Ylli Rakipi: Nëpunësit e ambasadës italiane demonstrojnë racizëm dhe përçmim
(Botuar me 25 nëntor 1999 në KOHA JONE)
Nga Ylli Rakipi-
Shkëlqesisë së Tij, z. Mario Bova, Ambasador i Republikës së Italisë në Shqipëri
Në vëmendje të z. Umberto Ranieri
Shkëlqesi,
Së pari, dëshiroj t’ju kërkoj ndjesë për kohën që po Ju marr, por mendoj se çështja për të cilën vendosa t’ju drejtohem publikisht nuk është dhe s’mund të jetë jashtë vëmendjes dhe obligimeve Tuaja. Çështja pra, për të cilën vendosa t’ju shkruaj, lidhet me lirinë e lëvizjes si një nga të drejtat themelore të njeriut dhe posaçërisht për lëvizjen e lirë të gazetarit, të cilën hera-herës, sikundër jemi dëshmitarë, edhe vende me regjime autoritare e respektojnë në mënyrë të admirueshme, ndonëse kanë një eksperiencë të pasur në dhunimin e lirisë së individit.
Shërbimi konsullor i misionit Tuaj diplomatik në Tiranë i ka kthyer një përgjigje negative kërkesës së redaksisë së gazetës “Albania” për të rinovuar vizat hyrëse, të cilat i kanë poseduar katër gazetarë ku përfshihet edhe Drejtori, edhe Kryeredaktori i gazetës, një gazetar si dhe një anëtar i stafit të logjistikës. Por, Shkëlqesi, nuk po Ju kërkoj të përdorni autoritetin Tuaj për të revizionuar veprimin e shërbimit Tuaj, të drejtuar nga konsulli Monti.
Kërkesën tonë, për të rinovuar vizat në Ambasadën Tuaj, e shoqëroi një proces hetimor fyes dhe racist, i cili mendoj se nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes Suaj dhe autoriteteve Tuaja në Romë.
Unë i mirëkuptoj vështirësitë me të cilat përballet shërbimi Juaj konsullor, kur një numër i konsiderueshëm çdo ditë përpiqet të emigrojë në Itali apo në vende të tjera perëndimore shpeshherë edhe me mashtrime apo në rrugë klandestine. Dhe kemi qenë dëshmitarë edhe të episodeve tragjike, që kanë shoqëruar përpjekjet për një emigracion klandestin. Kujtoj për shembull vetëm njërin prej rasteve, atë të marsit të vitit 1997, kur më shumë se tetëdhjetë shqiptarë të dëshpëruar, shumica gra dhe fëmijë të hipur në një barkë, u goditën nga një anije lufte italiane dhe gjetën vdekjen. Ashtu siç jemi dëshmitarë kur çdo ditë disa dhjetëra shqiptarë presin me orë të tëra, shpesh me ditë të tëra apo javë, për të siguruar një vizë italiane apo thjesht perëndimore.
Ndërkaq nuk është e pavërtetë të thuhet se mjaft qytetarë shqiptarë arrijnë të sigurojnë viza hyrëse për në Itali përmes mashtrimit. Ka patur mjaft raste denoncimi si dhe ankesa të qytetarëve për shembull se janë mashtruar nga trafikantët dhe nuk i kanë marrë vizat e premtuara.
Ankesat, Shkëlqesia Juaj, Z. Ambasador, flas për ankesat në gazetë, ndonjëherë kanë sjellë edhe raste të çuditshme si për shembull rastet kur qytetarët, që nga halli bien në rrjetën e trafikantëve, ankohen për çmimet e larta që u kërkohen të paguajnë për një vizë italiane, e cila, sipas tyre, nuk kushton më $ 1500, por dyfishin.
Unë mendoj, i nderuari Shkëlqesi, se është pak e vështirë të besohet se tregtarët shqiptarë të vizave mund të jenë të suksesshëm pa ndihmën e tregtarëve brenda shërbimit Tuaj konsullor.
Por, ndërkaq, shtypi, të paktën gazeta “Albania”, që unë drejtoj, ka qenë tepër e vëmendshme për të mos rënë pre e spekulimeve dhe e thashethemeve, duke publikuar akuza të paprovuara për diplomatët. Një gazetare e gazetës “Albania” është pushuar nga puna për faktin se publikoi një raport rreth çështjeve të vizave me Ambasadën Italiane, raport në të cilin nuk kishte fakte të plota dhe të bazuara, të paktën në dy burime.
I nderuari Ambasador,
Unë mendoj gjithashtu se mund të ketë edhe raste kur qytetarë të ndryshëm mund të përpiqen të sigurojnë viza edhe duke u prezantuar si gazetarë, ndonëse duhet të jenë raste të rralla.
Por, nëse drejtori i gazetës “Albania” posedon, midis shumë vizave të vendeve perëndimore, edhe një vizë amerikane njëvjeçare dhe nëse do të kishte vendosur të emigronte jashtë vendit, është pak e vështirë të zgjidhte Italinë dhe jo SHBA-në. Dhe, po kështu, mund të thuhet edhe për të tre gazetarët e tjerë të “Albania”-s, që gjithashtu posedojnë viza perëndimore. Edhe gazetari më i panjohur në Itali, i një gazete lokale, hyn në Shqipëri siç mund të hyjë ministri i Jashtëm i Shqipërisë në Itali.
Drejtori i gazetës “Albania” dhe kolegët e tij, z. Ambasador, u vunë përpara një hetuesie fyese. (Ku do të shkosh në Itali? Përse do të shkosh? Sa para ke në dispozicion? Në cilin hotel do të flesh? Sa ditë do të qëndrosh?)
I nderuari Shkëlqesi,
Teksa nëpunësi juaj kryente këtë hetuesi, mua më kujtohej se gjyshja ime i pati dhënë Marios, një ushtari italian, të cilin familja ime e mbajti me bukë nëntë muaj në kohën kur ra qeveria juaj fashiste, me gjithë varfërinë e atëhershme, edhe një grusht të hollash, sa për cigare, kur ushtari vendosi të kthehej në shtëpinë e vet, në Itali, ndonëse në Shqipëri kishte ardhur si një pushtues.
Nëse ne, shqiptarët, gjendemi përkohësisht në rrethanat e njohura dhe jo aq të pangjashme me historinë tuaj, gjatë së cilës ne kemi treguar bujari dhe fisnikëri, kjo nuk u jep asnjë të drejtë autoriteteve apo institucioneve italiane të demonstrojnë me arrogancë një racizëm primitiv.
Nëse edhe mbi gazetarët, nëpunësit apo doktorët Tuaj demonstrojnë racizëm e përçmim, nuk është e vështirë të kuptohet se si sillen këta me qytetarët shqiptarë, që enden para hekurave të zyrave tuaja në Tiranë.
Shkëlqesi,
Unë mendoj se është e nevojshme që shqetësimi ynë t’u përcillet edhe autoriteteve Tuaja në Itali. Një ligj apo një procedurë ligjore nuk është i vlefshëm për gjithë kohën. Dhe kur një ligj i vjetruar shoqërohet me urrejtje e racizëm është një qind vjet i vjetruar. Liria e individit dhe liria e gazetarit, ku ndër të parat është edhe liria e lëvizjes, s’mund të ketë dy standarde të ndryshme. Dëshiroj t’ju siguroj se është pjesë e angazhimit tim qytetar, sidomos profesional, për ta fituar këtë liri për veten dhe për kolegët e mi.
Pranoni i nderuari Ambasador konsideratat e mia të larta.
Me respekt Ylli Rakipi