Teuta Shamku dhe Anila Prifti: Udhëtimi drejt Dibrës, rrethit që beson vetëm tek ndërtimi i rrugës së shkurtër që lidhet me Tiranën dhe tek emigracioni

(Botuar me 17 mars 2000 në KOHA JONE)

Nga Teuta Shamku dhe Anila Prifti- 

Të udhëtosh drejt Dibrës duhet të mendohesh jo pak. E gjithë rruga që përshkon mbështillet me mister të frikshëm. Po ashtu dhe vetë lokaliteti. Pas 200 kilometra rrugë, ndërsa ecën duke lënë male e male në krah të majtë, përballë një Vargmali shtrihet Dibra. Kur nisesh nga Tirana mendon se nuk do të arrish kurrë për atje. Udhëtimi me furgon të krijon idenë se po “lufton” me gjarpërinj që nga momenti në moment mund të të pickojnë.

Koka të përplaset në llamarinat e makinës, ndërsa rrotat shkelin nëpër gropa. Asnjë pëllëmbë rrugë nuk është e asfaltuar. “O zot sa hajdutë janë këta qeveritarët e sotëm”,- rënkon një grua pasagjere, ndërsa vuan dhimbjet që ndjen në ije teksa përplaset sa andej-këndej brenda në mjet. Vargu i makinave përpara të krijon përshtypjen e një ushtrie pa komandant që s’di se ku do të ndalet, veçse sulet për të arritur diku.

E kështu vazhdohet deri tek Ura e Milotit. Atje, mjeti futet mes qytetit që për më tepër i ngjan një pazari jevgjish. Pas kësaj, frika e udhëtimit për më tej vjen dhe rritet. “Do na dalë mafia”,- dikush nga pasagjerët bën shaka. Brenda vetes ndjen se ajo mund të të ndodhë. Kanë kaluar të paktën tri orë rrugë dhe i afrohesh Burrelit. Në anë të rrugës shikon dy lapidarë. Nënshkrimi tregonte për dy të rinj të vdekur. “I kanë vrarë maskat në 97-ën se nuk kanë ndaluar,”- ia pret njeri. Dhe nga larg shquhet një grykë e zezë që duket se do të të përpijë. Mjeti futet në tunelin e gjatë. Shqyen sytë se mos ndonjë tytë automatiku të mbështillet në xhamat e furgonit. Kur nga sipër dëgjon zhurmën e ngjashme me shiun. Uji rridhte nga lart dhe kujtoje se si tuneli nuk ishte shembur akoma. Jashtë tij ishte diell. Fillon e qetësohesh, por papritur shfaqet një tjetër fenomen natyror. Breza toke të tërë vazhdonin të ishin në rrëshqitje. Rruga kryesore po ashtu kishte marrë formën e plotë për të menduar se në një të ardhme ajo do të fundosej. E këtë pamje do ta takoje shpesh gjatë udhëtimit mes dushqeve të thara dhe dheut ngjyrë të kuqe.

Të kalosh Bulqizën, më parë duhet të shkelësh mbi fushën e mbuluar nga uji i zi. “Bulqiza do të fundoset një ditë”,- thotë një pasagjer i cili për 30 vite kishte punuar minator në galeritë mbi të cilat kalonte rruga që ndante qytetin e vjetër nga Bulqiza e Re. Jo vetëm kaq, por minatori plak nisi të tregonte një histori. “Një vit më parë, në gusht të verës së kaluar, këtu ku ka dalë uji i zi dhe toka thithi një burrë rreth të 40-ve. Askush nuk mundi ta shpëtojë. Kalimtarët e nxorën të vdekur”. Ankthi të kalon sapo kalon këtë zonë. Për ballë shfaqet një tjetër pamje. Gjelbërimi në kodra të jep ndjesinë e jetës. Drini, i cili na ka shoqëruar që nga Shkopeti, në afërsi të zonës së Maqellarës e ndryshon ngjyrën nga i zi në jeshil të ëmbël. “Për herë të parë vini në Dibër? Kini kujdes se të venë në lojë,”- të këshillon dikush që i di mirë zakonet e zonës, ku papritur mund të gjendesh në pozicionin e budallait më të madh.

Bllata, “ura” e mistershme

Bllata ka emër të madh, por ka dhënë pak për njerëzit e thjeshtë. Në Shqipëri nga 11 Pika doganore që ka vendi, bën pjesë edhe ajo e Bllatës. Një Pikë doganore tepër e rëndësishme, ku dikur bëhej eksporti i kromit. Por ajo tani është kthyer në Pikë ku trari ngrihet vetëm për disa mallra të dorës së dytë dhe për njerëzit rreth kufirit që vizitojnë të afërmit e tyre. Është ngritur dhe në rastet e veçanta ku një “firmë” ka lejuar kalimin e mauneve me kontrabandë. Tashmë Pika doganore verilindore, e harruar në thellësitë e maleve, duket se nuk përbën rrezik kontrabande për krerët e doganave, pasi prej kohësh në këtë nuk zhdoganohen mallrat e akcizës. Madje, ajo është kthyer sërish në një pikë klanore, por që nuk eksporton asgjë. Pika doganore e Bllatës, rreth 20 kilometra larg qytetit të Peshkopisë dhe 3 kilometra larg lokalitetit të Maqellarës, në momentin kur të shfaqet përballë të krijon idenë se nuk ka shumë probleme. Në të nuk sheh makina të tonazhit të madh që presin për t’u zhdoganuar. Vetëm ndonjë mjet i vogël ndalon përballë trarit të Doganës, të cilit një punonjës policie dhe një doganier, i kryejnë veprimet e kalimit në doganë. Kalojnë dhe këmbësorë që së shumti janë banorë të zonave përreth.

Xhemal Gazidede, kryetar i Pikës doganore tregon se Administrata doganore e Bllatës shkon rreth 35 persona. Ku 15 prej tyre janë efektivë të Policisë së Rendit (kufirit) dhe 20 persona të tjerë janë të autoriteteve doganore. Ky personel mbulon dhe kontrollon gjithë aktivitetin që kryhet brenda Doganës së Bllatës. Kurse rreth 55 kilometra vijë kufitare janë të zbuluara. Dhe askush nuk mund të ndalojë kalimin e drogës, armëve, klandestinëve apo dhe të kontrabandës së mallrave të ndryshëm.

Veprimet kryesore në këtë Doganë kanë të bëjnë me kontrollin e kalimit të njerëzve, numri i të cilëve në ditë shkon nga 30-100 shqiptarë dhe nga 100-150 të huaj. Drejtuesit e kësaj Dogane të presin tepër mirë, ndoshta kjo vjen se janë vendas dhe dibranët e kanë zakon të të presin mirë. Kreu i kësaj Dogane thotë se aktiviteti i kësaj dogane është tepër i kontrolluar dhe nën mbikëqyrje të rreptë. “Me ardhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Doganave, edhe këtu në Bllatë është ndjerë ndryshimi, pavarësisht nga kalimi shumë i paktë i mallrave”,- thotë kryetari i Degës së Bllatës.

Ja ç’është zhdoganuar për dy muaj

Të ardhurat doganore në këtë Pikë janë më të ulëta në krahasim me Pikat doganore të tjera. Kjo për vetë faktin se edhe niveli i zhdoganimeve në këtë pikë është më i ulët se në Pikat doganore të tjera. Për më tepër, në këtë Pikë zhdoganimi i mallrave të akcizës pothuajse mungon. Vetëm për muajin shkurt, evidencat tregojnë se janë zhdoganuar 30 mjete. Zhdoganimin më të madh e përbëjnë materialet e ndërtimit. Kryesisht kalojnë më tepër tulla dhe tjegulla. Gjithashtu, zhdoganohen edhe fruta dhe perime, apo dhe prodhime blegtorale.

Mallrat e akcizës në Pikën doganore të Bllatës mund të zhdoganohen në sasi tepër të vogla të cilat shkojnë vetëm disa kilogramë. Për sa u përket artikujve të kafesë dhe cigares, dhe karburantet që janë mallra me akcizës e fortë, në këtë Pikë pothuajse nuk bëhen fare. “Një biznesmen në zonën përreth ka kërkuar të zhdoganojë birrë në sasi të mëdha, por kjo ende nuk është vendosur”, thotë kreu i Pikës doganore të Bllatës, Xhemal Gazidede. Sipas tij, kalimi i mallrave në këto nivele në këtë Pikë, u krijon mundësi autoriteteve doganore të kontrollojnë me imtësi çdo gjë që kalon nga trari.

Gjithsesi, ndonëse nivelet e zhdoganimit janë të vogla, të ardhurat doganore janë rritur në krahasim me vitin e kaluar. Po të krahasosh periudhën dymujore të vitit 2000 me atë të vitit 1999, ajo është rritur me 5 milionë lekë më shumë. Në periudhën janar-shkurt 1999, të ardhurat doganore janë rreth 21 milionë lekë, ndërsa në janar-shkurt të vitit 2000 ka një shifër prej 25 milionë lekë.

Në këtë Pikë doganore mungojnë inspektorët e Drejtorisë së Antikontrabandës. “Në këtë Pikë nuk ka forca të Antikontrabandës, pasi fluksi i mjeteve që kalojnë këtu është i vogël dhe është tërësisht nën kontrollin e këtij efektivi që kemi”, thotë Gazidede. Rastet e mosdeklarimit të mallrave, sipas tij, janë të rralla si dhe rastet e falsifikimit të faturave. Një i tillë është regjistruar në muajin dhjetor, kur një subjekt nuk kishe deklaruar mallin që kapte vlerën 3 milionë lekë.

Për këtë, autoritet doganore të Bllatës, kanë vënë një gjobë rreth 28 milionë lekë. Një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave i është dërguar kreut të Pikës doganore të Bllatës, sipas të cilit ndalohet kalimi në këtë Pikë i mallrave të konfeksioneve dhe tekstileve që vijnë nga Turqia. “Një urdhër i tillë është dhënë për t’i kontrolluar më mirë këta artikuj. Kalimin e tyre e kemi përqendruar vetëm në Qafë-Thanë, për t’i kontrolluar një nga një këta artikuj”,- thotë Petrit Ago, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave. Në fakt, një urdhër i tillë është dhënë dhe në kohën kur Drejtor i Përgjithshëm i Doganave ishte Gëzim Bleta. Përqendrimi i kalimit të një malli vetëm në një pikë, nuk do të thotë ta zotërosh situatën më tepër se kur mallrat kalojnë në Pika të ndryshme. Për çdo abuzim përgjegjësi mbajnë autoritet e doganave përkatëse. Dhe nuk kuptohet dhënia e një urdhri të tillë nga Ago.

Pak histori për Bllatën

E ndodhur vetëm tre kilometra larg Maqellarës dhe vetëm disa metra larg zonave të banuara të këtij lokaliteti, Bllata ka qenë kufiri i lotëve për banorët e kësaj zone. Pasi vëllezërit e një gjaku ishin ndarë nga Kufiri dhe nuk guxonin t’i flisnin as me shenja njëri-tjetrit. Ndërsa për Shtetin ka qenë tepër e rëndësishme, pasi nga eksporti i kromit në këtë Pikë, shteti fuste në arkën e tij me miliona lekë. Gjatë periudhës të regjimit komunist, kjo Pikë doganore funksiononte si pika më e rëndësishme e eksportit në Shqipëri. Nga Bllata eksportoheshin mijëra ton krom në vit drejt Jugosllavisë (në zonat e Maqedonisë). Ndërkohë në vitet 80-të kanë pasur fluksin më të madh të eksportit të kromit nga Pika e Bllatës. Vetëm në vitin 81, drejt Tetovës është eksportuar rreth 50 mijë ton në vit. Po në këto nivele ka vazhduar edhe në vitet e mëpasshme. Në vitet 90-të, eksporti i kromit ra. Në vitin ’91 kjo Pikë doganore funksiononte vetëm për kalimin e njerëzve dhe mallrave. Më pas, midis Maqedonisë dhe Këshillit të Rrethit të Dibrës, u nënshkruan marrëveshje të importit në masë.

Rruga e Re e Dibrës

Dibranët në të ardhmen mund të vijnë m ë shpejt drejt Tiranës, në qoftë se “Nisma Dibrane” do të realizohet. Ata kërkojnë të shkurtojnë segmentin rrugor drejt metropolit shqiptar me 83 kilometra. Shoqata dibrane e zhvillimit “ndihma dibrane” ka bërë një projekt për Rrugën e Re të Dibrës, drejt Tiranës, e cila do të jetë rreth 100 kilometra më pak se ajo aktuale. Një rrugë e tillë ka ekzistuar kohë më parë, por tani ajo i përket vetëm historisë. “Ka ardhur koha që Dibrës t’i kthehet Rruga e saj historike, si rruga e vetme drejt integrimit e zhvillimit”, thonë projektuesit e kësaj rruge.

Në bazë të këtij projekti Rruga e Re e Dibrës do të kalojë nga Tirana në Zall-Dajt, Qafë-Murrizë, Guri i Bardhë, Klos, Qafë-Buall e më pas kalon në rrugën ekzistuese në Bulqizë. Rruga që kërkojnë dibranët aktualisht ekziston, por është një rrugë e kategorisë së dytë. Kjo rrugë është ndërtuar që në vitin 1938 nga italianët, por ajo kërkon një investim të ri pasi është e vështirë për t’u kaluar nga mjetet. Realizimi i këtij segmenti kushton rreth 27 milionë dollarë dhe ndërtimi i saj zgjat një vit. Realizimi i këtij projekti shkurton 83 kilometra, itineraret Tiranë-Klos-Bulqizë (Peshkopi), Bllatë-Dibër e Madhe-Gostivar-Tetovë. Kjo rrugë sipas dibranëve ka rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike, kulturore dhe kombëtare, dhe i shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë integrimit ndërshqipar.

“Pocesti i kurbetit”

Ja shikon atë malin aty, shumë kohë më parë ka qenë një kishë. Priftërinjtë nga vendasit thirreshin Popa. Më pas, me ardhjen e banorëve të rinj, tashti mori emrin Pocest”,- tregon një burrë i moshuar për fshatin ku ai ka lindur dhe është rritur. Dhe më tej rrëfen se Pocesti, po me emigrantë është ngritur, po me kurbetin ka lidhje. Fshati ka rreth 400 shtëpi të vendosura rrëzë malit “Gaberr”. Dhe ashtu i mbështetur bri malit, të krijon përshtypjen e një kalaje që sa herë shembet aq herë ngrihet. “Si zonjat e Pocestit”, shumë kush përdor këtë krahasim, kur do të tregojë femrën delikate dhe të përkëdhelur.

Rrugët me kalldrëm të japin menjëherë përshtypjen e një fshati të lashtë. Dhe në të vërtetë historia e zonës fillon që para erës sonë. Shtëpitë janë vendosur përbri njëra-tjetrës, të ndara në rrugica. Sapo hyn në fshat, pjesë e komunës së Maqellarës, ndeshesh më atë që Dibra vetë dallohet. Rrugët, që në orët e para të ditës, janë të lara dhe të pastruara. Po aq të pastruara janë brenda mjediset e populluara. Ajo që sot e bën më të veçantë fshatin Pocest, është kurbeti. Janë 650 të rinj që kanë emigruar në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër dhe Amerikë. Shumë prej tyre janë larguar nga Pocesti që në moshën 11 vjeç, duke krijuar mundësinë e punësimit në Maqedoni. Prej andej janë larguar në Evropë. Pothuajse të gjitha familjet jetojnë me të ardhurat e emigrantëve. Por nuk është e thjeshtë. Ndërsa gëzojnë ato çfarë u sjellin djemtë, natën qajnë dhe mendojnë për fatin e bijve. Drejt Xhamisë në qendër të fshatit, ditën e premte, sheh grupe njerëzish gra e burra që shkojnë të falen dhe të luten për jetën e atyre larg shtëpisë. Tek dëgjon grimca historie të Kurbetit, drithërohesh.

Një grua me katër fëmijë sot është në Angli. Arjana dhe burri i saj morën tri herë rrugën për të shkuar në Itali me skaf. Herën e tretë Arjana me katër fëmijët e vegjël nga skafi bie në thellësitë e detit. Ishin djemtë e fshatit, të nisur bashkë në udhë, që mundën të shpëtojnë jetën e gruas dhe të fëmijëve. Ndërsa Idrizi, 29 vjeç, nuk u kthye më në Pocest. Kishte pesë vjet që punonte në Itali dhe me të ardhurat kishte mundur të ndërtonte dy shtëpi në fshat. Ai vendosi që të kthehej përgjithmonë në vendin e tij. Ndërsa u tha të afërmve se do udhëtonte dhe një herë drejt Italisë për të punuar edhe tre muaj, e paratë do t’i përdorte për të blerë orenditë shtëpiake, vdes në momentin që hidhet nga skafi. Ky është Pocesti që ngrihet me gjakun dhe djersën e 650 të rinjve, jashtë kufijve të Shqipërisë./ Teuta Shamku dhe Anila Prifti/

SHKARKO APP