Zef Brozi: Disa mendime e sugjerime për Projektkushtetutën e ardhshme të Shqipërisë

(Botuar me 2  Nëntor 1997 në KOHA JONE)

Nga Zef Brozi

Nisur nga dëshira për të dhënë ndihmesën time në hartimin e Projektkushtetutës, që më 1996 fillova studimin e një literature të gjerë në fushën e legjislacionit kushtetues të Amerikës, Europës Perëndimore e Lindore etj. Në tetor-nëntor të vitit të kaluar shkrova katër artikuj: Kushtetutë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë; Të drejtat e njeriut në Projektkushtetutën e ardhshme; Pushteti gjyqësor; Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv.

Këta artikuj ia dërgova mikut tim Frrok Çupi për t’i botuar te “Koha Jonë”. Artikulli i parë është botuar në dhjetor 1996. Natyrisht që më 1996, kur Neodiktatura grabiti edhe një mandat tjetër katërvjeçar, unë synoja të nxisja intelektualët në Shqipëri, e sidomos juristët, që të mos rrinin indiferentë ndaj hartimit të kushtetutës, por t’i paraprinin me artikuj, debate, ide.

Në shkurt 1997 filluan të lindin shpresat se fundi i Neodiktaturës po afrohej dhe dita e Kushtetutës së Re po agonte. Mendova se kontributi më i mirë që mund të bëja për vendin tim ishte të filloja të shkruaja një Projektkushtetutë, me qëllim që të ndihmohej konkretisht e pa humbur kohë Komisioni i Kushtetutës që do të krijohej pas zgjedhjeve të 29 qershorit. Pas takimeve e konsultave me disa profesorë të disa Universiteteve Amerikane e që kishin përvojë në legjislacionin kushtetues të Evropës Lindore postkomuniste, pas bisedave edhe me disa intelektualë shqiptarë në Amerikë dhe pas korrespondencave me juristë dhe përfaqësues të disa partive opozitare në Shqipëri (të cilët e mirëpritën propozimin që u bëra që të fillonim të shkruanim një Projektkushtetutë), nisa shkrimin e Projektkushtetutës. Deri në korrik përfundova tre kapituj: Presidenti, Qeveria, Gjyqësori. Këta kapituj dhe 4 artikujt që kisha shkruar më 1996 ua kam dërguar disa anëtarëve të Komisionit Kushtetues dhe ministrit Imami.

Më poshtë do të jap shumë shkurt disa mendime konkrete vetëm për disa çështje të Kushtetutës.

  1. Është shumë i rrezikshëm mendimi se Projektkushtetuta mund të shkruhet shpejt, pasi mjafton t’i bëhen disa ndryshime e shtesa Projektit të 1995 (të përgatitur nga disa parti opozitare) dhe ligjeve kushtetuese në fuqi a projekteve të tjera. Po të veprohet kështu, do t’i bëhej dëmi më i madh Shqipërisë pas dramës që përjetoi.

Ligjet dhe projektet e deritanishme dëshmuan se nuk vendosin e garantojnë shtet demokratik. Ato janë kritikuar nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtare. Edhe Projektit të 1995-ës vetëm CEELI (Institucion Amerikan me mjaft kredibilitet në Amerikë dhe me një njohje të mirë për Shqipërinë) i ka bërë 56 faqe komente e vërejtje parimore. Pra duhen zgjidhje krejt të reja që t’i hapin shtigjet dhe të garantojnë demokracinë e vërtetë në Shqipëri. Ligjet kushtetuese dhe projektet e deritanishme kanë një vlerë: ato na mësojnë se Kushtetuta e Re nuk duhet të ketë ngjasime me to. Edhe mendimi se mund të merret si model Kushtetuta e një vendi Perëndimor dhe të “kopjohet” është jo i drejtë. Përvoja e huaj duhet njohur, por ajo nuk mund të kopjohet. Aftësia e Komisionit është që ta shfrytëzojë përvojën e huaj për të gjetur zgjidhjet më të mira në kushtet e Shqipërisë.

  1. Kushtetuta duhet të realizojë ndarjen dhe balancimin e tre pushteteve. Kjo përbën çështjen më delikate të Kushtetutës dhe detyrën më të vështirë që ka komisioni. Unë mendoj se secili nga këto pushtete duhet të ketë kompetencat e nevojshme për një qeverisje efektive. Por asnjë pushtet nuk duhet të ketë mbipushtet dhe asnjë pushtet nuk duhet të lihet pa pushtet. Asnjë pushtet nuk duhet të jetë i pakontrollueshëm. Kryesore është që popullit t’i lihet realisht e drejta e kontrollit mbi të tre pushtetet. Populli ka të drejtë të ndryshojë qeverinë kur ajo nuk i shërben më atij, por i shërben vetes me korrupsion e krim. Të tre këto pushtete bashkëveprojnë, por pa ndërhyrë në kompetencat e njëri-tjetrit. Kushtetuta duhet të japë zgjidhjet më të përshtatshme edhe të kontrollit të pushteteve.
  2. Presidenti. Mendoj se duhet të zgjidhet me votim direkt nga populli në çdo katër vjet me të drejtë rizgjedhjeje vetëm edhe për një mandat tjetër. (Duke qenë se Presidenti aktual sapo është zgjedhur nga Parlamenti pluralist i dalë nga zgjedhje që u vlerësuan pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare, duke qenë se tani Shqipërisë i kërkohet t’i vihet punës për ndërtimin e vendit të shkatërruar e për të dalë nga varfëria ekstreme; duke qenë edhe se zgjedhjet kushtojnë shumë para e kohë, unë sugjeroj që në dispozitat kalimtare të Kushtetutës të ketë një nen ku të thuhet se Neni X (zgjedhja e presidentit nga populli) hyn në fuqi me mbarimin e mandatit të presidentit aktual. Zgjidhje të kësaj natyre janë dhënë edhe në Kushtetuta të tjera. Në këtë mënyrë Presidenti: a) del si përfaqësues jo i një partie politike, por i shumicës së popullit; b) ushtron në mënyrë më të pavarur kompetencat që ka; c) është më i prirë drejt ekuilibrit të pushteteve.

Mendimi se vetëm në republikat presidenciale, presidenti zgjidhet direkt nga populli, nuk është i bazuar në realitetin e sotëm. Në mjaft vende, përfshirë edhe ato të Europës Lindore, edhe pse në Kushtetutë kanë fiksuar formën “republikane” të qeverisjes, presidenti zgjidhet nga populli. Presidenti nuk duhet të jetë një figurë “kukull”, por të ketë kompetencat e nevojshme, të cilat nuk arrijnë në pushtet absolut të tij. Presidenti duhet të ketë të drejtën e vetos, si një mjet kontrolli dhe ekuilibri ndaj Parlamentit (sidomos ndaj rreziqeve të tiranisë parlamentare).

Mendoj se Presidenti nuk duhet të ketë të drejtë të nxjerrë dekretligje normative. Përvoja tregon se është abuzuar me këtë kompetencë dhe është shmangur Parlamenti si organi që bën ligjet. Midis Presidentit dhe Parlamentit duhet vendosur një balancim më i mirë pushtetesh: për emërimet e zyrtarëve presidentit t’i lihet e drejta e emërimit, në konsultim dhe me miratimin e Parlamentit. Pra Presidenti propozon gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Kryeministrin, ambasadorët etj. dhe Parlamenti i miraton kandidaturat. Parlamenti edhe mund të mos e miratojë kandidatin e propozuar e Presidenti duhet të përzgjedhë kandidaturë tjetër. Kompetencat dhe strukturat e Qeverisë duhet të caktohen me ligj. Qeveria duhet të ketë më shumë kompetenca dhe përgjegjësi për zbatimin e ligjeve të miratuara nga Parlamenti. Në këtë aspekt edhe kontrolli mbi Qeverinë duhet të jetë më i plotë.

  1. Pushteti Gjyqësor

Një Kryetar i Gjykatës së Lartë ka të SHBA ka thënë se “Drejtësia është Roje e Lirisë”. Dhe me këtë ai nënkuptonte gjykatat e pavarura. Përvoja jonë e këtyre viteve dëshmoi se demokracia varroset kur gjykatat bëhen shërbëtore të bindura të politikës. Pra, në mënyrë të veçantë, Kushtetuta e Re duhet të garantojë realisht pavarësinë e gjyqësorit. Nëse nuk e bën këtë, ajo nuk do jetë Kushtetuta e “lirisë dhe demokracisë”. Kjo bëhet e mundur vetëm duke mohuar praktikat dhe zgjidhjet e derisotme lidhur me emërimin dhe heqjen e gjyqtarëve, administrimin e gjykatave dhe buxhetin e gjyqësorit. Kushtetuta duhet të garantojë pavarësinë funksionale, administrative dhe buxhetore të gjykatave.

Për këtë unë sugjeroj: a) Të mos ketë më Këshill të Lartë të Drejtësisë, i cili ka qenë mjet i dhunimit të pavarësisë së gjykatave dhe komandohej e komandohet nga Ekzekutivi. Në vend të tij duhet të krijohet Këshilli Gjyqësor Kombëtar ku të bëjnë e pjesë vetëm gjyqtarët (që përbëjnë mazhorancën dhe zgjidhen nga vetë gjyqësori), avokatë (që zgjidhen nga mbledhja e përgjithshme e avokatëve) dhe profesorë të Fakulteteve të Drejtësisë që zgjidhen nga vetë pedagogët. Kryetar i këtij këshilli është kryetari i Gjykatës së Lartë. As Presidenti, as ministri i Drejtësisë, as prokurorë dhe askush tjetër nuk duhet të jenë anëtarë të tij. Kompetencat kryesore të Këshillit Gjyqësor Kombëtar janë: a) Përzgjedh me konkurs kandidatët për gjyqtarë dhe punonjës të administratës gjyqësore; b) Jep masat disiplinore (përfshirë edhe largimin nga detyra) ndaj gjyqtarëve të Apelit, gjyqtarëve të rretheve e gjykatave të tjera më të ulëta; c) Përgatit projektbuxhetin e gjyqësorit në bashkëpunim me të gjitha gjykatat dhe ia paraqet atë Parlamentit ku edhe e mbron me anë të përfaqësuesve të vet. Qeveria nuk ka të drejtë t’i bëjë ndryshime këtij projektbuxheti; d) Harton rregulloren e gjykatave të apelit e të rretheve dhe ia paraqet për miratim Gjykatës së Lartë; e) Organizon kualifikimin e gjyqtarëve dhe personelit të gjykatave.

Ndryshimi më thelbësor ka të bëjë me mënyrën e heqjes së gjyqtarëve nga Këshilli Gjyqësor Kombëtar. Kushdo ka të drejtë t’i paraqesë atij ankesë për sjelljen, qëndrimet dhe korrupsionin e gjyqtarit duke dhënë fakte e prova. Në marrjen e kësaj ankese Këshilli Gjyqësor bën hetimet, dëgjon në seancë gjyqtarin përkatës dhe administron provat dhe pastaj merr vendim. Kundër vendimit të heqjes, gjyqtari ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Lartë, vendimi i së cilës është përfundimtar.

Një procedurë e tillë ka shumë anë pozitive: forcon kontrollin e qytetarëve mbi gjyqtarët, mënjanon presionin e pushteteve të tjerë ndaj gjyqtarëve, rrit përgjegjësinë e vetë gjyqësorit për të ruajtur prestigjin e tij duke ndëshkuar gjyqtarët që cenojnë kodin e etikës gjyqësore ose që janë të korruptuar. Pra është garanci për pavarësinë e gjyqësorit. Gjykata e Lartë (kështu duhet të emërohet) duhet të përbëhet nga 9 gjyqtarë, të cilët emërohen nga Presidenti me miratimin e Parlamentit. Ata emërohen për një afat 12 vjeçar. Në fund të këtij mandati gjyqtari rivotohet për të vazhduar ose jo në një mandat tjetër. Nëse ai rizgjidhet, bëhet i përjetshëm. Në kushtet e Shqipërisë, unë mendoj se vetë gjyqtarët nuk i plotësojnë kushtet e duhura profesionale e morale që të jenë të përjetshëm. Por kushtetuta lë shtigje të hapura që gjyqtari i ndershëm e kompetent të bëhet i përjetshëm. (Disa mund të thonë që në Shqipëri mund të ndodhë e kundërta).

Gjykata e Lartë duhet të ketë më shumë kompetenca në unifikimin e praktikës gjyqësore. Vendimet e saj për çështje analoge duhet të jenë të detyrueshme për të gjitha gjykatat. Të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë duhet të botohen si nga botues zyrtarë, ashtu edhe nga botues privatë të specializuar për botime ligjore. Mendoj se nuk duhet të ketë Gjykatë Kushtetuese, e cila ishte dhe mbetet institucion politik e jo gjyqësor. Të drejtat dhe liritë e njeriut mbrohen më mirë kur çdo gjykate dhe gjyqtari i lihet e drejta e rishikimit kushtetues në rastin e gjykimit të çështjeve konkrete. Disa kompetenca që ka Gjykata Kushtetuese mund t’i kalojnë Gjykatës së Lartë. Pra Gjykata e Lartë ka të drejtën e rishikimit kushtetues. Edhe në aspektin ekonomik, Shqipëria e varfër nuk duhet e nuk mund të mbajë një Gjykatë me rroga të larta (kuptohet se flitet për nivelin e pagave në Shqipëri) që gjykon vetëm 1520 çështje në vit. Ky është luks, që as Amerika nuk e ka dhe nuk e lejon.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mund të hiqen vetëm me anë të impicmentit (akuzë) në Parlament me votën e jo më pak se dy të tretave të të gjithë anëtarëve. Gjyqtari ka të drejtën e mbrojtjes në Parlament. Gjyqtarët e gjykatave të apelit mund të emërohen nga Presidenti sipas kandidaturave të përzgjedhura nga Këshilli Gjyqësor Kombëtar. Ata mund të zgjidhen për një afat 7-vjeçar pa kufizime për t’u rizgjedhur.

Gjyqtari që zgjidhet në tre mandate bëhet gjyqtar i përjetshëm. Gjyqtarët e rretheve dhe gjykatave të tjera më të ulëta mund të zgjidhen direkt nga populli. Kandidatët për gjyqtarë në këto gjykata përzgjidhen me konkurs nga Këshilli Gjyqësor Kombëtar. Kjo mënyrë është efektive për të luftuar korrupsionin në gjykata. Një mënyrë tjetër mund të jetë emërimi i tyre me konkurs nga Këshilli Gjyqësor Kombëtar ose nga Gjykata e Lartë. Mundet që këta gjyqtarë të emërohen nga Presidenti sipas kandidaturave të propozuara nga Këshilli Gjyqësor Kombëtar. Këta gjyqtarë zgjidhen ose emërohen për 5 vjet pa kufizime për t’u rizgjedhur ose riemëruar. Gjyqtari që zgjidhet në katër mandate bëhet i përjetshëm.

Nga zgjidhjet e mësipërme realizohet kontrolli dhe balancimi i pushtetit gjyqësor me legjislativin dhe ekzekutivin të cilët kanë rol të madh në emërimin e gjyqtarëve, dhënien e buxhetit të nevojshëm për gjykatat, miratimin e ligjeve që lidhen me gjyqësorin etj. Por garantohet edhe pavarësia e gjykatave, sepse në heqjen e gjyqtarëve ekzekutivi nuk ka më rol, nuk mund t’i frikësojë dhe ndëshkojë gjyqtarët që japin vendime që nuk pëlqehen nga ai. Gjithashtu gjyqësori ka të drejtën e rishikimit gjyqësor të akteve të legjislacionit dhe ekzekutivit në rastet e çështjeve konkrete që i paraqiten për gjykim. Pra gjykatat janë “të varura” në masën e pranueshme të përcaktuar nga Kushtetuta e ligjet dhe të pavarura në ushtrimin e funksionit të tyre. Nga një zgjidhje e tillë gjykatat bëhen vërtetë roje e lirisë së qytetarëve, pa të cilën fjala demokraci është artikulim hipokrit i politikanëve.

Boston University SHBA, tetor 1997

SHKARKO APP