Tonin Çobani: Historia e të madhit Gjergj Fishta

“Unë jam Pater Gjergj Fishta/Që shkon botës tue ngjitë bishta”

Nga Tonin Çobani-

Në letërsinë shqiptare nuk gjendet një shkrimtar tjetër, si Gjergj Fishta, rreth të cilit të jenë krijuar kaq shumë anekdota. Kjo shpjegohet, sa me faktin se Fishta ka qenë i prirë ndaj humorit e batutave të befasishme, sa me popullaritetin që kishte ai që në gjallje si poet himnizues dhe fshikullues, si frat i devotshëm e shpotitës, si shqiptar i zgjuar e “dreqi vetë”.

Anekdotat për Fishtën krijoheshin nga vetë ai, sepse kishte një aftësi të lindur për të treguar bukur dhe me humor episode të jetës së tij të përditshme, sado të hidhura e dramatike që të kishin qenë ato. Të tjerë i përcillnin gojë më gojë e brez pas brezi “bëmat gazmore” të Fishtës, duke shtuar e munguar, sa në kohët tona nuk dihet më nëse janë origjinale apo të krijuar nga të tjerë që e kanë njohur ose jo Fishtën.

Pavarësisht nga kjo, fakti që ato qarkullojnë ende sot e kësaj dite, tregon se mbartin dëshmi të rëndësishme biografike dhe një qëndrim të veçantë receptiv të veprës së tij letrare e shoqërore. I pari që la diçka të shkruar për këtë aspekt të figurës së Fishtës është Stefan Shundi, ndërsa Dr. Stefan Çapaliku në veprën e tij “Fishta satirik” (Shkodër, 1995) mendon se, përmes anekdotave të krijuara nga Fishta, mund të zbulohen veçori improvizuese të satirës së tij shoqërore.

  1. Pater Gjergji jam se jam

Gjergj Fishta është emri i një prifti françeskan nga Zadrima, që filloi të botojë poezi që në dhjetë vjetshin e fundit të shekullit të kaluar. Me “Lahutën e Malcis” ai u cilësua “Homeri i shqiptarëve”; me “Mrizin e Zanave” dhe “Vallen e Parrizit”, një Gëtë; me”Judën Makabe” dhe “Jerinën”, një Shiler; me “Anzat e Parnasit” dhe “Gomarin e Babatasit”, një Juvenal dhe me të gjithë veprën e tij, “një enciklopedi e tërë për kulturën e gjerë që përmban vepra e ti j historike, letraro-artistike, folklorike, etnogrtike” (R. Qosja).

Ai u zgjodh edhe “Akademik i Italisë”. Anekdota thotë se, kur i dhanë këtë titull, Fishtën filluan ta thërrisnin “Ekselenca e Tij”

Patër Gjergj patër…- i drejtohet një i njohur, por menjëherë kujtohet,- më falni që habitshëm nuk përdora titullin që ju përket. Nuk ma prek zemrën tymnaja e “Eccellenzës”, unë patër Gjergji, që kam qenë, jam se jam. Por ai ishte edhe ironik me ato që e meritonin. Gjatë një bisede teologjike ia pret fjalën një tip i lehtë e fodull.

-Patër Gjergj, po kur ta mbyllim hermetikisht njeriun e vdekur në arkivol, nga do t’i dalë shpirti?

-Edhe ti, lum miku, e ke trurin të mbyllur hermetikisht, megjithëse mendët të kanë dalë jashtë se

  1. Paaa, sa… paskam hangër!

Si anëtar i Shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku, si kryetar i Komisionit të Hartimit të Alfabetit, foli rreth një orë e gjysmë duke lënë impresione të thella te të gjithë delegatët. Hoxha i Manastirit e përqafoi me lot në sy. Është më i pari që futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në shkollën që ai drejtoi, në këtë vazhdë themeloi gjimnazin françeskan dhe udhëhoqi botimet shkollore në shtypshkronjën qe ai vetë solli në Shqipëri. Organizoi shfaqje teatrore, ekspozita të arteve figurative ku mori pjesë dhe u çmua si piktor dhe ka lënë shumë projekte të realizuara si arkitekt.

Ngriti një biblioteke, të parin muzeum në Shqipëri dhe disa laboratorë për përgatitjen shkencore të nxënësve. Fëmijët i donte shumë, veçanërisht, kur tregonin zgjuarsi natyrore. Në një rrugicë të Gjuhadolit (lagje në Shkodër) takon një fëmije me bark jashtë.

Çfarë ke këtu, more burrë?- e pyet Fishta duke ia prekur barkun me gisht. Kam buke,- përgjigjet fëmija me lehtësi.

– Paaa, sa bukën e paske hanger!

– Po ti çfarë ke aty? e pyet fëmija duke ia drejtuar gishtin tregues barkut të fryrë të fratit.

– Unë kam mut,- desh ta befasonte fëmijën Fishta.

Paaa, sa mutin e paske hanger, ia ktheu fëmija pa e ditur se me cilin kishte të bënte. Ndërsa Fishta u largua duke parë barkun e vet e duke thënë: “Paaa, sa… paskan hanger!”

Ndërsa me një të ri fshatar i ngjau afërsisht kështu:

Një ditë pranverore Fishta po mblidhte barishte dhe lule të sapoçelura në një lendinë jashtë kuvendin të Troshanit ku kishte shkuar si zakonisht për pushime. Një lopçar i ri i shpjegonte me kompetencë emrat e luleve. Në një çast ai pyeti:

– Pater Gjergj, e kuptoj se lulet duhen për kishën, po ato jeshillëqet përse vlejnë? Janë shumë të mira për t’u ngrënë, – u përgjigj Fishta.- Sa mirë!- shtoi i riu. – Asoj ke kudo, sepse përveç lopëve vetëm frati i ha.

  1. Ma mirë pulpat e grave zbulue, se me topallue

Ata që e kanë njohur At Fishtën tregojnë se ishte tepër autoritar ne predikimet e tij. Ai të imponohej me elokuencën dhe thellësinë e trajtimit të argumentit. Por ishte edhe njeri i veprimit. Kur iu vra i vëllai, Fishta, ndonëse frat i ri, u shkëput nga kuvendi dhe u doli para burrave të fisit të vet, që ishin nisur për të marrë gjak: ndaluni burra! Ndaluni ose në sulm burra, Gjergj Fishta do t’u drejtohet shqiptarëve në publicistikën e tij që përmblidhet në qindra faqe proze ku trajtohen plagët e shoqërisë shqiptare të kohës.

Ai themeloi dhe drejtoi revistën prestigjioze “Hylli i Dritës” dhe gazetën “Posta e Shqypnis”. Bashkëpunoi me shumë revista e gazeta të kohës duke i dalë zot me zgjuarsi çështjes kombëtare. Kur Fuqitë e Mëdha hynë në Shkodër, Gjergj Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në majën e kambanares së Kishës së Fretërve për të treguar se ky qytet nuk mund të ndahet nga Shqipëria. Komandanti i trupave të huaja, koloneli anglez Filips, urdhëroi ta hiqnin menjëherë, përndryshe kërcënoi se do ta qëllon te me top.

– Ju falënderojmë, për nderin që po i bëni Flamurit tonë Kombëtar,- iu përgjigj Fishta me qetësi,- atij me të vërtetë i ka hije me u përshëndetë me topa.

Megjithëse me petkun fetar veshur, në thelb Fishta ishte për një shoqëri të emancipuar. Tregojnë se në inaugurimin e fabrikës së çimentos në Shkodër Fishtës iu ngatërrua zhguni i gjatë deri në fund të këmbëve në një rryp transmisioni. Me këtë rast, Fishta e dëmtoi kaq shumë këmbën sa e bëri të ecte çale-çalë gjatë gjithë jetës.

Kur një frat i ri po u thoshte besimtarëve se nuk është e moralshme për një grua ta mbante fustanin aq të shkurtër sa t’i zbuloheshin pulpat e këmbëve, Fishta e ndërpret:

– Po, more, po, por mua desh më la fare pa këmbë zhguni i gjatë. Besimtarët heshtën. Gratë e reja dhe vajzat pyetën me sy.

– Ma mirë pulpat e grave zbulue, – qeshi me vete Fishta,- se me topallue.

  1. Mos na lashtë Zoti pa myslimanë

Fishta merr pjesë aktive në luftën për shpalljen e Pavarësisë dhe aktivizohet në jetën politike të vendit. Si diplomat përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, në konferencat ballkanike si dhe në veprimtari ndërkombëtare në Pragë, Londër, Nju Jork, Vatikan etj. Por edhe të huaj vinin shpesh për ta takuar. Diplomatë, gazetarë, shkencëtarë donin të takoheshin dhe të bisedonin me fratin aq popullor të Shkodrës.

Në një prej këtyre takimeve një gazetar anglez e teproi duke përsëritur se shqiptarët katolikë nuk mund të shpresojnë te shqiptarët myslimanë në luftë kundër pushtuesve osmanë. Fishta i revoltuar e ndërpret: Besë e nder e burrëri shqiptare, dhe mos ná lashtë Zoti kurrë pa myslimanë.

Ndërsa baronesha gjermane, Maria Amalia von Godin, e pyeti at Fishtën me tendencë:- Po sikur shqiptarët ta humbisnin lirinë? Atëherë Bjeshkët e Malësisë kishin me plasë prej dhimbet, ia kthen Fishta.

Erudicioni i fratit shqiptar shpesh herë ishte befasues për të huajt. Erdh te pater Gjergji një gazetar francez për një intervistë lidhur me komunitetin katolik në Shqipëri.

Biseda zgjati kaq shumë sa, kur u ndanë, gazetari tha: Erdha të kontaktoj fratin, gëzohem se gjeta poetin, filozofin e pedagogun.

  1. Lalë Krosët

Si deputet i Shkodrës, Fishta mori pjesë në Parlamentin e parë Shqiptar ku u zgjodh nënkryetar. Duke qenë opozitar me Ahmet Zogun, kur dështoi Revolucioni demokratiko-borgjez, Fishta ka qenë larguar nga Shqipëria. Me ndërhyrjen e miqve të tij dhe, si duket, duke pranuar ndonjë kompromis, u kthye në Shqipëri pas tre vjetësh. Atëherë Zogu e kishte forcuar pushtetin e vet dhe Fishtën e trajtonte me një kujdes të veçantë. Pikërisht në këtë kohë një bashkëfshatar i drejtohet Poetit për lirimin e të birit, dënuar me burgu të përjetshëm për vrasje. Fishta i premton se do të pyeste se mos përfitonte gjë nga amnistia që kishte shpallur mbreti Zog në atë kohë. Kur u ndodh në Tiranë, ai bisedoi me Musa Jukën, ministër i punëve të brendshme dhe me ministrin e atëhershëm të drejtësisë, por nuk zgjidhi gjë. E, kur ishte duke e lënë këtë punë, një mik e këshillon t’i drejtohet deputetit Abdurrahman Krosi (Lalë Krosit).

Me Lalë Krosin, që kishte një pushtet absolut në sajë të lidhjeve fisnore me mbretin, Fishta takohej për herë të parë. Sa ia paraqiti problemin, tjetri ngriti telefonin:- Jam unë këtu, Abdurrahmani, Musa Efendi (Musa Jukë). Shiko! Asht një farë… i dënuem dhe i burgosur në Shkodër për një vrasje. Kam fol me mbretin dhe ai m’ka thanë me të ngarkue ty me e lirue atë me një herë prej burgut… Si the?.., Prokurori?… Dekreti?…

Unë po të jap urdhrin e mbretit e nuk due me dij për prokuror e dekret. Dekreti vjen ma vonë. Ti jepi urdhër prefekturës qi ta qisin atë me doemos prej burgut të marrmen urdhrin tand telegrafik. Të mer vafsh!

E gjithë kjo, Fishtës iu duk një komedi e vërtetë, prandaj, kur iu lut Lalë Krosi t’ia ngjiste ndonjë “bisht” (Kështu e njihte ai poetin: “Ti je Gjergj Fishta që shkon botës tue njitë bishta”), ai formuloi vargjet e famshme:

“Lala Kros, Lala Kros,

Vet shkruen e vet vulos,

Ty askush s’të thotë se mos”

Tipa të tillë Fishta i qesëndiste në çdo rast. Anekdota thotë: Në oborrin e kuvendit bridhte një derk i vogël. Një fshatar që donte muhabet, duke parë nga derku, i drejtohet pater Gjergjit: Zoti e di kur bëhet njeri. Unë ia mbaj mendjen me e ba derr e jo njeri,- ia kthen Fishta duke parë nga fshatari.

  1. Evropa, pështjellimi i poetit?! (Në vend të intermexos)

Gjithmonë më kanë pështjelluar fjalët “kurvë” dhe “shkërdhyer me evrej të Parisit dhe Londonit”, me të cilat Gjergj Fishta ka cilësuar politikën evropiane ndaj shqiptarëve si në poezinë “Surgite mortui!”(Ngrihuni, të vdekur!):

Shqyptarë, a ndiet? Evropa, mrrutë e ndytë,

Shkërdhue me Evrej t’Purisit e t’Londonit, (Së cilës dreqi ia plasi të dy sytë

E marren ma s’e sheh, njitash n’e s’vonit)

E bani gjyq, që t ‘nipat e Kastriotit

Shkjeve t’Ballkanit urë t’u rijnë mbas sotit.

“Më kanë pështjelluar këto fjalë, sepse assesi nuk mund të bënin pjesë në fjalorin e një françeskani me kulturë perëndimore; as sesi, më dukej mua, nuk mund të justifikoheshin në fjalorin poetik të një shkrimtari serioz që ishte ngritur në panteonin e hyjnizuar të popullit të vet evropian. Zemërimi duhet te ketë qenë shumë i madh. Në kontekstin historik edhe gjenden argumente të padrejtësive ndaj shqiptarëve, që e “justifikojnë” këtë fjalor ndaj Evropës:

Kongresi i Berlinit (1878), që i aneksoi tokat shqiptare Malit të Zi; Konferenca e Ambasadorëve(1913), që i linte Çamërinë Greqisë dhe Kosovën e e vise të tjera shqiptare Serbisë; Konferenca e Paqes së Pa risit(1919-21), që sanksionoi kufijtë e cunguar të shtetin të sotëm të shqiptarëve.

Por historia është histori dhe poezia poezi. Dua të them se një cilësim historik është i motivuar në kohë (na ishte një herë, ose në vitin kaq e aq një Evropë “kurvë” shkërdhehej me të pafe, apo me ideologji të përçuditëruara etj), ndërsa një figurë poetike, mund të iniciohet në kohë, por duhet të jetë me doemos e motivuar në çdo kohë.

Pikërisht kjo e dyta shkakton pështjellim. Këtë Evropë “kurvë” e duam edhe sot e kësaj dite tamam pse na pëlqen të kurvërojmë së bashku me të? Apo joshemi pas saj siç joshet çdo burrë pas “kurvërisë” së një gruaje me të cilën nuk pranon të martohet, veç në mos i mbettë në dorë?

Fishtës, ndoshta, nuk i kanë shkuar ndër mend këto pyetje kur shënjonte pakënaqësitë e tij, por jam i sigurt se ai është zemëruar me atë Evropë që e dëshironte kaq shumë, me atë Evropë në gjirin e të cilës donte të prehej e ardhmja e popullit të tij. Kur arrijmë në këtë pikë, ajo që të mbetet më tej si pështjellim tundues, është realiteti që vazhdojmë të përjetojmë, pothuaj krejtësisht i pandryshuar, ose po aq i rrezikuar sa në kohën kur shkruante Fishta. Pështjellimi sot vjen prej faktit se këto fjalë-akuzë të poetit mbartin me vete dyshimin vetakuzues për politikën shtërpe të shqiptarëve, që prostituojnë realisht vetveten dhe idetë e njerëzve si Fishta, që lartësuan kombin e tyre. Me këtë sy duhen parë edhe të dy anektodat me një korrespondent anglez:

Në vitin 1934 një korrespondent anglez i thotë Fishtës:- Kam marrë vesh se shqiptarët janë edhe hajdutë.- Ashtu na ka dalë nami, more zotëri,- ia kthen Fishta.- Në Londër kam parë të grabitet një bankë ditën për diell, por asnjëri prej nesh nuk thotë se anglezët janë hajdutë. Shqiptari edhe në vjedhtë, merr ndonjë dele, derr a pushkë. Ndërsa për çështjen e përçarjes fetare anekdota thotë: Sikur shqiptarët të kishin mbetur të gjithë të krishterë, njësia juaj kombëtare do të ishte arritur shumë më shpejt,- po i thoshte anglezi Fishtës. Më pas ai konkludoi:- Kjo është një dobësi e karakterit të shqiptarit…- Unë nuk marr vesh,- e ndërpreu kërcënueshëm Fishta,- si mund të flasë për dobësi karakteri të shqiptarëve një anglez. E gjithë bota e di se ju për bythën e një gruaje ia ndërruat fenë një perandorie të tërë.

SHKARKO APP