Veton Surroi: Unë dhe NATO, pak para bombardimeve
(Botuar me 25 mars 1999 në KOHA JONE)
Nga Veton Surroi-
Lufta është një gjë e ndyrë, që ne në fakt nuk e kemi hasur vetëm në këto momente, që Kosova është duke pritur bombat e NATO-s. Unë për herë të parë e kam mësuar atë, kur kam parë fytyrat e refugjatëve në të gjitha luftërat e ish-Jugosllavisë. Kam qenë duke udhëtuar me linjën e fundit, që linte Kroacinë pak përpara se lufta të shpërthente dhe megjithëse kisha një biletë të rregullt, e kam gjetur veten në një radhë të pafundme për të arritur një aeroplan. Burrat shtynin gratë dhe fëmijët për të ikur nga të mundeshin. Çdo njeri donte t’i shpëtonte luftës, dhe kjo edhe nëse do të duhej që do të liheshin gra dhe fëmijë nga mbrapa.
Unë jam duke shkruar (dje) nga zyra ime në Prishtinë, vetëm pak orë para se të fillojnë sulmet e NATO mbi pozicionet serbe. Lufta sot duket aspak më e mirë se ajo më përpara në Zagreb. Unë e di se lufta këtu (gjakderdhja) do të mbarojë më shpejt sesa e kam menduar, sepse për herë të parë makina të Millosheviçit do të konfrontohen me një armatë më të fuqishme që i takon asaj të aleancës së NATO. Unë e di se një nga rezultatet e sulmeve të ardhshme ajrore do të jetë shkatërrimi i makinës ushtarake të Milosheviçit deri në atë masë që ajo nuk do të jetë kurrë më si ka qenë deri tani ose si ka qenë për të gjithë këtë shekull.
Unë gjithashtu e di se vetëm ky fakt mund të ndryshojë sjelljen e popujve ballkanikë në drejtim të luftës. Tashmë ne në Evropën juglindore do të konfrontohemi me një fakt të ri, që ka lidhje me një ombrellë sigurimi dhe që është krijuar nga NATO. Luftërat e shekujve të kaluar dhe në veçanti spastrimi i përgjakshëm etnik i dekadave të kaluara nuk do të jetë më i vlefshëm në këtë rast. Duke i shtuar teknologjinë, lufta do të jetë këtu thjesht një çështje javësh dhe kjo do të sjellë një ndryshim dramatik në shoqërinë tonë. Si negociator i palës kosovare, gjatë bisedave të disa kohëve më parë në Francë, unë kam arritur një marrëveshje që do t’i jepte Kosovës tre vjet vetëqeverisje dhe që do të garantohej nga NATO me mundësinë, që populli i Kosovës të vendoste për statusin e të ardhmes pas një periudhe të sundimit të brendshëm që pothuaj ka mbaruar. NATO ka fuqinë e duhur për të arritur këtë zotim. Ajo që më shqetëson mua në këto momente është, ajo fakti që llojet e marrëveshjeve politike kanë nevojë gjithmonë për luftë që të shpejtojë realizmin e tyre si edhe për t’i drejtuar ato përpara. Vetëm një luftë e përgjakshme, që është e trishtueshme ta thuash, mund të arrijë këtë pazar diplomatik.
Nevoja që Kosova të jetë e lirë nga stresi i Millosheviçit ka qenë po kaq evidente, sa është në këto momente për të gjithë dekadën e fundit. Dy milionë kosovarë kanë vuajtur nën sundimin e Millosheviçit, në të gjitha aspektet e jetës së tyre, që shkonte deri në sigurimin e arsimimit të tyre. Për shumë vjet ata janë përpjekur që të shprehin impenjimin e tyre nëpërmjet rrugëve paqësore. Si një aktivist politik i ditëve finale të Jugosllavisë, unë jam përpjekur për të ndërtuar një filozofi pa dhunë, si edhe drejtimin e demonstratave dhe formave të tjera paqësore të kundërshtimit. Por, fuqitë që kanë vendosur në ish-Jugosllavi e kanë kufizuar këtë qëllim. Ata nuk kanë marrë pjesë me bisedimet për Kosovën sepse Kosova nuk i kishte marrë ende armët. Vetëm kur janë dëgjuar armët e para në anën kosovare, atëherë kanë reaguar edhe fuqitë e mëdha. Kjo është demonstruar në Dejton pak vjet më parë, kur çështja është shtruar vetëm në momentin kur ka dalë një forcë e armatosur. Dhe kështu përveç Bosnjës, Kosova ishte vetëm rezultat i një konfuzioni të udhëheqësve të demokracive botërore deri në momentin kur ka shpërthyer dhuna. Nuk ka nevojë për të shpjeguar se çfarë është momentalisht akti i grave dhe fëmijëve, që braktisin fshatrat e tyre me traktorë; ka qenë gjithmonë me sa duket një forcë vicioze nga i cili ky popull ishte duke u larguar. Një mësim më tepër: problemi njihet si problem nëse ai ka një rast të ngjashëm përpara. (Pas Ruandës do të jetë e vështirë që të shikohen raste të ngjashme të gjakderdhjes të tribuve në Afrikë dhe unë mendoj se kurrë nuk do të ketë më keq se kaq).
Kështu është edhe tani këtu ku unë jam ulur duke pritur, që problemi i Kosovës të zgjidhet nëpërmjet armëve, armëve më të fuqishme se atyre që posedon në këtë kohë Milosheviçi. Ajo që ndryshon me Bosnjën, është se zgjidhja e problemit të Kosovës në orët që do të vijnë është linja e konfrontimit që ne jemi duke e pritur nga ajri. … Forcat serbe, që kanë rrethuar zyrën time mund të munden nga forcat e NATO-s. Kur do që unë të nisem për në shtëpi, nëse do të mundem, unë do të jem plotësisht i pambrojtur po ashtu si të gjithë bashkëpatriotët e mi këtu, të cilët janë të paarmatosur. Unë kam zgjedhur që të jem këtu në këtë moment historik, sepse kam qenë jashtë vendit deri tre ditë më parë. Dhe kam pasur shumë ftesa për të vazhduar udhëtimin jashtë shtetit.
Duke nënshkruar marrëveshjen e Paqes në Paris javën e fundit, unë gjithashtu kam qenë i ndërgjegjshëm, se do të ketë rrjedhime për të gjithë popullin e Kosovës. Nëse pala serbe nuk do të arrijë marrëveshje, atëherë marrëveshja duhet të sigurohet dhe akti i sigurimit do të rrezikojë të gjithë popullsinë civile. Që në momentin që ne kemi arritur marrëveshjen në të vërtetë ka pasur më shumë se 30.000 refugjatë të rinj. Vetëm Zoti e di se sa shumë civilë do të vriten në ditët që do të vazhdojnë. Duke pasur përgjegjësi për nënshkrimin tim, unë mendoj se rruga më e mirë do të ishte që unë të isha këtu në këto momente kritike në përpjekje për të gjetur argumente të tjera të cilat shpjegohen nga karakteri i natyrës sepse lufta gjithmonë është një gjë e ndyrë.