Tonin Çobani: Flet Dritero Agolli për veten e tij
(Botuar me 1 nëntor 1998 në KOHA JONE)
Nga Tonin Çobani-
Ne nuk bëmë një intervistë me pyetje të përgatitura më parë. Bëmë një bisedë të lirë. Ajo filloi në sallonin e pritjes të shtëpisë së Dritëroit. Rastësisht biseda nisi për vjehrrat e mira. Ai tha: janë të mira dhe të këqija. Ndërsa, kur Sadija u fut me tabaka në dorë, vjehrrat ishin vetëm të mira.
Unë kam pasur vjehrra të thjeshta. Vjehrra ime është 86 vjeçe, duket akoma e re, është një grua e mençur që i pëlqen akoma të vishet bukur dhe të paraqitet mirë përpara njerëzve. Ndonëse nuk e ka lexuar Oskar Uajld, ajo shkon me mendimet e tij, që plaku duhet të vishet bukur.
Ju keni vazhduar shkollën jashtë kufijve të Shqipërisë që në moshën e adoleshencës. Ç’mbresa ju ka lënë kjo periudhë jashtë?
Unë jam një djalë me prejardhje fshatare. Njeriu i moshuar, që sigurisht ne e quajmë me përkëdheli i moshuar, kur ai është plak, i mban mend të gjitha gjërat e rinisë, dhe ju kur të bëheni në moshën time do t’i kujtoni gjërat e rinisë.
Kam qenë student në Leningrad, nuk kam qenë djalë i shoqërive mondane në jetën e studentëve, nuk dija të kërceja, nuk kam qenë i futur në jetën e qejfeve apo në jetën e një rinie që kishte dëshirë për të kërcyer, të merrej me sport, të merrej me gra, me vajza, apo të lozte lodrat e rinisë. Në rininë time kam qenë një i ri shumë i mbyllur, jo i hapur shumë, pavarësisht se kisha dëshira të mëdha, por këtë gjë e quaja si të pamoralshme, meqenëse isha një djalë nga fshati. Një djalë nga fshati ka një mentalitet tjetër, ka mentalitetin e jetës fshatare, isha mësuar me zogj, me pula, me dele.
Të mungonin këto atje?
Sigurisht që më mungonin, se atje ishte qytet, por mua më mungonin dhe do të kisha dëshirë që t’i merrja me vete, por nuk mundja.
Kritika e ka rënduar pak si shumë Dritëroin me fshatin?
Në të vërtetë është rënduar pak nga kjo anë, sepse ata nuk e kanë kuptuar se unë e kam gërshetuar jetën e fshatit me atë qytetare. Unë nuk shkruaj as për fshatarët, as për kategori të caktuara, për qytetarët, proletarët. Unë shkruaj për shpirtin e popullit. Shpirti i popullit për mua do të thotë që të gjesh një ekuilibër. Që të kesh mundësi të pasqyrosh atë, që është e përgjithshme për të gjithë njerëzit. Ndryshe bën dashuri një qytetar dhe ndryshe një fshatar. Që në kohën e Homerit dashuria po ajo ka qenë, po e njëjta. Unë nuk mund të ngul këmbë që nuk ndryshon. Ajo ndryshon, se ndryshe e kupton një fshatar femrën dhe ndryshe një qytetar në kuptimin e pamjes së jashtme. Psh, fshatari i thotë se je si mollë, je si shegë, kurse qytetari e do të zbehtë, elegante, tjetër lloj. Kuptimi i bukurisë është i ndryshëm. Mua më pëlqen një femër e gjatë, e shëndetshme, e fortë, që të jetë tamam, të mos jetë si një fletë preshi e zierë. Tjetrit i pëlqen pak dinake, pak lozonjare, një tjetri një tjetër… Kjo është pamja e ndryshme si fizik, por ndjenjat e brendshme janë të palëvizshme ose lëvizin ngadalë. Dëshira për ta tërhequr tjetrin është ndryshe. E kam fjalën që unë vajta në Leningrad me këto koncepte. Shokët e mi ishin nga qyteti. Unë i kam mbaruar studimet shkëlqyeshëm.
Dritëroi i rinisë e ka patur një peng të rinisë së tij të hershme?
Kisha një si hakmarrje, një farë egoizmi, meqë unë rridhja nga një ambient tjetër. Doja të tregoja se edhe unë jam shumë i zoti. Ndonëse vija nga këto shtresa të fshatarësisë doja të isha i zoti dhe mund të bëja çudira.
Dhe mendoni se i keni bërë këto çudira?
I kam bërë, deri sa jam figurë e shquar e vendit në letërsi.
A ekziston sot në krijimtarinë tuaj një dëshirë si hakmarrje?
Një artist e ka ndjenjën e hakmarrjes (këtu nuk kam parasysh hakmarrjen primitive të dikurshme), por për të marrë hak ndaj padrejtësive, ndaj atyre që duan medeomos të të përulin, që ngulin këmbë që ti të bëhesh si presh i zierë. Duhet të jesh njeri i papërkulur në art që të jesh koshient për artin tënd. Jo të mos ndjesh dobësitë e tua. Por të jesh koshient që të thuash që këtë linjë arti kam dhe kjo është e drejtë. Ta quash të drejtë të drejtën tënde që vepron në këtë mënyrë.
Ku keni ju ndonjë padrejtësi që e mbani tunduese?
Shiko unë kur kam qenë nxënës në shkollën e fillores në Bilisht dhe më pas në atë të mesme në Gjirokastër. Ne që vinim nga fshati, megjithëse Shqipëria është fshat i gjithi pothuaj, atëherë na thoshin. Kjo më prekte në sedër. E dyta ishte, që, duke thënë këtë gjë, na ngushtonte nga jeta e njerëzve më modernë të qytetit që vallëzonin, sepse ne dinim vetëm valle popullore dhe unë akoma nuk kam mësuar.
Nuk të ka pëlqyer apo nuk i mësoje dot?
Nuk dal nga natyra ime. Nuk kisha pse ta mësoj një gjë që nuk më vlente ta mësoja. E treta, unë nuk kam qenë i bukur: kisha një hundë të madhe, isha i dobët dhe nuk më afroheshin vajzat. Por edhe unë nuk u afrohesha atyre. Që të afroheshe me to, duhet të kërceje. Unë nuk kërceja. Duhet të bisedoje. Unë nuk bisedoja. Duhet të ishe i veshur mirë dhe të ishe simpatik. Unë nuk isha. Atëherë unë vendosa të marr hak: do të bëj poezi që këta t’i “lajthit”.
A keni patur një vajzë që ka mbetur imazhi juaj ideal?
Po, po kam pasur. Që në shkollë, në Bilisht edhe në Gjirokastër në ’47 kam botuar vjershën e parë. Meqë nuk ia dal me këto gjëra dale t’i çudit me të tjera. Pas botimit të parë më tregonin me gisht. Vajzat kthenin kokën: ja ky është ai që ka botuar, sepse atëherë asnjeri nuk botonte. Ky do të na bëjë çudira. Në Gjirokastër po ashtu, kështu unë mora nam. Kështu që unë i tërhoqa ato dashur pa dashur me këtë guximin fshatarak timin. E para për të realizuar një krijimtari të mirë është inati, më duket këtë e thotë Orwell, e dyta është ambicia politike, sepse në kuptimin politik. Të merresh me politikë do të thotë të mos pajtohesh me gjendjen e ngrirë: kërkon që të ndërrosh. Të gjithë shkrimtarët merren me politikë. S’ka shkrimtar që të mos merret me politikë. Domethënë shkrimtari pa politikë nuk bën, sepse nuk kërkon reformim, sepse letërsia të ndryshon. Të thuash mos u merr me politikën, sepse duhet të merret dikush që duhet ta ketë monopol dhe ti të rrish sus ndaj asaj politike dhe të të bëjnë qorr ty, ky mendim, që ka mbetur, është reaksionar, i poshtër. Ai nënshtron popullin që të mos merret me politikë dhe ti ta sundosh si atëherë edhe tani.
A e keni ndjerë ndonjëherë veten keq nga gratë?
Pa bezdisje femrash nuk mund të… Në kuptimin jetësor dhe filozofik nuk mundet që një njeri, një burrë, një mashkull, ta themi në shqip, nuk mund të jetë indiferent ndaj seksit të bukur, apo jo? Ata që thonë se jemi indiferentë janë gënjeshtarë të mëdhenj dhe njeriut çdo gjë e bukur i pëlqen. Ai, edhe kur është tepër namuzqar dhe tërhiqet, mendjen e ka atje. Edhe i vjetri, i lashti Solomon i donte vajzat, shumë bile. Prandaj në këtë kuptim është. Ajo që thatë ju a të bezdis apo të bien në qafë, vajzat dhe gratë e bukura…. Mua më bien shumë në qafë vajzat dhe gratë e bukura, në këtë kuptim, sepse mua më pëlqejnë ato, më pëlqejnë t’i shoh si kushdo, por në atë kuptimin tjetër ka patur edhe shumë gra që kanë dashur një miqësi me mua por unë, por unë… se më ka ikur ajo ndjenja e dikurshme tepër namusqare, në gjithë këto trazira të botës që kam kaluar, tre katër regjime, tashmë jam mësuar me këto punë… E keqja është se duhet këto rënie më qafë të ishin dikur se tani është vonë.
Ku e vendos Dritëro Agolli veprën e tij “Trëndafil në gotë”?
Unë e quaj si një nga romanet e mia më të mirë, por ai nuk është kuptuar, sepse merrej me një temë të vogël që letërsia jonë e atëhershme nuk e pranonte.
Është një roman që është në konflikt me të gjitha gjërat. Vetë personazhi kryesor ishte në konflikt me artin. Personazhi kryesor ishte në konflikt edhe me rregullat e realizmit socialist në art kjo ndihet deri në detaje. Ai ishte një roman shumë i mirë dhe me që ishte shumë i mirë atë e kanë pasur inat, e kanë sulmuar.
A ka ndërmend Dritëroi të shkruajë diçka tjetër si “Trëndafil në gotë”?
Kam kaq plane, por kam edhe një të tillë afërsisht. Më vjen keq se një nga shokët e mi e ka kritikuar nga smira që ishte shumë i mirë. Ai u sulmua nga M. Shehu, R. Alia. Ishin këta të parët që e sulmuan këtë roman. Unë e kam shkruar atë si një kundërpeshë. Pastaj ai roman është shkruar sipas metodës së ndërgjegjes, domethënë pa lidhje, me një thyeshmëri.
A mendoni ta ribotoni?
Mund ta ribotoj.
Po tek Zyloja çfarë ka individuale?
Individualisht është gjithë jeta e zyrave, kjo jeta me përgjegjësit.
A ke ndier autocensurë gjatë kohës që e shkruaje Zulon?
Kur e kam shkruar unë nuk e kam nisur për ta botuar dhe s’kam patur asnjë lloj ëndrre për botim. Një pjesë të madhe të librit, nja 100 faqe, unë i kam shkruar në Shëngjin, sepse ai ishte plazhi që më pëlqente. Aty unë nisa të shkruaj pa e ditur që do të ishte apo jo roman. Sadia më thoshte se këto që shkruan janë të pabotueshme por unë e bëja që të qeshja kur isha me miqtë, pra për një rreth jo për ta botuar. Kryeredaktori i Hostenit që sapo ishte emëruar në këtë post Niko Nikolla më thotë unë dua ta transformoj Hostenin dua ta bëj ndryshe a ke ndonjë gjë humoristike për ta botuar.
A ka qenë gruaja juaj, Sadia, censurë për krijimtarinë tuaj?
Në këtë rast kishte një farë frike. Po censurë ishte. Ajo është mërzitur, sepse u botua pa i dhënë lejen dhe në të ishte një shef i saj që i ngjante Zylos dhe u krijuan probleme. (Ndërhyn Sadia). Të gjitha honoraret e Zylos shkonin për të pirë në pijetore, po të paktën munda ti marr vetë një ditë këto honorare dhe i bleva Dritëroit një kostum sepse do të shkonte në Kinë dhe nuk kishte kostum.
A ka qenë ajo engjëlli yt mbrojtës Sadia?
Po, po. Zyloja vazhdonte të botohej dhe unë nuk e kisha mbaruar. Kështu që ai botonte dhe unë shkruaja. Më rastisi që vajta në Kongo dhe një kapitull të Zylos unë e kam shkruar atje në Afrikë. Për këtë roman E. Hoxha nuk ka mbajtur ndonjë qëndrim as mirë as keq, por kur ishte duke vdekur ai i tha të shoqes, Nexhmies, ma lexo atë roman për Zylon. Mbase nuk kishte dashur ta lexonte, vjershat i lexonte. Nexhmia tregon se ai qeshte me të.
A ka shkruar ndonjëherë Dritëroi për kompromis apo për hatër?
Unë nuk kam shkruar asnjëherë për hatër edhe kur kam shkruar dhe kam përmendur në vjersha E. Hoxhen, unë e kam besuar dhe nuk e kam bërë për hipokrizi. Unë e kisha për një gjë të madhe që ai të më merrte në telefon, s’kam pse të gënjej. Por ai nuk më ka marrë asnjëherë mua në telefon, vetëm Mehmet Shehu. Ne nuk kemi qenë miqësisht në shtëpinë e tij apo privatisht.
Kanë qenë të tjerë ata shkrimtarë që vinin privatisht për dreka dhe për darka.
A ka ndonjë vepër që do të donit ta ripunonit për këto arsye?
Poemën “Nënë Shqipëri”, vetëm se kam një sedër të tillë që nuk kam dëshirë t’i transformoj veprat për të krijuar alibira. Unë kam merak se ka disa gjëra në këtë poemë që mund të mos viheshin, sepse kam përmendur atje Todi Lubonjën, Paçramin, Belishovën. Për këtë u kam kërkuar të falur. Nëse do ta botoj, do ta pastroj nga këto gjëra.
Po në rrethet miqësore ku keni hasur fyerjen?
Një herë një miku im nuk më ftoi në dasmë në fshat sepse unë isha i Partisë Socialiste. Kjo më ka lënduar keq.
Ku e keni ndjerë vetën ngushtë?
Kur ende nuk ishte afirmuar demokracia. Kur mbajta fjalën në kongresin e 10 dhe një herë tjetër kur më është dashur që në prani të E Hoxhës të thosha diçka për të mbrojtur të drejtën. Kam përmendur në këtë rast Turqinë që i dha të drejtën të tre vëllezërve Frashëri, kurse ne… Kjo ka ndodhur në vitin 1973. Kur thashë fjalën time brenda meje qëndronte ankthi se mos mendonin që unë “shaja” socializmin dhe mbroja Turqinë. Po do të kujtoja që e kam ndjerë ngushte veten edhe kur isha i fejuar me Sadien dhe babai i saj i fryrë nga fjalët e të tjerëve se unë pija nuk donte që ne të martoheshim.
A të thotë Sadia të mos pish raki?
Ajo ma thotë këtë, por unë nuk e dëgjoj, sepse unë pi kur kam mbaruar punën e jo kur punoj, sepse kur shkruaj kam nevojë të jem i freskët.
Përgatiti Tonin ÇOBANI