Tish Daija: Lukë Kaçaj, historia e kolosit të pafat

(Botuar me 1 tetor 2001 në KOHA JONE)

Nga Tish Daija

Viti 1941. Një grup operistik italian i përbërë nga artistë të njohur (ndër to nuk më harrohet Marie Kamilja, një ndër sopranot më të mëdha të kohës) kishte ardhur për të dhënë shfaqje operistike në disa qytete të Shqipërisë. Në Shkodër interpretuan pjesë nga operat më të njohura të lirikës botërore: “Traviata” dhe “Rigoleto” të Verdit; “Bohemë” të Puçinit, “Carmen” të Bizesë dhe “Cavalleria” kishin brenda vetes nga një tablo ku interpretonin dhe këndonin fëmijët. Italianët këto tablo i kishin hequr, pasi e kishin pasur të vështirë të sillnin me vete një grup fëmijësh për të interpretuar dy episode të vogla, të cilat duke u hequr nuk dëmtonin shumë operat.

Prenk Jakova gjatë shfaqjeve në Tiranë, para se trupa të vinte në Shkodër, kishte biseduar me drejtuesit italianë dhe kishin vendosur që këto dy episode muzikore t’i përgatiste grupi ynë i fëmijëve, kështu që për dy net radhazi, u bëmë pjesëtarë të grupit operistik “Carro di Tespi liriko” ku publiku shkodran, përveç artistëve italianë na duartrokiti edhe ne.

Kurse tani (fjala ishte për kur kishin arritur në Odesa) përpjekja për të ndjekur një shfaqje të tillë nuk ishte vetëm një dëshirë, por kërkesë e vazhdueshme për të zgjeruar njohuritë dhe kulturën muzikore, së cilës ne do t’i kushtonim gjithë jetën. Përfaqësuesi i ambasadës sonë, i cili na priti në Odesa, u interesua pranë teatrit dhe, drejtoria, me shumë mirësjellje na siguroi dy ftesa për një ndër veprat më të bukura e më të njohura të baletit botëror “Liqeni i mjelmave”, vepër e kompozitorit të madh rus Çajkovski. Mbetëm të mahnitur. 

Fëmijëria…

Ishte viti 1932, kur pranë korit të kishës Françeskane në Shkodër, nën udhëheqjen dhe drejtimin e padër Filip Mazrekut, u grumbulluan një grup fëmijësh të talentuar 6-7-vjeçarë, shumë prej të cilëve vite më vonë do të forconin themelet dhe do t’i jepnin një zhvillim të shpejtë dhe të fuqishëm muzikës profesionale shqiptare. Në këtë grup ndër më të spikaturit qenë: Lukë Kaçaj, Simon Gjoni, Çesk Zadeja, Zef Gruda, mes tyre dhe unë autori i këtyre radhëve, si dhe mjaft të tjerë.

Në ndihmë të padër Filipit u afrua dhe Prenk Jakova, më i rritur se ne (ish-pjesëtar i grupit 10 vjet më parë). Ai krijoi dhe drejtoi bandën muzikore të fëmijëve. Pjesëmarrja jonë në jetën artistike të korit dhe të bandës na bëri me krahë për një zhvillim të shpejtë dhe të gjerë të kulturës muzikore dhe na e rriti pasionin për artin. Në repertorin e korit kishim pjesë muzikore kishtare nga Bah, Hengel, Bethoven, Perosi, Nidrisht etj., kurse në koncertet e bandës, përveç pjesëve popullore shqiptare të përpunuara nga Prenk Jakova, ne ekzekutonim dhe shumë arie, korale dhe valle nga operat më të njohura dhe më të bukura të letërsisë muzikore botërore, si të Verdit, Vagnerit, Puçinit, Bizesë, Leonkavalos, Belinit, Moskanjit etj.

Shpesh padër Filipi me ndihmën e famullitarëve françeskanë që jetonin e punonin në malësitë e Veriut, organizonte me grupin tonë pushime turistike dyjavore në Theth, Vermosh, Razëm, ku, ne, përveç bukurisë përrallore të këtyre bjeshkëve, filluam të shijojmë dhe të njohim tek burimi këngët, vallet, kostumet mahnitëse të malësorëve të Dukagjinit, Kelmendit, Pultit etj.

Në këtë mjedis muzikor kaq të ngrohtë dhe të mahnitshëm, së bashku me ne u rrit dhe u edukua artistikisht dhe Lukë Kaçaj. Ai ishte bir i këtyre anëve. I ardhur 6-vjeçar nga Malësia e Madhe, i brishtë në trup, pak i frikësuar dhe disi i mënjanuar, me afrimin, zemër ngrohtësinë dhe insistimin tonë, djali kaçurrel filloi dalëngadalë të hyjë në botën e tingujve e notave dhe të bashkohej natyrshëm me grupin tonë çapkën shkodran, të papërmbajtur, të gëzuar e të qeshur gjatë pushimeve, por tepër të rregullt e të vëmendshëm gjatë provave në kor e sidomos gjatë interpretimit në kishë apo në koncerte.

Dalëngadalë Luka disi i heshtur, papritmas shpërtheu në mënyrë të vrullshme. Mori pamjen e një qytetari, u rrit e u burrërua jo vetëm në paraqitje, por në kulturën muzikore. Nga Malësia, vendi nga kishte zbritur, gjatë gjithë jetës i ngeli si veçori dalluese një buzëqeshje e ëmbël dhe e pastër si ujëbardha e burimeve që ia shtonte edhe më shumë atë tingëllimin e bukur “Burrë malësie, besa e Zotit”.

Deri në moshën 12-13 vjeç, Luka ka pasur një zë të vogël e të ëmbël sopranoje. Kur kaloi 14 vjetët, me kapërcimin e moshës së “pubertetit”, zëri i tij u transformua krejt. Filloi të trashej, të forcohej e të dramatizohej sa gati nuk u besonim veshëve tanë. Në rrethet muzikore profesioniste shkodrane, filluan të kuptojnë se Luka po shndërrohej në zë basi të veçantë. Maestrot e pasionuar të muzikës korale e operistike të Shkodrës po ngazëlleheshin për ardhjen e këtij zëri në truallin e këtij qyteti me tradita kulturore. Duke e bashkuar këtë vokal me talentin, kulturën dhe muzikalitetin, s’kishte më asnjë dyshim se Shqipëria, bota muzikore e asaj kohe, edhe pse në mjedise të varfra të zhvillimit ekonomik, do të gëzohej e do të mburrej me një zë të kalibrit të lartë. Me vullnetin dhe pasionin e tij, Luka filloi të studiojë e të përgatisë një seri ariesh të basit nga operat më të njohura të klasikëve të muzikës botërore, disa prej të cilëve filloi t’i interpretojë me shumë sukses në koncerte të ndryshme në Shkodër.

Ansambli dhe muzika

Në vitet e para pas çlirimit, Lukën e thirrën për të kryer shërbimin ushtarak. I mrekullueshëm Gaqo Avrazi, krijuesi dhe shef i Ansamblit të Ushtrisë Popullore në atë kohë, e mori menjëherë pranë tij duke i krijuar të gjitha mundësitë për atë kohë që Luka të mund të studionte, të punonte dhe të pasuronte repertorin e tij, duke dhënë koncerte shumë të suksesshme brenda dhe jashtë atdheut. Ishte fundi i gjysmës së parë të shek XX. Në orën 11 të darkës (natën e vitit të ri), unë e Luka përsëri së bashku iu ngjitëm shkallëve të vaporit “Plehanov” dhe në 5 të mëngjesit, më 1 janar 1951 vapori mori udhëtimin drejt ish-BS, ku ne po shkonim për të studiuar në konservatorin prestigjioz “Çajkovskij” të Moskës. Pas dhjetë ditë udhëtimi arritëm në Odesa. Kishim dëgjuar se qyteti i Odesës kish një teatër opere e baleti shumë të bukur, kopje e atij të Vjenës, mbasi i kishte projektuar i njëjti arkitekt. Ishim “të uritur” për të ndjekur një shfaqje të plotë opere ose baleti. Mundësitë për të parë e dëgjuar një gjë të tillë në vendin tonë ishin shumë të varfra në atë kohë.

Drejt kryeqytetit të muzikës ruse

Të nesërmen me tren u nisëm për në Moskë. Ishte 11 janari. Moska na priti me të ftohtë, borë dhe akull. Ditët e para ishin të vështira. Ecejaket në ambasadë, në konservator, në konvikt, etj, na e futën të ftohtit në palcë. Luka në atë kohë, i gjatë e i rritur, ishte mjaft i dobët fizikisht dhe e përballonte me vështirësi acarin rus. Dëshira e madhe dhe e papërmbajtur për të ndjekur sa më parë e sa më shpesh operat e baletet në teatrin “Balshoj”, na bëri që ne të zgjoheshim në pesë të mëngjesit dhe të zinim radhën pranë teatrit me orë të tëra në atë të ftohtë të tmerrshëm për të siguruar biletat për shfaqje. E gjitha kjo u shndërrua në një kujtesë të lodhshme sidomos në jetën e Lukës.

Fiziku i tij nuk e përballoi dot këtë ngarkesë disi të rrëmbyer të viteve të rinisë, të dhënë gati çmendurisht pas muzikës, pas interpretimit. Në atë kohë ai sëmuret. Mushkëritë nuk i rezistuan. U shtrua në spital ku filloi kurat e para. Pas një përmirësimi të vogël e dërguan në një sanatorium në periferi të Moskës. Megjithëse ishte larg, shokët nuk e harruan asnjëherë. Shkonin me radhë për ta parë dhe për t’i ndenjur pranë.

Pranvera e atij viti të parë të studimeve e gjeti të përmirësuar pothuajse krejtësisht. Nisi të ndjekë rregullisht mësimet. Që në fillim u dallua talenti i tij, freskia, ëmbëlsia dhe potenca e zërit, kultura vokalo-muzikore, serioziteti dhe përpjekja për të ecur me shpejtësi përpara drejt majave të lirikës operistike. Filloi të zgjerojë repertorin si dhe të marrë pjesë me sukses në koncertet e mëdha që organizonte herë pas here dega e kantos së konservatorit.

Guri i rëndë në vend të vet, por…

Mbas studimeve ai u kthye në atdhe si solist i teatrit të Operas dhe Baletit, ku interpretoi me shumë sukses ariet më të bukura të operave klasike si ato të Rosinit, Verdit, Moxartit, Musorgsit, Ballakirievit e deri tek ajo e Gjinit tek opera “Mrika” e Prenk Jakovës. Një interpretim të shkëlqyer i ka bërë Luka romancës me lahutë të Ç. Zadesë “ O, ju male”, në filmin “Skënderbeu”.

Pas kthimit në Shqipëri, Luka mori pjesë në dy turne artistike në Moskë e në Pragë, ku pati një sukses të bujshëm. Çekët e ftuan të qëndronte pranë teatrit të tyre, kundrejt një shpërblimi shumë të madh. Por ai nuk pranoi. Unë, thoshte ai, – i duhem Shqipërisë dhe Shqipëria më duhet mua. Ndërsa Luka u mbyll në vendin e vet, Kolën, bullgarët e dërguan menjëherë në një festival të muzikës lirike në Paris, ku ai fitoi medaljen e arit. Këngëtari bullgar, miku dhe shoku i Lukës, nga Parisi filloi të frekuentojë teatrot e operave më të mëdha të botës, duke fituar eksperiencë në kontakt me dirigjentë, artistë dhe muzikantë të mëdhenj, duke rritur kështu aftësitë e tij interpretuese, sa arriti të konsiderohej një ndër basët më të mëdhenj të kohës.

Ndërsa ai rritej, Luka qëndronte pak a shumë në vend, pasi kontaktet me kulturën muzikore perëndimore ishin të mbyllura dhe repertori i teatrit tonë të operas ishte mjaft i ngushtë. Nuk mjaftoi kjo, por për dy fjalë të pakontrolluara u akuzua për “agjitacion e propagandë” dhe u burgos. Kjo ishte tragjedia më e madhe në jetën artistike të Lukë Kaçajt. Edhe pas lirimit nga burgu, atij iu prenë marrëdhëniet me muzikën. Edhe me ndërhyrjet e shokëve për ta sistemuar diku si pedagog i kantos, ku ai me talentin dhe eksperiencën e tij shkëlqente, nuk u arrit dot gjë.

Vdekja e parakohshme e bashkëshortes, bukuroshes Ana, e cila në rininë e vet në Shkodër konsiderohej një “Miss” i vërtetë, e gjunjëzoi Lukën shpirtërisht e fizikisht. Ai pothuajse u mbyll në vete. Iu prenë të gjitha marrëdhëniet me artin dhe muzikën. Larg artit dhe muzikës, duke e ndjerë veten të braktisur nga qëllimi kryesor për të cilin kishte punuar dhe jetuar, u vetizolua. Gjithë ky stres e dobësoi shumë. Duke mbetur në një gjendje të tillë, iu shfaq përsëri sëmundja e rinisë, e cila kësaj radhe e mposhti përfundimisht artistin e madh, i cili kishte dhënë kaq shumë për vendin tonë dhe kishte marrë aq pak.

Udhëtimi i fundit

Sipas dëshirës së tij, udhëtimi i fundit iu bë në Laç të Kurbinit pranë familjeve të vëllezërve të tij. I braktisur nga arti dhe kultura, atij iu gjetën pranë vetëm një grup i vogël nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku bënin pjesë shokët më të ngushtë. I rrethuar nga një mori e madhe malësorësh e malësoresh të fisit tij të Malësisë së Madhe, që kishin ardhur deri lart te shkëmbinjtë e malit të Laçit, e përcollën në banesën e fundi.

Megjithatë mund të gjendej një orë në fuajenë e Teatrit të Operas, ku shokët, miqtë, kolegët e dashamir mund t’i bënin homazhet e fundit ku populli i kryeqytetit, popull dashamirës dhe artdashës i Tiranë ta kishte përcjellë me pikëllim e adhurim artistin e madh që aq shumë e deshi, aq shumë e respektoi dhe aq shumë e duartrokiti. Ky fund nuk ka hije për një kolos të rërit shqiptar, për një interpretues virtuoz, për një njeri me zemër madhe, me humor e dashamirësi si Lukë Kaçaj. Megjithatë nuk është vonë për të reflektuar e nderuar këtë figurë të vendit, të muzikës shqiptare. Vetë kombi nderohet dhe ka nevojë për personazhe të tilla që zënë vend të respektuar në historinë shqiptare.

 

SHKARKO APP