Tritan Kokona: Sporti shqiptar në prag të kryqëzimit
(Botuar me 24 Nëntor 1996 në KOHA JONE)
Nga Tritan Kokona-
Dervishi nuk “është” më. Të paktën përkohësisht (aktualisht shefi i futbollit nuk ka deklaruar se çfarë do të bëjë dhe për fat të keq kjo është tërheqja e tij në një kohë krejtësisht të papërshtatshme), numri 1 i FSHF, është jashtë zyrave të Federatës dhe sipas një “qorrfermani” të kabinetit Zaçe, ai duhet të dorëzojë gjithçka që nga vula e deri te buzëqeshja e “adhuruesve”, që siç ndodh rëndom në jetën shqiptare (pasi ke rënë nga fiku) i jepet me vështirësi. Ajo që ishte paralajmëruar prej kohësh nga shtypi (sigurisht nga një pjesë e tij), ndodhi. Hegjemonia e “minishtetit-Zaçe”, ka ardhur duke u bërë absolute, duke sfiduar edhe logjikën më të thjeshtë, rregullat e shkruara dhe vendimet e një organi krejtësisht të ligjshëm. Për fat të keq futbolli është goditur në mënyrën më brutale, arrogante dhe të palogjiktë. Kjo ishte kalaja më e rëndësishme që duhej marrë, për të nëpërkëmbur më pas, të gjitha organet e tjera sportive shqiptare. Me “spaletat” që i ka dhënë shteti, por me logjikën e saj, numri 1 i sportit shqiptar, zonja Marjeta Zaçe ka goditur strukturat e sportit më të rëndësishëm në Shqipëri, me idenë se ka goditur rebelin Dervishi.
Ajo ka goditur punën pesëvjeçare në këtë Federatë, e cila për herë të parë kërkoi shkëputjen nga strukturat shtetërore (Presidenti i Komitetit Olimpik të asaj kohe kundërshtoi fillimisht dhe më në fund pranon. Atëherë, Zaçe duhet të ketë qenë duke përgatitur detyrat për nxënësit e saj), provoi të “jetojë” duke shijuar një pavarësi pothuajse të plotë. Dhe frytet nuk vonuan të vijnë menjëherë. Një marrëdhënie intensive me UEFA-n dhe FIFA-n. Njohje e futbollit shqiptar në Evropë dhe në botë. Organizime aktivitetesh dhe përpjekje për krijimin e strukturave. Përsosje e legjislacionit dhe intensitet në përgatitjen e dokumentacionit. Fitime të jashtëzakonshme nga e drejta televizive (sot ngrihet fushatë nga njerëz që për fat të keq nuk e njohin as ABC e kësaj të drejte) dhe investime të fuqishme në objektet sportive, të cilat kanë nisur të rrallohen në Shqipëri dhe për fat të keq zonja Zaçe e ka të vështirë ta ndalojë këtë proces. Te gjitha këto, të arritur me një staf modest, me njerëz që punojnë për një rrogë simbolike (shumica të cilëve vetëm tani kanë nisur të mësojnë anglisht). Sigurisht nuk mund të pretendojmë se kjo është më e mira. Problemet në kampionatin shqiptar, nuk kanë munguar kurrsesi. Superkampionati, ndërhyrja e politikës në sport, ryshfetet e xhaketave të zeza, dhuna në stadiume etj. kanë qenë pikat më të dobëta të kësaj Federate, që rëndojnë në këtë periudhë edhe mbi ndërgjegjen e futbollit shqiptar.
Por Shekspiri i madh ka thënë: “Kemi ardhur këtu për ta varrosur dhe jo për ta gjykuar Cezarin”…
Por nuk është vetëm futbolli. Pak javë më parë, në një shkrim të botuar në “Koha Jonë” kemi tërhequr vëmendjen për krijimin e një klime mbytëse në sport. Fati dhe fatkeqësia deshën që hipja e Zaçes në poltronën drejtuese të sportit, të përkonte edhe me zgjedhjen e organeve drejtuese në Federata të ndryshme. Ky ishte një proces normal që nuk kishte se si te mos shfrytëzohej nga njerëz me një mentalitet pothuajse patriarkal. Kanë qenë pikërisht ata, që i kanë mbushur mendjen sekretares së shtetit për sportin që të ndryshojë sa të jetë e mundur në federata. Ideja tradicionalisht shqiptare “të vendosim njerëzit tanë kudo”, ka gjetur vend edhe në mentalitetin e shefes se sportit, e cila ka pranuar skenarin e servirur dhe për më shumë ka gjetur tek ai edhe idetë e saj. Menjëherë është bërë plani i detajuar dhe ka nisur sulmi. Futbolli, kështjella që mbahej më mirë, ka nisur të goditet nga të gjitha mënyrat. Historia tregon se pushtuesit e kështjellave fillimisht prisnin ujin, furnizimet me ushqime, hidhnin kafshë të helmuara, përhapnin epidemi, gjenin mercenarë brenda rrethimit dhe përdornin lloj-lloj mënyrash për të goditur dhe ulur moralin e kështjellarëve. Në një farë mënyre, kjo “superlufte” është bërë për futbollin. Por përpara tij, më të dobëtit, ata që kanë në dorëzim “kështjellat e vogla, kanë provuar presionin. Basketbolli, sporti numër 2 në Shqipëri, është goditur egërsisht. Nuk bëhet fjalë për fjalë në erë në lidhje me të drejtën televizive (për fat të keq ky sport nuk ka privilegje të tilla), por vetëm për të nderuar njerëz. Asambleja e basketbollit e mbledhur javë më parë ka përcaktuar një komitet drejtues për t’u pasur zili. Emra të tillë si Shkurti, Koleka, Shtiza, Guraziu, apo shumë të tjerë, janë intelektualë të sportit shqiptar. Për më shumë, që ky kapital njerëzor po shfrytëzohet në të mirë të këtij sporti. Por Zaçe me një prepotencë orientale dhe me një guxim për t’u admiruar në llojin e vet thotë jo. Madje arrin deri aty sa të pezullojë sekretarin e kësaj Federate, Kastriot Mushin. Megjithëse zëdhënësi anonim nuk ndihet, është mësuar se edhe koordinatori i të gjitha Federatave, Petrot Qendro, i deleguar i sekretares së shtetit, në këtë asamble, ka marrë vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna. Kjo, sepse nuk ka përkrahur idenë e Zaçes dhe ka deklaruar ato që ka parë, rregullsitë. Por gjithçka shkon kundër skenarit të përgatitur në zyrat e mini-shtetit Zaçes, që po bën përpjekjet e fundit për të pushtuar të gjitha kështjellat e sportit dhe për t’i drejtuar vetë të gjitha ato. Sigurisht për këtë nuk bën deklaratë Komiteti Olimpik, ashtu siç nuk i ka bërë vetes pyetjen: Përse nuk caktohet sekretari i Përgjithshëm i këtij Komiteti dhe për kë ruhet ky vend. Për fat të keq formave të tilla ka dalë boja me kohë. Vetë shteti, do të nxjerrë zbuluar këtë pjesë të tij, e cila po e diskretiton në sy të opinionit nga dita në ditë. Sporti shqiptar vërtet është në prag të kryqëzimit nga kabineti Zaçe, por ajo që dihet me saktë është që ai nuk mund t’i pranojë kurrë robëri të tilla, qoftë edhe të përgatitura në zyrat e një sekretareje shteti.
Tritan Kokona