Xhemal Mato: Verbëria e Syrit të Kaltër
(Botuar me 25 nëntor 2002)
Nga Xhemal Mato
Syri i kaltër, bukuroshja e natyrës sonë dhe një bukuri e rrallë për Evropën. Kush nuk ra në dashuri me të, populli që i këndoi në legjendën e përbindëshit dhe ujit, inxhinierët e hidrocentralit të Bistricës, kur e studiuan dhe i dhanë këtë emër, dhjetëra specialistë të tjerë që studiuan ujërat e tij, ministrat e Mjedisit dhe të Turizmit që e shpallën monument natyre dhe mbushën botimet turistike me pamjet e saj për të tërhequr turistët, kryeministri që organizoi trafikimin e saj në Itali dhe, në fund, ju që interesoheni të dini më shumë për të dhe unë që u zhyta në shpirtin e saj që në rininë time. Por ja tani kjo bukuroshe është vonë në agoninë e vdekjes dhe të gjithëve ju vjen keq, por vetëm ju vjen keq.
Ministri i Mjedisit s’ka pasur kohë që të shkojë ta vizitojë këtë monument të natyrës të shpallur prej tij, Ministri i Turizmit nuk ka shprehur as keqardhje (ndoshta do të dërgojë më ndonjë telegram ngushëllimi), kryeministri është i mërzitur se i dështoi biznesi me të, politikanët kacafiten si gjithnjë në parlament dhe në të gjithë themi: “si e harruan dhe e braktisen kështu bukuroshen e natyrës shqiptare”. Ndërkohë, Ministria e Turizmit, Ministria Bujqësisë, vazhdonin në Tiranë seminaret për ruajtjen e mjedisit, ruajtjen e parqeve kombëtare dhe zhvillimin e turizmit në vendin e tonë.
Mijëra dollarë për seminare dhe asnjë lekë për të kuruar Syrin e Kaltër. Atëherë një grup zhytësish, adhurues të hershëm të Syrit të Kaltër, vendosën të shkojmë vetë për të parë në brendësi se çfarë i kishte ndodhur dhe mundësisht për ta ndihmuar. Ishim unë, Arian Gace dhe Devis Ziso. U nisëm drejt Sarandës, ditën e premte në mesdite. Për herë të parë unë jam zhytur në Syrin e Kaltër në 1982. Më kujtohet atë ditë kur, ndërsa unë po përgatitesha për t’u zhytur, një grua u shkëput me vrap nga një grup vizitorësh të rastit dhe me lemeri më tha: “Çfarë bën mor bir, a e di ti që ajo të thith dhe të nxjerr në Janinë”. Pas kësaj ne jemi zhytur shumë herë të tjera me zhytësit shqiptarë dhe të huaj.
Në vitin 2000, së bashku dhe me një zhytës gjerman, ne vendosem nën ujë, në 20 m thellësi të Syrit të kaltër një fletore plastike dhe disa stilolapsa uji, ku mund të shënonte emrin dhe të firmoste çdo zhytës që arrinte në këtë thellësi. Lidhëm aty dhe një litar që do t’i ndihmonte zhytësit pa përvojë të zhyteshin kundër rrymës së fuqishme të ujit që dilte nga thellësitë e syrit të kaltër. Pas dy vjetësh kjo fletore u mbush me firma të zhytësve të huaj dhe shqiptarë. Syri i Kaltër ishte kthyer dhe në një pikë turistike të sportit aventuresk. Por ja, pikërisht kur drejtuesit e Leçes erdhën në Shqipëri për të biseduar edhe për Syrin e Kaltër, ai shteroi dhe u kthye në një sy të verbër me ngjyrë të bardhë. Shumë njerëz në Sarandë besuan se ishte gishti i Zotit: “Ishte mallkim për ata që donin ta shisnin”, pëshpëritnin. “Katër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër ditë luftoi uji i Syrit të Kaltër me lumin që i lëshonte nga sipër gurë dhe zhavorr,- tregon Fatmiri qe ka lokalin aty pranë, – por ditën e pestë Syri u zbardh dhe s’nxori më ujë”. Fatmiri ka marrë lejen nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit për të bërë biznes pranë Syrit të Kaltër dhe për t’u kujdesur për të. Sikur çdo ditë të kishte hedhur 4 lopata me zhavorr anash lumit, mund ta kishte shpëtuar atë mrekulli, por me sa duket ish-ministri i Turizmit Sherif Bundo e ka zgjedhur atë, jo nga dashuria që ka për natyrën dhe turizmin, por thjesht nga lakmia për lekët. Në Sarandë, kur iu tregonim se kishim ardhur për t’u zhytur në Syrin e Kaltër të gjithë thoshin:
“E, pra, sa gjynah. Po nuk mund të shpëtohet?”
Me të vërtetë që kur e pamë ashtu si një gropë me ujë të ndotur ndërkohë që përreth rridhnin ujëra të pastra, u ndjemë si në vdekjen e një gjëje të gjallë: Tejdukshmëria ishte shumë e keqe për filmim, megjithatë unë e bëra gati kameran time nënujore. Hapi i parë nën ujë çoi nga tabani një llum të bardhë që e turbulloi akoma më shumë ujin, aq sa ne nuk po dallonim njëri-tjetrin as gjysmë metri larg. Nga prekjet me dorë dalluam një shtresë rëre që kishte mbuluar gurët dhe barin jeshil të Syrit kudo. Të tre menduam që bebja e syrit duhej të ishte mbushur plotësisht me gurë dhe rërë. Po të zhyteshim të tre në atë turbullirë, mund të rrezikonim njëri-tjetrin. “Ti e njeh me pëllëmbë shpellën nënujore, me tha Ariani-kur të arrish në fund, na jep sinjal nëpërmjet litarit që të të tërheqim”. E lash kamerën, mora një fener nënujor dhe u nisa pingul duke prekur tabanin pëllëmbë pas pëllëmbë. Për çudi gryka e tunelit vazhdonte. Filluan të më dhembnin veshët, gjë që do të thoshte se kisha arritur thellësinë 4-5 m. Syri i Kaltër ishte i hapur. Po ku ishte taposur? Vazhdoja të zbrisja duke prekur me duar rërën dhe shkëmbinjtë që dilnin sipër saj aty këtu dhe shpesh, për të qetësuar veten, mbyllja sytë. Filloi dhimbja e dytë e veshëve. Pra kisha arritur në thellësitë 10-12 m. “Po pse s’rrjedh uji?” Tashmë errësira ishte e njëjtë, si t’i hapja dhe t’i mbyllja sytë. Llamba ime nuk e çante turbullirën më larg se disa cm. Vazhdoja të lëshoja peshën e lidhur në litar dhe njëkohësisht ta tërhiqja atë nga pas ku e mbanin shokët e mi aty lart. Litari ishte gjëja më e çmueshme në këtë rast. Ai ishte filli që më lidhte me jetën dhe që ishte në duar të sigurta. Zhurma e ajrit që dilte nga gojëza më dha të kuptoj se duhej të isha në thellësinë rreth 20 metra, pra në vendin ku shpella zgjerohej dhe pastaj vazhdonte në një grykë më të ngushtë. Këtu ngado kishte vetëm rërë. Kisha arritur në fund. Pra, bukosja kishte ndodhur në 20 metra thellësi, në vendin ku shpella ngushtohej. Pikërisht ne vendin ku unë s’do doja të ndodhte. “Kush e di sa e trashë do të jetë tapa”. Tërhoqa tre herë litarin për të më tërhequr kur në këtë çast mbi trupin tim filloi të bjerë një masë e madhe rërë dhe gurësh të vegjël. Në sekondë në trurin tim vërshuan mijëra mendime paniku.”Mos do të ngelem i varrosur nën rërë këtu në fund të shpellës dhe…?” Ju rashë me forcë këmbëzave për të dalë sipër ortekut nënujor, ndërkohë që mbaja në dorë litarin tërë shpresë. Pak sekonda dhe ndjeva tërheqjen e litarit nga sipër, por paniku ende s’më ishte larguar. Mbi ujë qëndronin shokët, kamera dhe disa vizitorë. “Syri i Kaltër e ka problemin 20 metra thellë,- iu thashë. – Kjo e bën më të vështirë shpëtimin e tij”.