Tritan Kokona: Fajdetë kërcënojnë seriozisht futbollin

(Botohet me 25 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Tritan Kokona-

Të paktën deri mbrëmë në darkë, askush nuk të thoshte dot me siguri në do të zhvillohet takimi midis Apolonisë dhe Lushnjes, i vlefshëm për javën e parë të fazës së dytë. Dje, në “kryeqytetin” e Fondacionit Xhaferri, ka patur grumbullime dhe konfrontime të njerëzve të dëshpëruar nga humbjet si pasojë e fajdeve, me forcat e rendit në qytetin e Lushnjes. Klubi i përfolur në këtë edicion për blerjet e jashtëzakonshme që bëri si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë gjendet në rrezik. Tanimë nuk bëhet fjalë për futboll, por për një revoltë, e cila sigurisht do ta pengojë atë. Përveç pasigurisë në skuadër, trazirat në qytet i kanë penguar futbollistët që të zhvillojnë seancat e rregullta stërvitore. Klubi i futbollit, ashtu si i gjithë qyteti është prekur nga epidemia fajde, e cila e kërcënon në çdo moment. Dje në FSHF ka patur disa telefonata nga ana e drejtuesve të klubit të futbollit Lushnja, për të pyetur në do të zhvillohet takimi, apo jo. Kancelaria kryesore e futbollit edhe vetë ka qenë e pasigurt në do të ishte mirë të luhej ky takim, apo jo. Sipas burimeve të brendshme janë dërguar në Ministrinë e Brendshme dhe në atë të Arsimit dhe Sportit, dy shkresa të cilat kërkojnë konfirmim në duhet luajtur apo jo. Përgjigjet kanë qenë evazive duke e lënë të gjithë peshën e një vendimi të përmasave të tilla, mbi supet e njerëzve të futbollit. Për fatin e tij të keq, sporti më i dashur i shqiptarëve është kthyer 5 vjet prapa. Atëherë kur njerëzit pushtonin fushat e gjelbërta, godisnin gjyqtarët dhe futbollistët, digjnin qytete dhe për të ruajtur qenien e tij u vendos të luhej në fusha asnjanëse. Ngjarjet e fundit (sigurisht nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me futbollin, por ai duhet të paguajë pasojat e tyre), po i rikthejnë Shqipërisë atë imazh të keq në futboll, i cili u zhduk vetëm pas 5 vjetësh punë këmbëngulëse. Njerëzit e lodhur u rikthyen në stadium për të prekur lojën e tyre të dashur. Kurrsesi ata nuk mund të pranojnë një zhgënjim të ri, një dhunë të re, një humbje, e cila do të ishte e pazëvendësueshme. Goditja që do të marrë futbolli, nga dështimi i fenomenit fajde, do të jetë katastrofike. Moszhvillimi i ndeshjes së sotme, mund të quhet filli mi i një historie të dhimbshme për të. Shqetësimi i klubit të futbollit Lushnja, nesër mund të marrë përmasa kombëtare. Sikur të mos mjaftojnë streset e përgjithshme, humbjet e depozitave të njerëzve, shqiptarët duhet të paguajnë edhe në futboll. Fatkeqësisht drejtuesit shtetërorë të sportit, në mënyrë të veçantë sekretarja e shtetit, Marjeta Zaçe, akoma nuk ka deklaruar se si do të veprohet në këtë rast. Gjithçka duket se u është lënë supeve të FSHF, e cila në këtë rast ndihet e pafuqishme për të reaguar. Ajo duhet të përballojë tashmë shqetësimet e një edicioni, që ndoshta do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë. Dikush dje në stadiumin “Selman Stermasi” pas përfundimit të ndeshjes Partizani-Tomori, pyeti: A do të luhet futboll më në Shqipëri? Kjo pyetje mund të konsiderohej më shumë se naive, pak kohë më parë. Tashmë ajo përbën një realitet të prekshëm për të gjithë. Vërtet askush nga ne, nuk e di në do të luhet futboll nesër apo jo?! /Tritan Kokona/

 

 

 

SHKARKO APP