Xhovani Shyti: Berati, qyteti i lindur para Krishtit po përjeton shpërfytyrimin e tij

(Botuar me 14 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Xhovani Shyti-

“Gjithkush është i lirë të banojë ku të dëshirojë”. Ky kushtrim i lëshuar nga e para qeveri postkomuniste solli lëvizjen masive të njerëzve ku mbisunduese mbetet ajo e popullsisë fshatare drejt qytetit. Së bashku me uljen e përqindjes së popullsisë, që banonte nëpër fshatra, politika e lirisë së pakontrolluar solli nëpër qytete edhe jo pak probleme me urbanizim, shpërthimin e veseve, shkulturizimin e qyteteve etj. Po t’u referohesh të dhënave zyrtare vëren se kemi të bëjmë me një fluks të madh lëvizjeje nga fshati në Berat. Në vitin 1990 qyteti numëronte 50 mijë banorë, ndërsa sot 69 mijë e 700 banorë. Gjatë 8 vjetëve të shkuara, numri i të ardhurve llogaritet në mbi 25 mijë vetë, po të mbahet parasysh se më shumë nga 10 mijë beratas janë larguar prej qytetit gjatë 2 viteve të fundit (vetëm gjatë trazirave të 1997 u larguan rreth 3000 familje). Më shumë se 90 për qind e këtyre banorëve të rinj u përkasin trevave fshatare, kurse burime jo zyrtare pohojnë se në të tilla përqindje qëndrojnë edhe autorët e veprave penale, prishësit e urbanistikës, rendit dhe qetësisë publike etj. Nëse deri në vitin 1997 kontingjenti fshatar rreshtohej në sfera jo shumë të rëndësishme të jetës qytetare pas zgjedhjeve të 29 qershorit dhe hipjes në pushtet të PS-së, së bashku me jo pak kuadro të konsumuar të PPSH-së, u ngjitën nëpër kolltukë drejtuesish institucionalë edhe ish kuadrot e kooperativave bujqësore. Aktualisht, përveç bashkisë dhe këshillit të rrethit, që vazhdojnë të drejtohen nga demokratët, pjesa sunduese e institucioneve me vartësi vertikale nga pushteti qendror, drejtohen nga kuadrot fshatare. Kjo gjë ka ndodhur edhe në disa parti politike, shoqata që vetëm kërkojnë të zhvasin etj.

“S’ka gjë më komode se të drejtosh duke patur nën vartësi fshatarët. Ata janë pa gojë, të bindur dhe nuk dinë ta bëjnë dysh urdhrin”, shprehen disa kuadro socialistë, kundërshtarë të politikës “Fshati të drejtojë qytetin”, që po ndjekin drejtuesit lokalë të kësaj partie. Duke mos hedhur plotësisht poshtë këtë akuzë, liderë të kësaj partie argumentojnë se kjo ndodh nga që kuadrot qytetare nuk pranojnë të angazhohen në poste drejtuese dhe jo për komoditet drejtimi. “Kjo nuk është aspak e vërtetë. Krahu qytetar në PS-në tonë është fare i pafuqishëm, kurse ai fshatar kontrollon çdo portofol administrate”, këmbëngulin socialistët e pakënaqur. Sidoqoftë pas këtyre deklarimeve, në faqen qendrore të murit të selisë socialiste, një dorë ka shkruar dukshëm: “PS Fshatare”.

Mozaik administrativ

Persona të punësuar, gjithsej 8630 vetë. Në sektorin buxhetor 4068 vetë, në atë privat 2987 vetë dhe pjesa e mbetur firmos borderotë e sferës jobuxhetore. Persona të papunë konfirmohen 18.285 nga të cilët, 3833 persona i përkasin listës së përkrahjes sociale kurse 902 asistencës sociale. Ndërtime të paligjshme deklarohen 600, duke mos llogaritur ndërhyrjet e bëra nëpër lagjet muzeale Mangalem, Goricë, Kala apo zonat e tjera të këtij brezi.

Deri në vitin 1990 rrethi i Beratit numëronte 800 mijë rrënjë ullinj, nga të cilat 240 mijë i përkisnin Kuçovës. Sipas të dhënave të drejtorisë së bujqësisë, sot rezultojnë të asgjësuara jo pak por 200 mijë rrënjë ullinj, 90 për qind e të cilave nga sëpatat e sharrat dhe vetëm 10 për qind nga sëmundjet… Ndërkohë në qytetin 2400-vjeçar zhvillojnë aktivitetin 48 institucione buxhetore dhe vetëm 19 ndërmarrje, çka do të thotë se mjafton qoftë edhe pak lëvizje e kësaj burokracie, që thith miliarda lekë, do të ulte diçka nga kjo katastrofë shkatërrimtare.

Me çfarë merret konkretisht kjo administratë? Në pjesën dërmuese të deklarojnë realizime planesh mbi 95 për qind, por e sigurt është se shifrat janë tregues realë të harxhimit të letrës dhe bojës. Pushteti lokal beratas është tërësisht i bllokuar jo vetëm si rezultat i lojërave politike por edhe i paaftësisë së punonjësve militantë. “Rinovimi” i kësaj administrate nga socialistët përveçse ka sjellë fryrje të organikave nuk ka prurë ndonjë ndryshim të prekshëm. Matësi i punës vazhdon të mbetet numri i sharjeve në minutë, që lëshon çdo punonjës ndaj partisë kundërshtare, kurse rrugëve të qytetit lundrojnë balta, ujërat dhe plehrat, errësira, grumbujt e mbeturinave dhe dherave të ndërtimeve të cilat i gjen edhe nëpër bulevardin kryesor. Berati vazhdon të mos ketë energji elektrike, një plan urban të miratuar për perspektivën, vazhdon të përmbytet nga ujërat e bardha e të zeza, nga kioskat, tenderët mashtrues dhe mosnxjerrja në dritë e asnjë korrupsioni, allishverishi apo mashtrimi të ish qeverisësve të ndryshuar të akuzuar para 29 qershorit. Administrata e kushërinjve, baxhanakëve, klaneve dhe miqve reagon duke hartuar lista pa fund vetëm kur do ndahen telefona, kur do hapen vende pune në dogana, polici tatimore, ndërmarrjen e karburanteve etj. qoshe ku të jepet mundësia për të ndarë fitimet. Ndërkohë në analizën vjetore të prefekturës raportohet shifra e realizimit të planit të investimeve 97.5 për qind, ndërkohë që jo me vonë se në nëntorin e vitit të shkuar ky realizim shkonte jo më shumë se 50 për qind. ‘Është realizuar projekti për asfaltimin e rrugës agjenci merkato me fond 20 milionë lekë, rikonstruksioni i merkatos me vlerë 23 milionë 800 mijë lekë, mbrojtja e argjinaturës dhe qytetit nga ujërat e sipërme, fondi 3 milionë lekë, rikonstruksioni i rrjetit të ujërave të zeza e të bardha në lagjet “Çlirim” e “Donika Kastrioti” me një fond 1 milion e 234 mijë lekë, ndërtimi i murit mbajtës në lagjen “Kala” me fond 1 milion lekë…” Këto janë disa nga realizimet e të emërtuarve “11 projekte për punët publike”, që të përmendin në bashki, ndërkohë që nëpër disa objekte të përfshira ndër to nuk duken gjurmë asfaltesh e meremetimesh, ndërsa nuk mungojnë edhe ridhënie fondesh pasi janë hedhur nëpër xhepa abuzuesish të parat. Tenderët vazhdojnë të kryhen me shumë “suksese” dhe të emërtuarit “Supervizorë” e që përfaqësojnë palën shtetërore, në këto investime, jo vetëm marrin shpërblimet zyrtare të majme, por nuk mbajnë asnjë përgjegjësi edhe kur investimi del cilësisht i dobët. Mbyllja e vitit 1998, megjithatë, vazhdoi traditën e shpërblimeve zyrtare deri në 5 paga për punonjësit e “varfër” të doganave dhe deri një pagë për të tjerët.

Rendi dhe qetësia

1998-ta në kronikën më të dhimbshme të jetës së prefekturës beratase vjen me 89 persona të vrarë që i bie normalisht 7 persona për çdo muaj. Nga këto, 11 për qind i përkasin sektorit të qarkullimit. Nëse për njësi krahasimi do t’i referohesh vitit të zi 1998, një lloj stabilizimi i policisë dhe rendit qytetës është i dukshëm. Megjithatë, përmbi një vit e gjysmë qeverisje socialiste, nëse do të mbështetej në seriozitetit mund të mos merrte kaq jetë njerëzish. E kriminalizuar dhe e shkatërruar tërësisht gjatë 1997, policia beratase renditet ngamë të suksesshmet midis sferave të jetës lokale. Nën motivacionin e paaftësisë, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës janë nxjerrë në lirim 20 për qind e oficerëve aktivë dhe 25 për qind e nënoficerëve. Sidoqoftë për të tilla motive, të dënueshme penalisht nuk numërohet asnjë person i denoncuar pranë organeve kompetente në 178 veprat penale vjetore rezultojnë të zbuluara 137 vepra, ose 82 për qind e tyre. Pjesa dërrmuese e këtyre veprave vazhdon të mbetet kundër personave, ndërsa për të gjetur 198 të cilësuarit si autorë të tyre janë shoqëruar në polici 1500 persona. Së bashku me bërësit e 41 veprave penale, të pazbuluara gjatë vitit 1998, nuk rezulton i kapur asnjë autor i krimeve të kryera gjatë vitit 1997, megjithëse ka patur “postblloqe dhe kontrolle të befta”, sikurse konfirmojnë burime të brendshme të policisë së rendit. Në 11 aksidentet automobilistike kanë humbur jetën 8 persona dhe krahas 33 automjeteve të bllokuara e 4670 gjobave vazhdon me shumë sukses pajisja me patenta e qytetarëve si edhe pajisja me targa e makinave të ardhura nga jashtë shtetit. Përfoljet për kthimin e këtyre veprimtarive në biznes policor mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht, ndërsa pohohet se brenda vitit janë ndryshuar 3 punonjës të shërbimit të pasaportave për: “shkelje dhe dobësi në punë”, por asnjë nuk është shpënë për ndjekje penale. Sidoqoftë, qytetarët beratas i pranojnë këto suksese veçse nuk besojnë shumë te deklarimet zyrtare. Këtë e tregon edhe numri i denoncimeve të bëra gjatë 366 ditëve të vitit të shkuar: vetëm 16 raste për vjedhje me dhunë nga të cilat policia ka zbuluar vetëm 4.

Deputetët

Qyteti muze ka dy deputetë, F. Rogu i përket PS-së, kurse M. Hasani PK-së. Ky i fundit është i njohur si mbrojtës i hapur i të drejtave të beratasve, kurse Rogu në çantën e zezë mban jo pak materiale komprometuese dhe që i nxjerrin “bojën” jo pak zyrtarëve e partiakëve lokalë. Bashkëpunimi i social-komunistëve qëndron në atë që kur Hasanit i mbarohen “fishekët”, Rogu nuk nguron ta furnizojë me aq sa e quan të arsyeshme. As njëri dhe as tjetri nuk e mohojnë shkatërrimin vajtues të qytetit 2400-vjeçar, sikurse nuk përjashtojnë fshatarizimin drejtues, vazhdimin e korrupsionit dhe allishverishet me tenderët etj. Ndërsa socialisti Rogu beson se gjatë kohës së mbetur të qeverisjes socialiste: “Do të vendosen në vendin e duhur shumë gjëra”, komunisti Hasani është krejtësisht mosbesues ndaj një pohimi të tillë. Ai i konsideron shkatërrimtare dhe të korruptuara si qeveritë e dala nga PD, ashtu edhe këto të PS-së që, sipas tij, deri tani, janë treguar të paafta për të drejtuar. Hasani deklaron se: “Vetëm PK do të jetë në gjendje t’i rikthejë normalitetin jo vetëm Beratit, por edhe gjithë vendit. “Kjo do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme ku Hasani beson se PK do të korrë fitore. Deri atëherë, sipas tij, fatkeqësisht, qyteti i brishtë muze do të vazhdojë të vritet nga paaftësia qeverisëse dhe barbaria qytetaro-fshatare. /XHOVANI SHYTI/

SHKARKO APP