Tritan Kokona: Tri kohët e Hafizit dhe kombëtarja
(Botuar me 17 Prill 1997 në KOHA JONE)
Nga Tritan Kokona-
Ukraina me Gjermaninë mbetën prapa me kujtime të mira dhe të këqija. Shumë gjëra ndryshuan, ndoshta për mirë…Tani në radhët e skuadrës kemi më shumë entuziazëm, në tabelë gjithnjë vetëm një pikë tepër të shtrenjtë, të fituar kundër Armenisë në Tiranë, ndërsa në horizontin jo shumë të largët të 6 qershorit, një tjetër ekip të madh që pret të na shndërrojë në një “magazinë golash”, për të rregulluar bilancet e tij. Midis të gjithave këtyre qëndron ai, trajneri i kombëtares Hafizi, tashmë pa dilema të mëdha.
Koha e parë, e shkruara: Ide, ndryshime drastike, polemika dhe një pikë
Ardhja e Hafizit në drejtimin e kombëtares së Shqipërisë, u krye në një moment jo shumë oportun si për të, ashtu edhe për skuadrën. Pas një tërheqjeje të deklaruar në një konferencë shtypi nga paraardhësi Bajko, u deshën disa ditë derisa “shtabi” i zotit Dervishi (lexo Komiteti Egzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit), të zgjidhte trajnerin e ri të kombëtares. Pak ditë përpara ndeshjes me Armeninë, në një situatë tepër të ndezur për shkak të luftës pothuajse të hapur Federatë-Ministri, Astrit Hafizi, ish-trajner i Vllaznisë, “shpresës” dhe ndihmës i kombëtares, vendoset në postin e komisarit teknik të përfaqësueses shqiptare.
Dy ishin faktorët që qëndronin në atë kohë kundër trajnerit të ri, që në uljen e tij të parë në bankinën e kuqezinjve. Së pari, gjendja e krijuar në skuadër pas humbjes së thellë dhe të diskutuar gjatë, 0-3 në Tiranë me Portugalinë. E së dyti, atmosfera e ndezur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit rreth futbollit shqiptar, e cila nuk kishte se si të mos kishte pasoja. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, Hafizi i shton më shumë polemikat rreth vetes, kur në ndeshjen e parë kundër Armenisë në Tiranë, nuk thërret të paktën shtatë nga futbollistët e kombëtares së Shqipërisë, që luajnë jashtë shtetit. Për më shumë, guximi i idesë së tij, arrin maja të tilla sa në kombëtare thërriten edhe futbollistë deputantë, që ndoshta nuk mendoheshin si të tillë. Sidoqoftë në sfidën kundër Armenisë, skuadra e re e Hafizit u mundua që të japë në fushën e lojës një profil simpatik duke shfrytëzuar lojën e shpejtë. Në qoftë se goli i barazimit i arritur në minutën e fundit nga skuadra kundërshtare (si rrjedhojë e një pasigurie banale), i shkëputi një fitore të merituar Shqipërisë atë ditë, ajo që kthehej kundër tij kishte lidhje me faktin që: pesha e 11-metërshit të Hafizit ishte e lehtë. Kjo u vu re nga të gjithë, aq sa pyetja më normale ishte: Kështu do të luajmë edhe me Gjermaninë apo me skuadrat e tjera të forta të grupit? Për t’u vënë kapak të gjitha polemikave dhe hamendjeve të shtypit, trajneri i ri dhe i guximshëm i kombëtares, deklaron se edhe për në ndeshjet e tjera mund të thërrasë të njëjtën skuadër me ndryshime të vogla. Për më shumë ai këmbëngul se do të mbështetet gjerësisht në futbollistët e kampionatin shqiptar. E gjithë kjo histori, sikur merr fund vetëm në Belfast, kur Shqipëria shpërbëhet ndaj një skuadre të një niveli jo të lartë, duke mos treguar asgjë përveç 10 minutave të fillimit. Hafizi, megjithëse me mëdyshje, pranon mungesën e peshës në futbollistë të veçantë ndërkohë që në një intervistë të dhënë gjatë kthimit nga Irlanda e Veriut, pranon se skuadra ka nevojë dhe ai do të nisë nga ndryshimet. Në të vërtetë, mungesa e autoritetit, e peshës, e ideve të qarta në fushën e lojës, e përballjes së barabartë me kundërshtarin kishin krijuar një skuadër, që në versionin më dashamirës mund të quhej “pa ngjyrë”. Kjo mbyll edhe atë që mund të quhet “koha e parë” në aktivitetin e trajnerit Hafizi në bankinën e kuqezinjve të Shqipërisë. Ide për ndryshime të cilat ndoshta për fatin e tij të keq nuk u realizuan kurrë, polemika për grumbullimin apo jo të futbollistëve të caktuar dhe në mënyrë të veçantë “krahëkthimi” për një pjesë të titullarëve, një pikë e shtrenjtë (sigurisht duhet të ishin tre) fituar me Armeninë, mbyllin atë periudhë që mund të quhet ndryshe edhe “Hyrja e Hafizit në antologjinë e trajnerëve të kombëtares”… Pas revoltave në Lushnjë, më pas në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë, ishte e pamundur që të bëhej fjalë për kampionat kombëtar. Disa herë të mbledhur në Tiranë drejtuesit e klubeve nuk vendosnin, për fillimin e kampionatit për shkaqe sigurie. Mungesa e tij e bën Hafizin të mendohet gjatë për të bërë kapërcimin, që ndoshta e kishte menduar më parë. Ai heq dorë pothuajse përfundimisht nga lojtarët e kampionatit shqiptar, nën justifikimin se kur nuk zhvillohet aktivitet në Shqipëri, nuk mund të bëhet fjalë për formë të futbollistëve. Dy lojtarët e aktivizuar nga radhët e kampionatit tonë, me lojën e tyre të mirë vërtetuan që kapërcime të tilla mund të ndodhin. Ndërkohë që qoftë edhe për të treguar një lloj mbështetjeje ndaj futbollit në Shqipëri, duheshin thirrur më shumë futbollistë.
Koha e dytë: e tashmja
Refleksioni, ndryshimet, emra të rinj, konsolidimi…
Të dyja ndeshjet, në mënyrë të veçantë ajo kundër Gjermanisë, treguan se mentaliteti i kombëtares së Shqipërisë kishte ndryshuar në raport me ndeshjet e tjera, të këtij edicioni. Me përjashtime fare vetmitare, Hafizi dhe stafi i tij arritën të paktën në këtë ndeshje, tre objektiva themelorë dhe shumë të rëndësishëm (që sigurisht nuk lidhen drejtpërdrejt me ndeshjen por me në përgjithësi me ndërtimin e skuadrës kombëtare të Shqipërisë). Së pari, u tregua në fushë një kombëtare kompakte, e aftë për të përballuar skuadra të niveleve të larta evropiane siç është Gjermania, së dyti u konfirmua në mënyrë të shkëlqyer vlera e dy debutuesve të skuadrës Bushi dhe në mënyrë të veçantë Tare, të cilët mund të shërbejnë si bazë për ndërtimin e punës në të ardhmen dhe së treti, u deklarua pozicioni i disa futbollistëve, që mund të përbëjnë atë që quhet bosht i kombëtares, në ndeshjet e tjera. Hafizi ka të drejtë në rast kur deklaron, se tek kjo skuadër do të mbështetem për ndeshjet e ardhshme. Por të konsolidosh një skuadër është shumë herë më e vështirë se sa ta ndërtosh atë. Kur Shqipëria mundej në dhjetorin e 1994 në Kaizeslautern nga Gjermania 2-1 dhe befasonte vendasit, trajneri i atëhershëm Neptun Bajko deklaroi në konferencë shtypi: “Tani kemi ndërtuar një skuadër e cila është në gjendje të ndeshet edhe me ekipet më të forta. Besoj se do t’i shkëpusim pikë Bullgarisë në Tiranë”. Dhe vërtet kështu ndodhi. Një trajner, e ndjen konsolidimin e grupit të tij të futbollistëve. Për Hafizin është shumë herët që të deklarojë gjëra të tilla, por pothuajse të gjithë jemi të mendimit se me ndeshjen me Gjermaninë me ndryshime të pakta është ndërtuar një bazë e mirë për kombëtaren. Madje jo vetëm kaq, disa elementë të konsoliduar të saj mund të shërbejnë për atë që trajneri ynë i kombëtares nisi të projektojë shumë shpejt (ndoshta përpara kohe), për të ardhmen e saj. Por nuk mund të ketë një të ardhme pa patur një të sotme. Hafizi kundër Gjermanisë kaloi provimin e parë me futbollistët dhe me vetveten. Por ajo është vetëm një ndeshje. Një skuadër asnjëherë nuk vjen apo krijohet nga hiçi, nga vakuumi, nga asgjëja. Për më shumë rezultatet e saj, apo e nesërmja. Ka gjithmonë një bazë, një seri lojërash, një vazhdimësi, që krijohet nga një kolektiv unit i cili di se ç’kërkon dhe se ç’kërkohet prej tij. Ndeshja e fundit e kombëtares së Shqipërisë tregoi se gjërat po hyjnë në rrugën e duhur…
Koha e tretë: e ardhmja
…Pa përcaktim…
Edhe sikur të ishim orakuj, nuk do të arrinim kurrsesi që të parashikonim se çdo të ndodhte nesër me karrierën e një njeriu, për më shumë kur kemi të bëjmë me trajnerin e kombëtares së një vendi (aq më tepër të Shqipërisë). Katër ndeshjet e para kanë kaluar. Të tjera prova, ndoshta edhe më të vështira se këto janë ndeshjet në Portugali, Gjermani, Ukrainë etj. do të qëndrojnë përballë Hafizit. Ndërkohë që mundësitë për të marrë pikë në këto ndeshje, të paktën teorikisht kufizohen vetëm me pritjen e Irlandës së Veriut në Tiranë (dhëntë zoti të luajmë përsëri në kryeqytetin tonë) dhe ndoshta një shans të dhënë nga “engjëlli mbrojtës” në Erevan, kundër Armenisë. Kështu që me ato që rëndom quhen bilance dhe me të cilat shtypi ka shumë dëshirë të merret (është ligj për të gjitha kombëtaret dhe trajnerët e tyre) nuk do të anojnë nga ana e tij, megjithëse, ai mund të jetë trajneri i vetëm në kontinent, në vendin e të cilit nuk luhet për tre muaj asnjë aktivitet futbollistik. Ai mund të jetë i vetmi trajner në Evropë, ku vetëm të përmendje këtë fjalë përpara një jave, do të quheshe vërtet i çmendur. Sidoqoftë, Hafizi është i ndërgjegjshëm se pavarësisht nga të gjitha këto, bilancet do të bëhen. Është shpesh e rëndësishme të dalësh pozitiv me to, për çdo trajner, për çdo profesionist…