Viktor Gjika: “Xhifoni Film Festival”, pesëmbëdhjetë vjet pas

(Botuar me 1 gusht 1999 në KOHA JONE)

Nga Viktor Gjika-

Festivali më i çuditshëm në botë që bëhet për fëmijët, gjykohet po nga fëmijët dhe u jep kineastëve dëshirat dhe optimizmin e fëmijëve dhe të rinjve. Në kohën kur prognozat ndjellakeqe parashikojnë vdekjen e kinemasë apo zvogëlimin e rrethit të saj ndikues, Xhifoni Film Festival ndjell optimizëm gazmor që kthehet padashur në një qeshje sarkastike ndaj ndjellakeqasve. Gërshetimi i strukturave programore për fëmijë e të rinj me programet e ngjeshura të turneve e bisedave me kineastët më të shquar të kinematografisë botërore dhe atyre të rinjve me shpresëdhënës edhe këtë vit krijoi atmosferën gazmore të brezit të ri, i cili e do dhe do ta dojë për shpirt artin e shtatë të kinemasë.

I lindur para 30 vjetëve nga një grup entuziastësh guximtarë me në krye të palodhurin e të pashtershmin në ide, K. Gubitosi, Festivali u rrit nga viti në vit duke u shndërruar nga një manifestim modest i kinematografisë Italiane, në një festival të kategorisë A të kinematografisë botërore.

  1. Xhifoni dhe filmi shqiptar

Për afro 20 vjet rresht në këtë festival është prezantuar me sukses edhe kinematografia shqiptare. Filmat “Beni ecën vetë”, “Debatik”, “Lulëkuqe mbi mure” apo “Shoku ynë Tili” kanë marrë çmime të ndryshme dhe interesimi për filmin arriti kulmin 15 vjet më parë kur në kuadrin e këtij manifestimi kulturor për herë të parë në një festival ndërkombëtar u organizua retrospektiva e kinematografisë shqiptare. Që atëherë në Xhifoni, emrat e kineastëve shqiptarë, si Xh. Keko, Dh. Anagnosti, P. Milkani apo autorët e filmave multiplikative, si S. Pone, A. Marku apo G. Leka, B. Konomi etj. u bënë të njohur dhe përmenden edhe sot. Këtë radhë drejtori artistik Klaudio Gulitasi ishte në siklet. Filma shqiptare nuk kishte, gjendja e kinematografisë shqiptare është rënduar dhe prodhimi i saj reduktuar. Filma për fëmijë apo për të rinj ka kohë që nuk bëhen, por ai gjithmonë ka dëshirën e mirë të bëjë diçka për Shqipërinë dhe kinemanë e saj. Atëherë, në mungesë të filmave, ai vendosi të ftojë gjashtë fëmijë shqiptarë në juri, dy nga kineastët e njohur mirë në Xhifoni, një ekip të Tv Shqiptar dhe vetë drejtorin e tij të përgjithshëm. Në programet e festivalet ai dëshironte që kineastët shqiptarë të ishin si të barabartë në mes të barabartëve. Por procedura burokratike e dhënies së vizave nga Ambasada Italiane në Tiranë bën që njëri nga të dy kineastët e ftuar, regjisori ynë i mirënjohur Dhimitër Anagnosti të mos shkonte në Festival, kurse autori i këtyre radhëve të mbërrinte me vonesë e të mos ishte prezent në takimet që pati regjisori serb A. Kusturica, takime ku nga ana jonë mund të ishin thënë disa fjalë.

Pa mbërritur akoma mirë në Xhifoni duhej marrë pjesë në takimin e organizuar me fëmijët dhe kineastët e njohur në serinë “Çfarë i jep shekulli që po shkon shekullit që po vjen”, që ishte një nga idetë origjinale që solli mendja produktive e K. Gubitosit. Atë ditë përpara 100 fëmijëve regjisori Xh. Amelio dhe unë duheshim t’u përgjigjeshim pyetjeve të shumta të tyre. Unë me regjisorin e mirënjohur kishim patur kohë të njiheshim gjatë udhëtimit nga hoteli Mediterranea ku ishin instaluar mjaft nga kineastët e ftuar. Në fytyrën e tij kishte një shqetësim ose më mirë të them, një brengë. Ai e dinte që filmi “L’America” kishte ngjallur mjaft polemika në Shqipëri, që organizimi i premierës së tij kishte dështuar.

Më vonë ishte shfaqur në një nga Televizionet private. Edhe vetë prezantimi i filmit në Festivalin e Venecias nga pretendentët për Luanin e Artë kishte përfunduar në një çmim të dorës së dytë. Dukej sikur kishte nevojë të shpjegohej. Në bisedat në makinë rrugës, unë iu shmanga me kujdes hapjes së temës. Kisha një plan më serioz në kokë. Fëmijët na pritën me duartrokitje të përzemërta, që na shoqëruan deri sa filluan pyetjet nga salla dhe përgjigjet nga podiumi. Pyetjet ishin të ndryshme.

Interes ngjallën planet e tij për të ardhmen dhe opinioni i Xh. Amelios për filmin amerikan “Titaniku”. Ai e quajti filmin një përrallë sentimentale. Dhe me këtë korri duartrokitjet entuziaste të sallës. Dukej që fëmijët ishin të disgustuar nga efektet teknike, përmbajtja melodramatike dhe loja ilustrative e aktorëve (si i quajti Xhani Amelió në unison me fëmijët). Kur mbaruan pyetjet për Amelion, m’u drejtuan mua në pyetjen e parë: Nëse do të bënit një film bashkë me italianët, cilët aktorë do të ftonit në të? Pyetja ishte e papritur. Për të fituar kohë të mendohesha nxora planin që kisha në kokë dhe u përgjigja :- Para se të përgjigjem dua t’i bëj Xh. Amelios dy pyetje: 1. Pse dhe si i lindi në kokë ideja për të bërë filmin “L’America”? 2. Ç’mendim ka ai për Shqipërinë dhe shqiptarët? Amelio u duk sikur këtë priste dhe shpërtheu në sqarime mjaft bindëse. Ai sqaroi se mendimi për filmin i lindi në Shqipëri duke njohur italianët e parë që u dyndën aty në fillim të viteve ’90 dhe u “sulën” me plane zhvatëse dhe jo plane ndihmëse. Ndaj ai desh t’u thoshte bashkëkombësve të vet të mos harronin se ashtu si ata u sulën në vitet 1945-50 drejt Amerikës, si drejt ëndrrës për një jetë të lumtur pas disfatës fashiste, kështu edhe shqiptarët e viteve ’90 pas disfatës komuniste u sulën drejt Italisë si drejt një ëndrre të re për jetë të lumtur.

Por ata ashtu si edhe italianët, do t’i presin zhgënjime tronditëse, ndaj u bie italianëve të ndihmojnë vëllezërit e tyre shqiptarë për të gjetur realizimin e ëndrrës së madhe në tokën e atdheut të tyre. Pastaj, në mënyrë të veçantë, Xh. Amelio foli me një dashuri të madhe për Shqipërinë, si vendin më të bukur që ai ka parë dhe për shqiptarët si njerëz me zemër të madhe e aftësi të veçanta. Ai kujtonte të gjithë bashkëpunëtorët e tij shqiptarë si Pirro Milkani, Resim Kurtin apo regjisorin Gjergji Xhuvani, që e quajti mjaft të talentuar. Ai kishte pëlqyer filmin e tij “Dashuria e fundit” dhe kishte bërë çmos si kryetar jurie që ai të fitonte çmimin në Festivalin e Bastijës.

Xhani Amelio foli edhe për planet e tij në ndihmë të shqiptarëve, sidomos për dëshirën e vet për të dhënë kontributin në hapjen e një shkolle kinematografike në Shqipëri. Përgjigjet e Amelios u priten me ovacione.

Tani unë mund t’i përgjigjem pyetjes suaj,- fillova unë.- Nëse do të më jepet rasti të bashkëpunoj me kineastët italianë, unë do të zgjidhja aktorin Leonardo di Kaprio, por…

Nuk arrita të vazhdoja nga fishkëllimat. Auditori nuk pëlqente Di Kaprion.

Por,- ngula këmbë,- jo për të bërë një “Titanik 2” por një “Antititanik”. Këtu shpërthyen duartrokitjet.- Një Antititanik ku një vajzë (Aktore shqiptare) dhe një djalë (Aktori Di Kaprio) gjejnë dashurinë e tyre të madhe në anije të mbushur plot e përplot me refugjatë, në një anije, pra, si atë që kini pare tek filmi “L’America” të mjeshtrit Xh. Amelio.

Dhe unë u ktheva nga ai. Salla shpërtheu në duartrokitje. Në pyetjen tjetër për mua “Pse në këtë festival nuk ka filma shqiptarë”, u përgjigj vetë z. Klaudio Gubitosi.

Sot që kinematografia shqiptare është në vështirësi të mëdha do ta ndihmojmë atë ndryshe, duke vajtur ne aty, ndërhyri ai. Dhe pastaj shtjelloi idenë e tij për një plan Marshall në fushën e kinematografisë shqiptare ku përfshihen organizimi i një Festivali Europian të filmit në Shqipëri, krijimin e kushteve për bashkëprodhime me kinematografinë italiane, hapjen e një shkolle kinematografie në Shqipëri etj.

Miku i vjetër i Shqipërisë mendon ta ndihmojë atë edhe tani në ditë të vështira. Por ky qëndrim nuk do të ishte i fundit. Idenë e tij ai e shtjelloi edhe në takimin e organizuar me drejtorët e festivaleve ndërkombëtare të Italisë, Kanadasë, Polonisë, Norvegjisë, Kubës etj., dhe kërkoi ndihmën e tyre për realizimin e planit të tij. Veç kësaj, duke qenë njohur me incidentin e mosardhjes në Itali të regjisorit shqiptar Dh. Anagnostit, z. K. Gulitasi shprehu protestën e vet dhe kërkoi solidarizimin e të gjithëve me këtë protestë për “pengesat” e pazakonshme të autoriteteve italiane që sollën mosardhjen e regjisorit të shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti në Festivalin e Xhifonit. Të gjithë ramë dakord dhe ajo protestë u regjistrua nga kamerat e televizioneve të ndryshme që ndodheshin në sallë. Personalisht u përgëzova për këtë qëndrim.

  1. Ditë më parë

Pengesat burokratike në lëshimin e vizave nga Ambasada Italiane në Tiranë sollën edhe pasoja të tjera. Kineasti tjetër i ftuar shqiptar, autori i këtyre rreshtave, nuk mbërriti në takimin që pati regjisori serb (si e quan veten), Emir Kusturica, me fëmijët e Xhifonit.

Ardhja e Kusturicës në Xhifon ishte e bujshme. Përveç filmit të tij të fundit, “Koha e Ciganëve”, që ishte në programin e festivalit, ai kishte ardhur aty me grupin “Banda Rock – Efektet anësore”, me të cilin, përveç Xhifonit, do të bënte një turne koncertal nëpër Itali. (Ishte e qartë për të gjithë, se regjisori i mirënjohur po përdorej nga Millosheviçi për propagandë pro serbe në Italinë “mike”).

Këtë ai e vërtetoi edhe me përgjigjet e pyetjeve që iu bënë, si në takimin me fëmijët, ashtu edhe në konferencën e shtypit, për të cilat shkroi jo pa ironi shtypi italian: “Kam rrënjë serbe, por nuk kam mbrojtur askënd, tha ai në përgjigjen e një pyetjeje,- nuk mundem veç të kundërshtoj luftën në të cilën kushdo qoftë, amerikanët apo të tjerët, hedhin bomba. Por kam polemizuar gjithmonë me mistifikacionet e shtypit dhe medias perëndimore që kanë përhapur një imazh të thjeshtëzuar të konfliktit, vetëm si përplasje të të bardhës me të zezën, të pozitives me negativen, të së mirës me të keqën. U është dashur të bëjnë të besohet se serbët filluan pastrimin etnik dhe si rrjedhim i saj filluan bombardimet.

Në fakt qëndron e kundërta: Lufta plasi kur serbët refuzuan akordet e Rambujesë. Nuk më pëlqen e vërteta vetëm në një drejtim. Për sa i përket varrezave të përbashkëta, gjenocidit… (I ngeci fjala ne fyt)…

Po për viktimat në Amerikën Latine, në Rusi apo në zona të tjera të botës, ama, dimë shumë pak, ose aspak.

Në pyetjen e një vajze shqiptare, pjesëtare e jurisë së fëmijëve, se çfarë mendon ai për Pavarësinë e Kosovës, Kusturica u përgjigj thatë dhe prerë:- Nuk besoj se është e drejtë, Kosova i përket Serbisë. Çfarë do të thoshit ju në qoftë se krahina e Emilia Romanias të donte të shkëputej nga Italia? Duke ndier reagimet mosaprovuese të fëmijëve dhe të sallës ai u përpoq ta mbyllë me një mesazh pacifist. “Mënyra e vetme për të mbijetuar dhe për të kërkuar gjithmonë paqen është të zhvillojmë një ndjenjë të fortë kundra armëve”.

Në pyetjen tjetër: Se përse Rock Banda e tij quhet “Efektet Anësore”, ai u përgjigj pa u skuqur: “Është një titull ironik polemik që aludon me terminologjinë e përhapur në media ku kërkohet të zbuten dramat, të sfumohen emocionet. Psh, kur amerikanët gabonin objektivat ushtarake dhe shkaktonin rreshta viktimash të pafajshme, flitej për “Efekte anësore”.

Mjafton kaq për të kuptuar se ai jo vetëm i ka harruar rrënjët e tij Boshnjake (gjatë luftës në Bosnjë, ai u akuzua hapur nga boshnjakët si filoserb) dhe flet sot për rrënjët serbe, por për të parë se si edhe një regjisor i shquar mund të bjerë viktimë e ideologjizmit absolut e të bëjë sikur nuk e shikon e sikur nuk e kupton të vërtetën. Ishte vërtetë një koincidencë e pakëndshme që ne nuk mundëm të ndodhemi në këto takime për të mbajtur qëndrimet tona. Me të lexuar shtypin, unë shkova në zyrën e Drejtorit Artistik të Festivalit për të shprehur indinjatën dhe habinë time për deklarata të tilla të bëra nga një kineast me emër në gjithë botën.

“I dashur Viktor, secili është i lirë të shprehet si mendon dhe mban përgjegjësi vetë për ato që thotë!” – m’u përgjigj miku Klaudio, i cili tashmë mendonte për problemet e ditës së Festivalit.

  1. Sofia Loren e viteve 2000

Festivali ziente nga të ftuarit e shumtë. Bisedat në “Kopshtin e portokalleve” ku flinin personalitete të njohura që nga drejtori i përgjithshëm i Rai-t, z. R. Zaharia, e aktori Enriko de Verso deri te kompozitori i shquar i muzikës së mbi 300 filmave, Enio Morikone. Takimet bëheshin në 7 vende të ndryshme. Prezantimi i artistëve zakonisht bëhej në mbrëmje mbas shfaqjes së filmit në kinoteatrin “Shtëpia Lumier”. Aty shprehu planet e saj për të ardhmen regjisorja Franceska Arkiboxhi. E zgjuar, e mençur dhe modeste, ajo tregoi se pretendimet e lëvizjes “feministe” për të kapur majat e kinematografisë nuk janë pa baza. Në këtë amfiteatër u ndanë edhe çmimet, të cilat i prezantoi aktorja e mirënjohur italiane, bukuroshja Maria Gracia Kucinota, e cila ishte e ftuar si Presidente nderi e Jurisë së Festivalit. Ajo, pra, do të shpallte çmimet e caktuara nga juria e përbërë prej 500 fëmijësh. Zhurma dhe publiciteti për të ishte e jashtëzakonshme. Titujt “LOREN e vitit 2000” mbushnin gazetat dhe ekranet e televizionit. Shkak, ndoshta, u bë dhe deklarata e bujshme e M. G. Kucinotës: “Unë dhe Bova, si Sofia dhe Marcelo”, ku ajo tregonte për marrëdhëniet miqësore të saj me aktorin tjetër të njohur e të ftuar në Festival, Raul Bova.

Eh, të jesh si Sofia Loren nuk mjafton të jesh e bukur dhe aktore. Duhet të jesh e talentuar, e mençur dhe sidomos e thjeshte si ajo. M. G. Kucinota sigurisht që është e bukur, seksi, e talentuar jo më para sa e madhja Sofia Loren, por mençuria dhe thjeshtësia me dinjitetin e saj, mendoj, se janë ende larg. Nga kjo anë dukej sikur Raul Bova ishte me pranë.

Çmimet sidoqoftë u ndanë me pompozitetin e duhur dhe nën frikën e vazhdueshme të shiut që vërtitej mbi amfiteatrin “Maison Lumiere”. Dhe përsëri Klaudio Gulitasi nuk harroi të përmendte në fund edhe Shqipërinë edhe Tv Shqiptar, drejtorit të përgjithshëm të të cilit z. Eduard Mazi, Festivali i Xhifonit i dhuroi 20 filma artistikë të edicioneve të ndryshëm të tij.

Shqipëria duhet të mbështetet, filmi shqiptar duhet ndihmuar, ishin fjalët e fundit të mbylljes së edicionit të 29 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Xhifoni Valle Piana.

  1. Trageti

Përfundoi kështu vizita ime e dytë në këtë Festival. 15 vjet më parë qyteza ishte më e vogël dhe pjesëmarrja disi më e ngushtë. Tani gjithë ambientet e Festivalit ishin të rinovuara dhe të pasuruara. Ishin hedhur bile themelet e qytezës “Kinematografike” ëndrrës së vjetër të Xhifonezëve. Qyteti i tyre kishte hyrë tashmë në analet e kinematografisë botërore. Banorët e qytezave përreth falënderonin Festivalin për gjallërimin që i jepte jetës dhe tregtisë së tyre. Ndryshimeve në ndërtime si dhe klimës se mrekullueshme të këtij rajoni i gëzoheshin edhe disa shqiptare që më në krye regjisorin e Tv Shqiptar Tomë Këreçi, të emigruar familjarisht, ishin integruar në jetën Xhifoneze. Ky regjisor i aftë një vit më parë kishte bërë regjinë e xhirimeve të Festivalit nga Tv privat “LIRA -TV” dhe është futur natyrshëm në rrethin e bashkëpunëtorëve të Festivalit. Gjashtë fëmijët shqiptarë anëtarë të jurisë mezi largohen nga Xhifoni. Ata jetuan sipas traditës për 10 ditë nëpër familjet mikpritëse Xhifoneze ndaj lotët nga të dy palët nuk reshtën.

Në kohë të ndryshme, me mjete të ndryshme, për arsye të ndryshme arritëm në Bari, në portin e mirënjohur për shqiptarët. Kisha kohë që nuk isha kthyer nga Italia me traget. Këtu mund të ndiesh me mirë se kushdo ndryshimet që po rrjedhin nga viti në vit në jetën e shqiptarëve. Tani është e vështirë të dallosh shqiptarët në masën e madhe të pasagjerëve që presin nisjen e trageteve nga Bari për destinacione të ndryshme: Shqipëri, Greqi, Kroaci, Jugosllavi e mbetur. Ata janë të veshur në një nivel e, jo si më parë ku shquheshin që atje tej me tutat e kuqe dhe blu që s’i hiqnin nga trupi. Midis tyre tani nuk ka të parruar e sidomos të palarë, dhe nuk bërtasin! Nuk hezitojnë të vizitojnë hollin dhe restorantin e portit dhe të porosisin për ç’kanë nevojë. Ka ikur koha e qeseve apo çantave me ushqime të cilat shqiptarët i konsumonin në ndonjë qoshe si vjedhurazi. Ata mund të porositin edhe birrë. Me një fjalë sillen një lloj si gjithë udhëtarët evropianë. Të tjerë janë sot ata, që ndihen si të braktisur, si të rrudhur e si të hutuar. Ata janë Serbët. Në mënyrë të pakuptueshme ata duken sikur kanë hyrë në ujë, sillen të nervozuar e përpiqen të mos bien ne sy!? Krenaria e dikurshme është zhdukur.

Shqiptarët ulen në kolltukët e rehatshëm te “La Vikinga” sikur nuk kanë parë asgjë. Ata i presin punë të tjera. Ky ndryshim ka ardhur pa u vene re, ditë për ditë, vit pas viti. Ja, pra, edhe shqiptarët janë qytetarë të barabartë të Evropës, ndaj mos u çuditni e mos i nënvleftësoni. Koha punon për ta. Vetëm sikur të ishin të gjithë “Më të përbashkuar”. Kjo fjalë e qëmtuar në Himnin Kombëtar me aq zgjuarsi nga prof. Alfred Uçi, me duket se shpreh më mirë se çdo fjalë tjetër nevojën tonë, qëllimin tonë, të ardhmen tonë.

SHKARKO APP