Tonin Çobani: Gjergj Fishta edhe diplomat

(Botuar me 13 shtator 1998 në KOHA JONE)

Nga Tonin Çobani-

  1. Në kohën kur jetonte dhe krijonte Gjergj Fishta, një shkrimtar duhej të ishte më tepër se shkrimtar. Ajo kohë kërkonte veprimtarinë për t’i dalë zot çështjes kombëtare në front të gjerë. Rilindësit ishin lëvrues të gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, historianë, folkloristë, publicistë dhe po kaq edhe poetë e shkrimtarë.

Në vazhdën e rilindësve frati Gjergj Fishta nisi veprimtarinë e tij si mësues dhe kur u bë drejtor i shkollës së françeskanëve në Shkodër, realizoi mësimin e të gjitha lëndëve në gjuhën shqipe (1902). Së bashku me Preng Doçin, abatin e Mirditës, organizuan shoqërinë kulturore-atdhetare “Bashkimi” (1899) që kishte si synim kryesor krijimin e një alfabeti mbarëkombëtar. Si përfaqësues i kësaj shoqërie, Fishta mori pjesë në Kongresin e Manastirit (1908) dhe ishte Kryetar i komision të Hartimit të alfabetit të cilin përdorim edhe sot e kësaj dite. Veprimtaria e tij u dendësua në vitet 1910-1912 në mes të malësorëve kryengritës. Mund të thuhet se ishte njëri ndër drejtuesit e lëvizjes për shpalljen e Pavarësisë. Më pas themeloi revistën tanimë të vlerësuar prej të gjithëve “Hylli i Dritës” (1913) e më pas gazetën “Posta e Shqypnis” (1916) ku shquhet për shkrime të guximshme e programatike. Ai ishte botues, piktor, arkitekt, autor dhe organizator i shfaqjeve teatrore etj.

Kur krijohej shteti shqiptar, Fishta pa e ndërprerë këtë veprimtari ashtu si dhe krijimtarinë e vet kaq të gjithanshme letrare, u bë politikan (si deputet i rrethit të Shkodrës u zgjodh nënkryetar i parlamentit të parë shqiptar) dhe diplomat.

Ndoshta aktiviteti i tij i parë si diplomat duhet konsideruar ai i vitit 1911, kur së bashku me imzot Serreqin dhe dom Bumçin, ndërmarrin bisedime në Podgoricë me Komitetin “Pro Albania” për të mbështetur malësorët e Veriut. Më pas ai do ta përfaqësojë Shqipërinë si anëtar delegacioni në Konferencën e Paqes në Paris, në konferencat ballkanike në Athinë, Stamboll, Bukuresht ose edhe në takime speciale si në Romë (Vatikan), Pragë, Bruksel, Angli e SHBA.

  1. Konferenca e Paqes zhvilloi punimet e saj nga janari i vitit 1919 deri në mars 1920. Ajo do të bënte bilancet e Luftës së Parë Botërore dhe do të merrte vendime historike për shtetet pjesëmarrëse në të. Për Shqipërinë që ende nuk e kishte gëzuar pavarësinë e shpallur më 1912, vendimet e kësaj Konference do të ishin kufijtë e shtetit shqiptar të rrudhur që kemi edhe sot. Por për t’ia arritur kësaj, nuk ishte kaq e lehtë. Mjafton të kujtojmë grindjet e zakonshme të krerëve shqiptarë që pretendonin pushtetin dhe lakmitë e shteteve fqinje, që, megjithëse lufta konsiderohej e përfunduar, mbanin të pushtuar thuajse pjesën më të madhe të territoreve shqiptare. Përballë qeverive provizore që dolën nga Kongresi i Durrësit (dhjetor 1918) dhe Kongresi i Lushnjes (janar 1920) qëndronte qeveria në mërgim i Esat Pashë Toptanit. Ndërsa në favor të interesave lakmitare të shteteve fqinje, zienin pazarllëqet diplomatike pranë Fuqive të Mëdha.

Në këto rrethana, përgjegjësia e atyre njerëzve që përfaqësonin Shqipërinë në këtë tubim ndërkombëtar, ishte e madhe. Kryetari i qeverisë së atëhershme të dalë nga Kongresi i Durrësit, Turhan Pashë Përmeti, u vu fillimisht vetë në krye të delegacionit dhe zgjodhi pas vetes njerëzit më me reputacion nga Jugu dhe Veriu i Shqipërisë, njerëz të besimeve të ndryshme, përfshirë dhe dy klerikë: imzot Lugj Bumçin, ipeshkëv i Lezhës dhe At Gjergj Fishtën, poetin më popullor në Shqipëri. Sekretarë kishte Luigj Gurakuqin dhe Mustafa Krujën. Si anëtarë të tjerë ishin: Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Dr. Turtulli dhe Mehmet Konica, të gjithë njerëz të kulturuar, por me pak përvojë diplomatike. Vetëm Turhan Pashë Përmeti kishte përvojë si diplomat i Stambollit në Rusi, por ai kryetar qeverie, që përfaqësonte në këto rrethana të disfavorshme Shqipërinë, nuk dinte shqip. Dhe, për misionin e këtij kjo nuk ishte gjë e vogël. Aq më tepër, kur në gjuhën e kundërshtarëve nuk përmendej shteti shqiptar, por Turqia e Vogël e Ballkanit.

Delegacioni shqiptar mbërrin në Paris nga fillimi i prillit të vitit 1919. Gjatë rrugës, Gjergj Fishta së bashku me Luigj Bumçin do të bëjnë një ndalesë në Vatikan ku do të takohen me kryetarin e urdhrit françeskan dhe nëpërmjet tij arritën të pranoheshin në audiencë nga Papa Benedikti XV (6 mars 1919). Ndoshta që këtu fillon veprimtaria politike për Konferencën e Parisit e të dy klerikëve. Ata i paraqitën Papës gjendjen e Shqipërisë dhe arritën t’i shkëpusin premtimin “Kam me ba çmos, çka të mundem për me ju ndihmue…” për shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës që sipas projekteve të pashpallura të kancelarive evropiane të atëhershme do t’i liheshin Greqisë.

Në Paris, në mes të anëtarëve të delegacionit shqiptar u vunë re qëndrime të ndryshme. Turhan Pashë Berati u tërhoq dhe në krye të delegacionit la ipeshkvin Luigj Bumçi. Ndoshta ky ishte veprimi më atdhetar i tij në favor të çështjes kombëtare, sepse një klerik katolik ishte më i pranueshëm për diplomacinë evropiane sesa një ish-diplomat i Perandorisë Osmane. Gjergj Fishta si sekretar i Lugj Bumçit bëhet në shumë drejtime figura e dytë e rëndësishme e delegacionit shqiptar në këtë Konferencë ndërkombëtare me rëndësi historike për të ardhmen e Shqipërisë. Roli i tij vetëm sa mund të merret me mend, ndërsa ka mbetur si dokument teksti i ligjëratës që u mbajt në Konferencën e organizuar në Universitetin Katolik të Parisit për të sensibilizuar caqet intelektuale me problemin shqiptar.

3.”Shqiptarët dhe të drejtat e tyre” u shkrua nga Gjergj Fishta italisht. Luigj Bumçi e kreu në frëngjisht. Në vitin 1921 botohet në gjuhën shqipe si libër më vete në shtypshkronjën françeskane të Shkodrës. Deri më sot, në Shqipëri, ky dokument i rëndësishëm për historinë e popullit tonë është lënë pothuajse fare në harresë. Ndoshta qëndrime të tilla subjektiviste ndaj vlerave të së kaluarës stimulojnë atë pështjellim politik që vihet re në praktikat qeverisëse të një vendi të vogël si rasti i Shqipërisë. Kujt nuk i ka interesuar asnjëherë e vërteta e njohjes së Shqipërisë si shtet i pavarur evropian? Kujt nuk i ka vlejtur veprimtaria e atyre shqiptarëve që punuam me përkushtim për ta kthyer “Turqinë e Vogël të Ballkanit”, siç u quajt për pesë shekuj Shqipëria, në një shtet shqiptar? Kujt i bie ndesh shembulli i Ismail Qemalëve që refuzuan të gjitha privilegjet perandorake për flamurin kombëtar, shembulli i Luigj Gurakuqëve që shkrinë pasurinë e jetën e tyre për një qeveri të ndershme për shqiptarët, shembulli i Fan Nolëve, që, si Moiseu i Biblës, e dëshiruan tokën e premtuar derisa rrojtën? Do të mjaftonte ky libërth që u vihet sot në dorë lexuesve për të kuptuar rolin e njërit prej fatosave që e bënë Shqipërinë, jo që ta gëzojnë për vete, por që të gëzojnë se Shqipëria u bë, siç thoshte vetë Gjergj Fishta.

Teksti i konferencës është shkruar me kulturë. Stili klasik, figurat retorike, shqyrtimi analitik, shembujt nga historia, citimet etj. dëshmojnë jo vetëm horizontin e gjerë të autorit, por edhe përkushtimin e tij serioz për çështjen kombëtare. Forca argumentuese, nervi herë i përmbajtur e herë i ashpër polemik, dëshmojnë, nga ana tjetër, talentin dhe ndjeshmërinë e skajshme qytetare të tij për të drejtat legjitime të një populli të lashtë të Evropës, si Shqipëria. Nuk mungojnë njohuritë e thella për historinë, etnografinë, folklorin, gjuhësinë, letërsinë e, në përgjithësi, për albanologjinë që shpalosen njëra pas tjetrës në dobi të qëllimit diplomatik të konferencës. Kush tjetër si Fishta do ta bënte këtë gjë më me kompetencë? Ndoshta vetëm një institut i specializuar apo akademi kombëtare.

Ajo çfarë do t’u kumtojë lexuesve të sotëm ky libërth, është fakti se, jo gryka e pushkës, si është thënë deri tani, e ka shoqëruar shqiptarin ndër shekuj, por, krahas saj, edhe kultura e tij, geni i mençurisë, çmimi për drejtësi. E pra, kanë ç’të mësojnë prej këtij konkluzioni fishtjan edhe politikanët e diplomatët e sotëm shqiptarë” resurset kryesore të një populli të vogël, që ka mbijetuar ndër shekuj, janë vlerat e tij kulturore. Pa ato vlera Evropa do të kishte diçka mangët, Shqipëria do të ishte e humbur.

Te “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne” Fishta argumenton nevojën e krijimit të një shteti shqiptar të përcaktuar brenda kufijve të vet etnikë e gjeografikë. Për këtë ai sjell fakte historike, duke përmendur Lekën e Madh (Aleksandrin e Maqedonisë), Burrin (Pirron e Epirit), Gencin (Mbretin e Ilirisë, Skënderbeun (Kalorësin e Krishtërimit) etj., citon personalitete të njohura të kulturës që nga antikiteti deri te bashkëkohësit e tij, polemizon me kundërshtarët duke renditur fakte të shumta dhe duke arsyetuar me gjuhën e auditorit të cilit i drejtohet.

Ligjërata e Konferencës ndërtohet kryesisht si përgjigje ndaj disa tezave false të atëhershme, sipas të cilave shqiptarëve u mungonte aftësia shtetformuese. Megjithatë në të trajtohen mjaft probleme të albanologjisë, të cilat paraqesin interes të veçantë për informacionin që sjellin dhe mënyrën origjinale të trajtimit.

Së pari, duke u mbështetur në historinë e popullit shqiptar, Fishta i kundërvihet me forcë lojës diplomatike që luhej në atë kohë në kurriz të popujve të vegjël. Ai arrin në përgjithësime të rëndësishme për epërsinë e historisë mbi fatet e popujve: “Historinë e kemi aty, Zotnitë e mi, që na flet qartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a gjysmë zyrtare”.

Së dyti, Fishta argumenton se ndërgjegjja kombëtare e popullit shqiptar dëshmohet me ndjenjën e lirisë dhe dëshirën që ai popull ka patur vazhdimisht për të jetuar dhe për t’u zhvilluar “mbi vetvete, brenda qarkut të fuqive të veta”. Më tej ai konkludon me një shprehje poetike: “Ç’se mbi tokë nisen të derdhen lot, ç’se mbi botë forca ia zu vendin të drejtës e hipokrizia qeveritare filloi me u pi gjakun popujve, balli madhështor i shqiptarit s’iu përkul kurrkujt, përpos se Zotit të vet. Qenë po, pushtues mbi Shqipni, por nuk ka qenë zotnues mbi shqiptarë”.

Së treti, pika më e fortë në historinë e shqiptarëve, Skënderbeu, trajtohet prej Fishtës si kundërthënie. Qëllimi i luftërave të Skënderbeut nuk ishte fetar, por i shtyrë prej ndërgjegjes kombëtare. Këtë e vërteton fakti se Skënderbeu në “mos me atë mëni, luftoi me aq trimni kundër venecianëve sa kundër turqve, atëherë kur veneciantë deshën të pushtonin viset të reja në Shqipni” Dejên e Drishin”.

Si kundërthënie hidhet edhe ideja tjetër e Fishtës “se shqiptarët gabuen e gabuen randë fort, tue u çue asokohe kundër Turqisë. Turku ia njohu Shqipnisë një farë autonomie; na la gjuhën e kanunet tona -e kurrkund s’lexohet në histori se ky mbiti qindra mijëra shqiptarë njëheri, sado që kombi hog zi a si asht ma zi prej tij”.

Përkundrazi, fqinjët, Serbia e Greqia, që në Konferencën e Paqes luanin nën rrogoz me kartën e “civilizimit” kundër popullit shqiptar “të pacivilizuar”, sipas tyre, kryenin krime monstruoze. Fishta denoncon gjenocidin e shovinistëve sllavë në Veri të Shqipërisë dhe të vorioepirotëve në Jug (370 fshatra të Jugut u dogjën prej tyre vetëm sepse banorët dëshmonin se ishin shqiptarë), ndërhyrjen e Forcave shumëkombëshe në Shkodër, pushtimin e Vlorës nga italianët dhe intervencionin austro-hungarez të 1916-s.

Së katërti, interpretimi i kanunit të shqiptarëve nga Fishta në këtë ligjëratë i kalon kufijtë e argumentit oratorik. Autori, pasi thekson rolin e kanunit në ruajtjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve në kushtet e pushtimeve të gjata, si ai i osmanlinjve, trajton “punën e gjakut – la vendetta”.

Gjakmarrja kanunore nuk është shenjë e barbarisë apo e kanibalizmit të shqiptarëve. Ajo është ndëshkimi me vdekje për një vrasje, është një vendim si çdo vendim i dhënë nga një gjykatë evropiane. Kryetarët e bajraqeve zbatonin kanunin, të cilin e njihnin si legjislacion në territoret shqiptare edhe sulltanet e Stambollit. Në këtë kuptim, vrasja e gjakësit “nuk ban gja tjetër, veçse çon në vend një ligj… është një veprim i ligjshëm e nuk mund të quhet hakmarrje – vendetta”, ashtu sikurse edhe francezët bënë kur ia prenë kokën Luigjit XVI për të çuar në vend një ligj të formuluar prej tyre kundër monarkut të vendit.

Ajo çfarë e bën këtë arsyetim të Fishtës të mbetet i patejkaluar nga interpretimet e derisotme është përcaktuar në thënien e tij: “Të marrunit e gjakut buron prej rrethanave (mndorjeve) të përjashtme e prej të metave të organizimit shoqëror të një kombi, e jo gjithmonë prej gjendjes (gjejet) shpirtnore të tij”. Me fjalë të tjera, gjakmarrja qoftë si një veprim i ligjshëm kanunor, qoftë si hakmarrje primitive, nuk mund të justifikohet si një instinkt kolektiv i një popullsie të tërë. Në të dy rastet gjakmarrja është rrethanë e jashtme siç ka qenë për shqiptarët gjatë periudhës së pushtimit osman, ose mungese organizimi shoqëror, si u rishfaq gjatë viteve ’90 të periudhës së tranzicionit.

Së pesti, Origjinale është teza e Fishtës se “vetëm para kuptimit të kombit shqiptar fjala shqiptar shënon kombësi … Ajo shënjon popullin që banon n’Albanije ose në Shqipëri”. Ai nënvizon me këtë rast se në territoret shqiptare jetojnë shumë fise shqiptarësh që për shkak të rrethanave të jashtme nuk u është bërë e mundur deri atëherë të organizohen së bashku në një shtet të vetëm. Por edhe kjo, vëren më tej ai, nuk do të thotë se nuk janë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë, nëse u krijohen rrethana të favorshme për t’u organizuar etnografikisht e gjeografikisht.

Së gjashti, për të përcaktuar psikologjinë e shqiptarit, Fishta është ndalë në poezinë popullore shqiptare. Vargjet e poetit anonim lartësohen jo vetëm përballë vargjeve popullore të legjendave sllave që u kushtohen carëve, por, veçanërisht, sepse “shqiptari në poezitë e veta nuk këndon për të tjerë: ai këndon për vete”, “këndon lirisht si të ishte vetëm ai mbi botë”, poezia e tij “është nji odë e rendit të parë”.

Së shtati, Gjuha, për Fishtën, është kriteri bazë përcaktues i një kombi, veçanërisht për shqiptarët, që flasin një gjuhë si të asnjë populli tjetër. Dhe kufijtë e Shqipërisë do të shtrihen deri në ato anë ku njerëzit flasin këtë gjuhë. “Gjuha imponohet (tatohet) ose me forcë të armëve ose me forcë të kulturës e të qytetërimit. Shqiptari s’ka qenë më i fortë se popujt, që ka fqinjë (përbri). Prandaj s’ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare; dhe se për këtë arsye shteti shqiptar do të shtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe”.

Së fundi, logjika e Fishtës mbështetet në informacionin e gjithanshëm të tij për historinë dhe kulturën e popujve të Evropës, përfshi edhe Francën ku zhvillohet ligjërata. Kjo epërsi përcakton edhe kurajën për tì thënë gjërat me gjuhën e tyre sado e hidhur që të tingëllojë ajo. Për të mbrojtur kërkesën e ligjshme të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes së Parisit për Kosovën, Çamërinë dhe trojet shqiptare në Mal të Zie gjetkë, Fishta citon një politikan bashkëkohës i cili thotë: Po pse francezeve nuk u mbushet mendja me heqë dorë prej Alsas-Lorenës?” dhe më tej .. për me kenë burra fjalët, na duhet me thanë edhe për Shqipninë atë çka themi për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Versajë, etj”. Dhe e mbyll ligjëratën Fishta me sentencën proverbiale të Rusoit që kishte thënë se është bërë zakon “me u shndërrue Zot të popujve. Ani, por pyetini më parë, mos tjetër këto bagëti njerëzore!”

  1. Ligjërata e Gjergj Fishtës “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne” mund të klasifikohet si një ndër modelet e eseistikës shqiptare. Megjithëse kanë kaluar rreth 80 vjet nga koha kur u shkrua, përmbajtja e saj, faktet dhe shumë nga argumentat që shtjellohen mbeten aktuale. Me qëllim që lexuesi të komunikojë më lirshëm me gjuhën e bukur fishtjane, jemi munduar ta afrojmë tekstin me ortografinë e sotme duke mos e prekur në thelb gjuhën e bukur origjinale të autorit të “Lahutës së Malcis”.

Tonin Çobani, studiues

SHKARKO APP