Thoma Gëllçi: Kundërshtari ynë kryesor është keqpërdorimi i pushtetit

(Botuar me 16 Maj 1996 në KOHA JONE)

Intervistë me kryeredaktorin e “ZP”, Thoma Gëllçi, kandidat për deputet i PS në Tiranë

Zoti Gëllçi, ju jeni kandidat në të njëjtën zonë elektorale me Brojkën e PD e Bushatin e PDK. Ndërsa ky i fundit është shprehur se do të “ndeshet” vetëm me Brojkën, ju kë quani kundërshtarin më të fortë?

Në këtë zonë elektorale në të cilën unë kam kandiduar, nuk janë vetëm tre kandidatë. Përveç atyre që përmendët ju, janë edhe shumë kandidatë të partive të tjera, si p.sh. Odise Grillo që përfaqëson Partinë Republikane, Kosta Qirjazati që përfaqëson Partinë e të Drejtave të Njeriut. Gjithashtu ka edhe kandidatë të tjerë. Nuk mendoj pra se vetëm Gëllçi, Brojka dhe Bushati janë kandidatët që ndeshen. Për sa i përket deklaratës së Bushatit, që e përmendni ju unë nuk e kam dëgjuar apo lexuar, por nuk mendoj që ai të mos jetë aq realist dhe të mos pranojë se në këtë fushatë zgjedhore ndeshen jo banorët e lagjeve me njëri tjetrin, por kandidatët që përfaqësojnë partitë. Dhe është e natyrshme se edhe në zonën elektorale nr. 51 të Tiranës, dy partitë kryesore që do të ndajnë fitoren janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Dhe respektivisht, edhe kandidatët: unë dhe Albert Brojka. Unë i vlerësoj të gjithë kundërshtarët e mi si njerëz me reputacion dhe me emër në fushat e tyre të veprimit. Nuk mundem që të vë njërin përmbi tjetrin, siç edhe nuk mundem dhe nuk është në karakterin që të përgojoj njërin apo tjetrin. Unë përfaqësoj Partinë Socialiste që për mendimin tim është partia më e madhe dhe më e besueshme në vend.  Partia Socialiste ka një alternativë të qartë dhe konkrete qeverisjeje dhe ajo do t’i fitojë këto zgjedhje. Ajo nuk përpiqet që të marrë pushtetin e Partisë Demokristiane apo të Partisë Agrare. Pushtetin sot e ka Partia Demokratike, përfaqësues i së cilës është Albert Brojka. Kjo parti është kundërshtari kryesor i partisë që unë përfaqësoj dhe njëkohësisht kandidati përfaqësues i saj është kundërshtari im kryesor. Por unë mendoj se Partia Demokratike është tashmë një forcë e konsumuar, pa alternativa të reja qeverisje. Njerëzit nuk e besojnë më atë, janë të lodhur nga lufta pa pushim me mullinjtë e erës, janë të lodhur nga monizmi i ri, janë të lodhur nga kulti i ri. Nëse do të ishin në ndeshje dy partitë, Partia Demokratike është një kundërshtar i dobët. Problemi është se ne kemi kundër, të gjithë mekanizmat e shtypit që përdoren ndaj nesh në mënyrë antiligjore. Kemi kundër policinë, prefekturat, kryepleqtë, komisionet e zgjedhjeve, televizionin e shtetit, paratë e shtetit, makinat e shtetit. Pra, kundërshtari ynë kryesor është keqpërdorimi i shtetit. Njëkohësisht, theksoj se keqpërdorimi i shtetit është edhe një nga dobësitë kryesore të kundërshtarit tonë. Partia Demokratike paraqitet si një parti pa alternativa të reja qeverisje dhe i ka mbetur të përdorë vetëm disa mekanizma që i zotëron përkohësisht. Njerëzit janë të lodhur nga ekstremizmi, janë të lodhur nga mungesa e së drejtës.

Cilat janë problemet dhe premisat për t’i zgjidhur ato në zonën tuaj?

Problemet e zonës numër 51 ku përfshihen lagjet 28, 29, 30, 31, 41 dhe 42 të kryeqytetit janë të ngjashme me problemet globale që shqetësojnë popullsinë qytetare dhe sidomos atë të Tiranës. Problemet kryesore të zonës numër 51 janë papunësia, strehimi, pronësimi, ndihma sociale, pensionet, mungesa e ujit, çrregullimet në drita, balta në rrugë, pisllëku masiv etj. Kuptohet që unë nuk jam magjistar dhe nuk kam asnjë shkop magjik që të zgjidh problemet që shqetësojnë gjithsecilin. Unë në takimet që kam bërë me zgjedhës, kam theksuar se çelësi i zgjidhjes së problemeve edhe për të ardhmen do të mbetet puna e lirë e njerëzve të lirë në pronën e tyre të lirë. Ne do të garantojmë drejtësinë duke ndërtuar një administratë korrekte dhe ligjore, që asnjë demokrat, në pushtetin socialist, të mos pushohet nga puna edhe pse është demokrat; që asnjë demokrat të mos privohet nga e drejta e pronës, vetëm se nuk është socialist, që asnjë demokrat të mos jetë i privuar nga e drejta për kredi, strehim, pronësim, vetëm se mbron bindjet e veta politike. Programi i PSSH është konkret për probleme të ndryshme të rëndësishme si punësimi, strehimi, pronësimi, emigracioni etj., por do të ishte e tepër të zgjateshim në një intervistë. P.sh. për emigracionin thuhet konkretisht se me të marrë pushtetin PS do të hapë zyra emigracioni në Itali e Greqi. Në të dy këto vende qeverisin të majtët që kanë mbajtur vazhdimisht qëndrim dashamirës ndaj emigrantëve shqiptarë. Kuptohet që një qeveri e majtë në Shqipëri do sillte një liberalizim të theksuar të problemit të vizave e sistemit në punë.

Si do të jetë Thoma Gëllçi politikan?

Ashtu siç është edhe Thoma Gëllçi gazetar, edhe Thoma Gëllçi njeri. Unë rreth 10 vjet gazetar dhe nga këto, 4 vjet i kam si kryeredaktor i gazetës “Zëri i Popullit”. Unë kam bërë shumë shkrime të cilat nuk është e thënë që t’i kenë pëlqyer të gjithëve për pikëpamjet që transmetonin. Por askush deri më sot nuk më ka thënë që kam bërë ndonjë shkrim jo të sinqertë.  Për ata që më njohin, nuk mendoj se njohin Thoma Gëllçin tjetër në zyrë, tjetër në kafe, tjetër në mbledhje. Unë jam i bindur se po të zhvillohej një votim jashtë politikës, edhe në kolektivin e “RD” unë do ta fitoja atë.

Ju jeni prej kohësh kryeredaktor i “Zërit të Popullit”. Mendoni se do të votoheni vetëm për kontributin që i keni dhënë shtypit të PS?

Mendoj se do të votohem edhe për drejtimin e gazetës “Zëri i Popullit” që është sot një gazetë e madhe dhe autoritative, moderne dhe cilësore, siç mendoj se do të votohem edhe për mbrojtjen që i kam bërë lirisë së shtypit dhe shokëve të mi gazetarë të përndjekur. Mendoj që do të votohem dhe për shumë çështje penale të dështuara me turp ndaj meje dhe gazetës që drejtoj; edhe për mbrojtjen që i kemi bërë të papunëve, të pastrehëve, të spastruarve politikisht, të papronëve; për mbrojtjen që u kemi bërë veteranëve, luftës së tyre, jetës së tyre.  Mendoj se do të votohem edhe për dëshmorët dhe heronjtë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, për mbrojtjen e përditshme që i kemi bërë veprës së tyre përballë përbaltjes shtetërore. “Zëri i Popullit” gjatë gjithë kësaj kohe në opozitë ka qenë zëri i protestës dhe i alternativës, i kritikës dhe i zhvillimit, i ndihmës dhe i pasurimit. Në anën tjetër, unë jam një kandidat si gjithë të tjerët që përfaqësoj një program të caktuar politik: atë të Partisë Socialiste. Kuptohet se do të votohet për mua, sepse do të votohet edhe për programin e partisë e cila më kandidon.

Disa deputetë të PS i kanë “ngacmuar” deri në thyerje zyrash apo tërheqje zvarrë. Mendohet se gjatë këtyre dy javëve mund të përsëriten edhe me të tjera skena të ngjashme?

E theksova edhe më lart, përballë nesh qëndron keqpërdorimi i shtetit dhe i disa mekanizmave të verbra të dhunës. Këto veprojnë sistematikisht në bazë të një logjike të mbrapshtë. Në Tiranë kapen dhe rrihen eurosocialistë sepse shpërndajnë materialet propagandistike të PS, në Fier ndalohet në polici dhe rrihet një qytetar sepse ka hequr nga muri një fletë fyese për Partinë Socialiste, ku shkruhej “PS është prostitutë”. Në Tiranë mbushen muret dhe xhamat e vitrinave deri edhe të institucioneve shtetërore me parulla të PD dhe policë me uniforma dhe pa uniforma dhe pushtetarë të vegjël e të mëdhenj kërcënojnë dhe grisin çdo material propagandistik të PS.  Kulmin e arritën në Tiranë me ndalimin dhe tërheqjen zvarrë të deputetëve dhe kandidatëve për deputet. Unë mendoj se këto do të vazhdojnë edhe në të ardhmen,  bile me intensitet të shtuar.  Por gjithashtu mendoj se kjo do ta thellojë humbjen e PD dhe fitoren e PS.

Kryeredaktori i “Zërit të Popullit” dhe tre gazetarë kandidohen për në Parlamentin e ardhshëm. Po ashtu edhe gazetarë të gazetave të tjera. Mendoni se aftësia për të luftuar dhe pse jo edhe për të gënjyer varet nga cilësia e gazetarit sot?

Gazetarët janë njerëzit që janë marrë më aktivisht me politikë gjatë këtyre viteve të fundit. Ata shpeshherë kanë dalë mbi mendimin e të quajturve politikanë, kanë dhënë zgjidhje dhe kanë analizuar situata të caktuara, tepër të rëndësishme. Gazetarët kanë mbajtur qëndrime të matura dhe në kohën kur politikanët i kanë fryrë tensioneve. Kandidimi i katër gazetarëve nga “Zëri i Popullit” është një vlerësim që Partia Socialiste i bën punës së tyre. Kurse kandidimi i shumë gazetarëve të shumë gazetave është edhe tregues se një brez i ri politikanësh po rritet e këta rriten edhe në gazetë.

Besoni se me marrjen e pushtetit nga PS, gjithçka në Shqipëri do të ndryshojë si në përrallë për mirë?

E kam theksuar edhe më përpara se asgjë nuk ndodh si në përrallë. Gjendja do të ndryshojë jo pse do të zëvendësohen njerëzit në administrata, ajo që do të ndryshojë është mekanizmi që vë në lëvizje këtë administratë dhe këtë mekanizëm shtetëror. Njerëzit kanë nevojë të kenë një shtet ligjor që nuk i trajton disa të nënës e të tjerë të njerkës. Kjo mund të realizohet vetëm nga bashkëpunimi i shumë forcave politike. E ripërsëris se përqendrimi i pushtetit në një forcë të vetme, qoftë edhe kjo Partia Socialiste s’do të bënte gjë tjetër veçse do të përsëriste fajet e PD. Dhe nuk ka më kohë për të përsëritur gabimet.

Besoni se është i mundshëm një koalicion paszgjedhor?

Partia Socialiste është shprehur hapur për nevojën e bashkëpunimit në qeverisje dhe jashtë saj për të ndryshuar për mirë shoqërinë shqiptare. Partia Socialiste kur është shprehur kështu nuk ka bërë demagogji. Nevoja e bashkëpunimit është shprehje force dhe vitaliteti, karakteristika këto të forcave politike të përgjegjshme. Në PS nuk ka njerëz që lidhen me njëri tjetrin në marrëveshje xhentëlmenësh. Aty ka njerëz që i kanë lidhur bashkë idealet e përbashkëta dhe programi i partisë. Unë mendoj se bashkëpunimi është i mundshëm sepse nuk është i varur nga dëshirat e njërit apo të tjetrit, por nga vetë thelbi i alternativës sonë.

Ju shpreheni i sigurt në fitoren e Partisë Socialiste. Ndërkohë, para pak kohësh në gazetën tonë, rivali juaj kryesor, Brojka i PD është shprehur në të njëjtën mënyrë por në të kundërtën e saj, se Partia Socialiste nuk do të vijë kurrë në pushtet. Si e gjykoni ju këtë deklaratë të rivalit tuaj?

Pikërisht në këtë deklaratë të tij tregohet thelbi se përse Partia Demokratike do t’i humbë me siguri zgjedhjet e afërta. Nuk mundet që njerëzit shqiptarë të durojnë më termin “kurrë” dhe pikërisht mbi këtë etje të pashuar për pushtet është mbështetur pjesa më e madhe e kritikave ndaj PD. Citoj këtu edhe një thënie të Rexhep Qoses kur thotë se “Një forcë që përpiqet me çdo kusht të mbajë pushtetin, duhet të largohet me çdo kusht nga pushteti”.  Ky deklarim është një nga ekstremizmet e Brojkës që unë e kam quajtur në një shkrim “ekstremizëm i huazuar”.  Njerëzit në PD janë nën pushtetin e njëshit: kur Berisha thotë se PS nuk do të vijë kurrë në pushtet, Brojka dhe të tjerët nxitojnë ta argumentojnë këtë dhe sot shohin një lloj drejtuesi kallëp të PD që flet, mendon dhe vepron si njëshi. Shqiptarët do të votojnë kundër PD pikërisht që të mos kthehet në asnjë mënyrë koha e njëshit  në jetën dhe politikën e tyre. Berisha dhe të tjerë në PD kanë futur thellë psikologjinë se nëse do të humbë pushtetin PD-ja do të ndodhë hataja! Njëlloj si PPSH-ja në ditët e fundit.

Intervistoi: Jonila Godole

 

SHKARKO APP