetë sa të sinqerta aq dhe hipokrite. Sinqeriteti rrjedh nga mosbesimi i akumuluar nëpër vite për takime kësisoj. Hipokrizia fsheh frikën e zhvendosjes në periferi. Duke dashur të bëjnë politikë “të madhe”, politikë që do ta nxirrte partinë nga gjendja e nënpeshës, synim që nuk ka pse të qortohet, këta drejtuesa harrojnë se ka disa interesa mbarëkombëtarë e mbarëpopullorë para të cilave interesat partiakë duhet të zmbrapsen.
Përndryshe, një politikë që nuk parashikon reagimin e shumicës dërmuese, ka rrezik të kthehet në bumerang. Partitë e ashtuquajtura “të vogla” mund të luajnë role të mëdha, por kjo varet nga rrethanat historike. Rrethanat nuk janë në dorën e tyre. Nëse në një moment ato gjenden në qendër të vëmendjes dhe “të mëdhenjtë” na kanë nevojën, i miklojnë kurse siç një moment zhvendosen në periferi, kjo është një lojë që duhet pranuar në të dy pamjet e saj. Partitë “e vogla kanë në dorë të gjejnë rrugët e tyre për t’u marrë peshë nëpërmjet aleancave me njëra-tjetrën apo me koalicione më të mëdha, po kurrsesi nuk duhet të mëtojnë që për të luajtur role arbitrash t’i përplasin brirët sa majtas aq edhe djathtas. Një rol i tillë ka moralitet dhe vlerë kur mbështetet prej një vote vendimtare në kuvend apo në ndërtimin e kabinetit qeveritar./Teodor Laço/