Tritan Kokona: Viti ’97, krismat u ndjenë edhe në sport

(Botuar me 30 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Tritan Kokona-

Kombëtarja e futbollit i ka luajtur jashtë të gjitha ndeshjet e planifikuara për në Tiranë. Shkaku ka qenë i thjeshtë: Në vendin e vogël të Ballkanit nuk kishte siguri. Skuadrat e klubeve nuk morën pjesë në Kupat e Evropës. Një Shqipëri e plagosur ishte e pranishme në Lojërat Mesdhetare të Barit, duke “reklamuar” përpara botës, varfërinë tonë të tejskajshme. Dhuna u ul këmbëkryq në të gjitha vendet ku flitet për sport, ndërsa në një auditor olimpik, guxohet të flitet për Fair Play Ekipet shqiptare, shkojnë jashtë dhe kthehen të përgjysmuara sepse “donatorët” largohen. E megjithatë sporti mbijeton… Ndoshta për meritë të sportistëve, ose të traditës që ekziston në Shqipëri.

Lëvizja Olimpike: Bari, varfëria e ekspozuar

Lojërat Mesdhetare, të zhvilluara në qershor në Bari, përfaqësonin aktivitetin më të madh të Shqipërisë olimpike. Pas dështimit të plotë në Atlanta, marrja përsipër e një aktiviteti të përmasave të tilla, sigurisht që ishte një ndërmarrje e vështirë për njerëzit e sportit. Vendi ishte ende i pastabilizuar, shumë aktivitete nuk ishin zhvilluar ndërsa sportistët vazhdonin të jetonin nën terrorin e krismave. Parë në këtë këndvështrim, pjesëmarrja e Shqipërisë në Lojërat e Barit mund të konsiderohet një sukses. Por vetëm kaq.

Vendi më i varfër i Evropës, u përfaqësua në këto Lojëra edhe si vendi problematik për sa i përket sportit. Shqiptarët arritën që të fitonin vetëm dy medalje në këtë aktivitet edhe kjo falë talentit dhe fatit të mundësit Njemza dhe boksierit Hoxha. Gjithçka që vinte era Shqipëri në këtë aktivitet, mund të konsiderohet si shfaqja e të gjitha problemeve që kalonte vendi ynë në atë moment. Parakalimi, ose më saktë dalja në “paradën e modës” së ceremonisë së hapjes së Lojërave, ishte një turp i vërtetë. Sportistët parakaluan me uniformat që me shumë dashamirësi Komiteti Olimpik Italian kishte dhuruar për ta. Ndërsa drejtuesit e ekipit, për asnjë çast nuk i shpëtuan tundimit për të dalë përpara publikut dhe në fund parakaluan të veshur me këmishat dhe pantallonat që secili prej tyre i kishte blerë në ndonjë kioskë të Tiranës. Kjo ka krijuar një kuadrat laraman, i cili ishte i vetmi i tillë, në të gjithë skuadrat pjesëmarrëse.

Në qoftë se Njemza dhe Hoxha arritën të sigurojnë medalje, kjo s’do të thotë se ata që organizuan veprimtarinë kishin ndonjë meritë. Madje, në qoftë se zv.presidenti i Komitetit Olimpik, arrinte të “prehej” i qetë në kabinën e tij gjatë kthimit në atdhe, kampioni shqiptar Ndue Njemza që kishte në gjoks një medalje me mbishkrimin Bari ’97 flinte nëpër poltronat e tragetit. Pas përfundimit të lojërave nuk mund të thuhet se problemet u pakësuan. Një “shpullë” e ardhur nga Portugalia (në fakt nga një përfaqësi e huaj në Tiranë) për mosdhënien e vizave, ka ndaluar një delegacion sportiv që të marrë pjesë në një tjetër aktivitet të përmasave madhore.

Brenda këtyre kufijve, të këtyre dy ngjarjeve, lëvizja olimpike, sidomos në gjashtëmujorin e fundit, është mundur që të tregojë se është ekzistente. Ndërkohë Federatat e Sporteve të tjera vazhdojnë të marrin pjesë nëpër turne të ndryshëm (të rëndësishëm dhe të parëndësishëm), duke patur kryesisht si sponsor “donatorë” privatë, të cilët jo rrallë nuk kanë nguruar që të largohen si refugjatë, ose në rastin më të mirë t’i lënë sportistët në mëshirë të fatit. Disa rezultate të arritura nëpër turne apo kampionate të ndryshme lokale (të Evropës), nuk mund të maten me një peshore të saktë, pasi në to shpesh nuk marrin pjesë emrat më të njohur të sporteve të ndryshme. Disa konferenca të organizuara nga drejtuesit e Komitetit Olimpik, nuk mund të quhen të pasuksesshme. Teorikisht ato janë rrekur që të krijojnë një imazh profesional, i cili është kryekëput i kundërt me realitetin që ekziston nëpër federatat shqiptare. Për të qenë i ndershëm deri në fund, duhet të thuash që të gjitha sportet (me përjashtim të alpinizmit) arritën që t’i përfundojnë aktivitetet e planifikuara për këtë vit kalendarik. Se si ia dolën këtë e dinë vetëm ata. Por po qe se pyet me siguri do të marrësh ndonjë përgjigje që ka lidhje me vështirësitë dhe ngandonjëherë edhe me pjesëmarrjen e suksesshme shqiptare në kompeticione evropiane.

Futbolli, mes përjashtimeve dhe asamblesë

Fundviti i kaluar mund të konsiderohet si më i rralli për futbollin shqiptar. Këmbëngulja strikte e shtetit, e përfaqësuar nga një njeri që drejtonte sportin, përjashtoi Shqipërinë nga të gjitha veprimtaritë e FIFA-s. Për fat të mirë, gjithçka u kthye mbrapsht dhe “jeta” filloi të ecë normalisht. Por për pak ditë. Rrëmujat e përgjithshme krijuan për imazhin e Shqipërisë një figurë krejtësisht të papranueshme.

Kombëtarja është detyruar që të luajë jashtë vendit në të gjitha ndeshjet që ishin planifikuar për në Shqipëri. Një aventurë e vërtetë është kaluar, që ajo dhe shpresa të mbërrinin në Granada të Spanjës për katër takimet kundër skuadrave të Ukrainës dhe Gjermanisë. Gjithçka ka qenë një emergjencë e plotë, si për kushtet e një lufte. Madje edhe festimet shqiptare, për golat e Bledar Kolës kanë qenë të një natyre të veçantë. Shqiptarët sipas modës së tyre, kanë “shpuar” qiellin me plumba (mënyrë festimi e veçantë, që rrallë tifozë në botë e kanë provuar). Edhe shpresa e vetme për të zhvilluar takimin me Irlandën e Veriut në Tiranë, e cila ka feksur pas ardhjen në Shqipëri të përfaqësuesve të UEFA-s, është rrënuar si pasojë e skandalit në ndeshjen e fundit të kampionatit të prapambetur. Gjithçka ka marrë përmasat e një katastrofe, e cila është endur si fantazmë mbi “kokën” e sportit më të rëndësishëm në Shqipëri. Pavarësisht nga kjo, në periudhën e fundit të ndeshjeve në grup, kombëtarja, ka arritur të tregojë veten si një kolektiv i pjekur, i cili është mësuar që të përballojë çdo lloj kundërshtari. Më e rëndësishmja e arritur në këtë sezon është afirmimi i disa futbollistëve të rinj të cilët, tashmë mund të konsiderohen si të fituar në këtë skuadër. Loja e mirë në Ukrainë dhe Armeni (pavarësisht nga përmasat e humbjes), fitorja në Zvicër me Irlandën e Veriut dhe në mënyrë të veçantë ndeshja e fundit me Gjermaninë mund të konsiderohen si fillimi i një cikli të ri për skuadrën përfaqësuese. Edhe vetë trajneri Hafizi është rritur së bashku me skuadrën. Atij mund t’i duket një naivitet, fakti që sot, të mos grumbullojë në skuadrën kombëtare Bledar Kolën. Edhe gjërat e diskutueshme të ndeshjeve të zhvilluara në pjesën e parë të vitit, tashmë janë përmirësuar. Ekipi është më i pjekur dhe ka më shumë besim tek vetja. Ndoshta një short më i mirë mund të na përgatisë surpriza të reja edicionin e ardhshëm të kampionatit evropian. Por ndërsa kombëtarja, qoftë edhe jashtë shtetit i zhvilloi ndeshjet e saj, kampionati mund të konsiderohet plotësisht i dështuar. Ai nuk u zhvillua dot në kushte normale. Me këmbënguljen e njerëzve të Federatës Shqiptare të Futbollit, në periudhën e verës u zhvilluan ndeshjet e prapambetura të tij. Ato u zhvilluan në sistem grumbullimi. Flamurtari, i cili kishte kryesuar deri në momentin e ndërprerjes detyrohet t’ia lerë vendin bardhebluve. Ndeshja e fundit e këtij kampionati nuk ka arritur dot deri në minutën e 90.

Edhe njëherë në fushat shqiptare ka triumfuar gjaknxehtësia. Tirana është shpallur kampione e Shqipërisë, ndërsa për drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, kampionati mund të konsiderohet i mbyllur. Por edhe edicioni i ri nuk mund të thuhet se nuk ka patur probleme të shumta. Janë përgjithësisht, po ato që kemi parë gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Ndërkohë Asambleja e futbollit dhe zgjedhja e organeve drejtuese, është kthyer në një “legjendë” të vërtetë, e cila ka marrë fund vetëm përpara një muaji. Pas janë zhvilluar dy asamble (njëra miratoi statutin), më në fund është proceduar për të zgjedhur Presidentin e futbollit dhe dhjetë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Në përfundim në organin më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri, janë zgjedhur dhjetë specialistë futbolli dhe vetëm njeri prej tyre, është me profesion tjetër. Ndërkohë, ekipet e fëmijëve mbeten gjithmonë një problem i hapur për futbollin shqiptar. Kur kemi fare pak fusha, për fat kemi shumë ekipe, ndërkohë që flitet edhe për trajnerë të palicencuar që i drejtojnë skuadrat. Sidoqoftë, kudo thuhet se sektori i të rinjve punon mirë. Aq më shumë që prej tij kanë dalë disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv.

Shqipëria merr çmimin anti-Fair Play

Dhuna është e pranishme kudo. Në dhomat e zhveshjes, në fushat e stërvitjes, në stërvitje, madje siç thotë me të drejtë një kolegu ynë edhe nëpër auditorët e sportit. Me plot gojën mund te thuhet se dhuna hyn dhe del lirisht në ambientet shqiptare të sportit. Nuk ka rregulla, nuk ka logjikë, nuk ka për asnjë moment tolerancë. Madje edhe atëherë kur mendon se gjërat shkojnë mirë, pas disa çastesh plas një problem apo shqetësim. Gjatë gjithë vitit 1997, janë të shumta rastet e saj. Jo vetëm në futboll, por edhe në sporte të tjera. Disa janë denoncuar, të tjerat jo. Për disa shtypi ka folur, për të tjerat ka heshtur. Janë organizuar konferenca, takime, biseda. Pra janë bërë të gjitha ato që mund të konsiderohen si detyrim moral. Por asgjë nuk ka ndryshuar. Edhe pse shefi i ri i sportit shqiptar, Kreshnik Tartari, pretendon se ka bërë detyrën e tij. Në fushat tona rrihen sportistë, trajnerë e gjyqtarë. Paragjykohen rezultatet e ndeshjeve në mënyrën më skandaloze, ka ndërhyrje të ndryshme të tifozëve të cilat rrezikojnë të shkaktojnë katastrofë. Shpesh tifozët shfrytëzohen për qëllime të caktuara, madje edhe politike. Pra shkurt, Shqipëria e 97, ka qenë vendi tipik i anti-Fair Play. Është qesharake të thuash se gjatë këtij viti, është zhvilluar një konferencë kombëtare për “Lojën e ndershme”. Askush nuk të beson… Bilanci është i trishtueshëm gjithmonë në një fundviti. Sidomos për një vend si Shqipëria. Sidomos kur bëhet fjalë për sportin e saj. Është aq e trishtuar se vështirë se mund të gjesh fjalë urimi. E megjithatë sporti ka mbijetuar… Ndoshta për meritë të sportistëve dhe trajnerëve të tij.

TRITAN KOKONA

SHKARKO APP