Ylli Pata: Berisha, shansi i humbur

(Botuar me 12 Prill 1998 në KOHA JONE)

Nga Ylli Pata-

Për mazhorancën në pushtet, Sali Berisha e ka mbyllur kapitullin e tij si politikan por qëndron ende në këmbë falë aftësive të tij këmbëngulëse. Në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, janë të shumtë ata që kërkojnë nga ish-Presidenti që sot vazhdon të drejtojë partinë më të madhe të opozitës, të largohet nga politika.

“Berisha e pati shansin e tij të madh për të hyrë me lavdi në politikë dhe për të dalë, po me lavdi prej saj, por e humbi atë” thotë një prej drejtuesve të grupit të PS, Spartak Braho. Duke vlerësuar figurën e kryetarit të shtetit shqiptar, për shtatë vjet radhazi, socialistët shqiptarë tregohen të kujdesshëm pa shprehur kërkesa ekstremiste, që janë dëgjuar shpesh në mitigjet elektorale, që sollën në pushtet mazhorancën aktuale. “Sali Berisha, ka vlera si politikan që është këmbëngulës, energjik dhe i vendosur, por në drejtimin e shtetit shqiptar, ai çoi një popull të tërë drejt greminës. Dhe drejtimi i shtetit nuk është shaka” shprehet Braho. Ndërkohë sipas deputetit të PS, që është anëtar i komisionit “Ngjela”, për hetimet e trazirave të vitit të kaluar, ish-Presidenti duhet të përgjigjet moralisht, politikisht, pse jo dhe ligjërisht për dramën që solli ai për vendin.

“Nuk them të burgoset” thotë Braho, “por duhet të jepet një shembull që të mos përsëriten gjëra të ngjashme nga drejtuesit e tjerë të shtetit”. Mazhoranca aktuale po ndjek një taktikë injorimi ndaj liderit të opozitës, pas serisë së sulmeve që ajo hodhi gjatë fushatës elektorale, por edhe në muajt e parë të qeverisjes. Në këtë kohë, kur partitë që drejtojnë vendin po merret me ndryshimet brenda vetes, liderët kryesorë të këtyre partive, refuzojnë të shprehen për Berishën. Por ata që quhen drejtues të rangut të dytë, të pozicionuar si “skifterët” e partive të koalicionit qeveritar, nuk i kursejnë anatemimet ndaj Sali Berishës.

“Kryetari aktual i PD, e pati zenithin e tij politik, në vitin 1992 dhe Berisha hyri me lavdi në politikë, por ama po del prej saj me turp” tha deputeti i PS, Spartak Braho. “Ndaj është normale që një politikan, akoma më shumë dikush që ka drejtuar shtetin shqiptar për kaq vjet, duhet të ndjejë përgjegjësi për katastrofën që ai la në këtë vend, kur Sali Berisha lëshoi drejtimin e shtetit” shprehet parlamentari socialist. Por duke analizuar me kujdes figurën politike të ish-Presidentit, njerëzit e mazhorancës, i njohin mjaft vlera si politikan kryetarit të PD. Pikërisht këmbëngulja dhe intrasigjenca e Berishës në politikë, duhet të shërbejë si shembull për gjithë politikanët shqiptarë, shprehet pjesëtari i kryesisë së PS. Ndërkohë edhe përfaqësuesit e ekstremit të majtë, të cilët sapo u legalizuan nga Parlamenti, hedhin akuza të forta për liderin demokrat.

Deputeti komunist, Maks Hasani, e krahason Berishën si kapon e një mafie me rrjet të zgjeruar. “Kjo mafie që ka në krye ish-drejtuesin e këtij shteti, synon të rimarrë frenat sërish me mënyrat më të egra dhe të kobshme për popullin tonë, që vitin e kaluar u vra, u sakatua dhe Shqipëria u mbush me varre” thotë Hasani. Sipas tij, populli kërkon largimin e Berishës nga politika dhe këtë mendojnë edhe anëtarët e ndershëm të PS, por thotë deputeti kominist, “ata duhet të bëhen trima dhe ta largojnë kryetarin e tyre nga ai fron që ai nuk e meriton”.

Ndërkohë në lidhje me veprimtarinë aktuale në politikë të Sali Berishës, deputeti socialist, Spartak Braho, thotë që “ Berishës si qytetar dhe si mjek, unë i uroj gjithë të mirat, por si politikan, ai nuk është vetëm një gjenerues i vlerave negative dhe si i tillë, ai duhet të largohet nga skena politike e këtij vendi”.

YLLI PATA

SHKARKO APP