Zef Brozi: Drama që i shkaktoi Berisha, Shqipërisë
(Botuar me 8 janar 2003)
Nga Dr. Zef Brozi
Fillimisht, mendimi për të shkruar këtë artikull më lindi pasi lexova dy artikuj në shtypin amerikan ku jepen fakte të veprimtarisë së terroristëve islamikë në Shqipëri dhe vende të tjera. Sigurisht që një temë e tillë është delikate dhe për ata që nuk duan ta pranojnë të vërtetën, ky shkrim mund të ngjallë edhe reagime, edhe akuza të pavend.
Thelbi i këtij artikulli ka të bëjë me përgjigjen rreth dy pyetjeve: 1) A ka pasur dhe a ka aktivitet të organizatave terroriste në Shqipëri? 2) A ka ndonjë lidhje midis futjes së Shqipërisë në Konferencën Islamike dhe fundamentalizmit dhe terrorizmit islamik në Shqipëri?
Duhet të jemi realistë dhe të mos i paragjykojmë përgjigjet për këto çështje aq të ndjeshme sidomos pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001 kur Civilizimi dhe Demokracia Perëndimore pësuan goditjen e paprecedent të terroristëve islamikë. Unë mendoj se përgjigjja për të dyja pyetjet e mësipërme është PO dhe më poshtë do të jap argumentet e mia lidhur me këtë. Faktet e botuara kohët e fundit provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se organizatat terroriste islamike që lidhen me Al-Qaeda-n e Osama Bin Ladenit kanë pasur rrjetin dhe aktivitetin e tyre edhe në Shqipëri pas vitit 1990. Këto fakte janë pasqyruar në artikullin: “An Investigation in Egypt ilustrates Al Qaeda’s Web”, botuar në The New York Times të datës 21 nëntor, 2001 dhe artikullin e botuar në “The Wall Street Journal” të datës 20 nëntor 2001: “ACIA-Backed Team Used Brutal Means To Crack Terror Cell. – Albanian Agents Captured Egyptians, Who Alleged Torture Back in Cairo.- US Tutorials . Surveillance”.
Emri i Shqipërisë përmendet edhe në shumë libra të shkruara për terrorizmin. Kështu p.sh. në librin “Bin Laden, The Man Who Declared War on America” (Bin Ladeni, burri që i shpalli luftë Amerikës”, botuar më 1999 me autor Yossef Bodansky (Director of the House Task Force on Terrorizm and Uconventional Warfare) në faqet 253-258 dhe 298, ku flitet për Shqipërinë, ndër të tjera shkruhet: “Vonë më 1998, pavarësisht nga rritja e presionit të Inteligjencës të U. S. (CIA-ZB) dhe aleateve të saj lokale, rrjeti islamik terrorist në dhe nga Shqipëria vazhdoi të zgjerohej.
Nga fundi i nëntorit një rrjet i ri i përbërë nga mbështetës të Bin Ladenit filloi të ngrihej në Shqipëri nën maskën e organizatave të ndryshme bamirëse myslimane. Mbikëqyrës i këtyre aktiviteteve është inxhinieri Muhammad al Zawahiri. Edhe në librin “Inside the Secret World of Osama Bin Laden” (Brenda botës sekrete të Osama Bin Ladenit), shkruar nga Peter L. Bergen, NY 2001, në faqen 195 përmendet edhe Shqipëria si një nga vendet e rrjetit terrorist të Bin Ladenit. Në të dy artikujt e sipërcituara ku flitet për veprimtarinë e organizatave terroriste islamike Xhihad dhe Al Qaeda, vendi që përmendet shumë është emri i vendit tonë, “Albania”.
Me fakte të shumta sidomos nga procesi gjyqësor në vitin 1999 në Egjipt kundër 107 të arrestuarve anëtarë të Xhihadit Islamik dhe Al Qaedas së Bin Ladenit, të dy artikujt provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se Shqipëria që nga viti 1992 ka qenë një vend ku terroristët islamikë gjetën terren të lirë për aktivitetin e tyre. Madje edhe vetë procesi gjyqësor u quajt “Gjyqi i të kthyerve nga Shqipëria” (“The trial of the Albanian returnees”).
Le të citojmë disa paragrafë të artikullit të “New York Times”: “Shtrirja e rrjetit të Xhihad-it pasqyrohet nga vendet ku u arrestuan 107 të pandehurit e gjyqit të 1999-ës në Shqipëri, Bulgari, Azerbajxhan, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipt. Ky ishte gjyqi më i madh kundër terroristeve që nga gjyqi i anëtarëve të Xhihad-it më 1981 për vrasjen e Sadat-it. Në çfarë u bë e njohur këtu si “gjyqi i të kthyerve nga Shqipëria, “gjykata dënoi 87 vetë dhe dënoi me vdekje 10 prej tyre, përfshirë Dr. Zawahir, që u gjykua në mungesë”. “Rrjeti kishte llogari bankare në shumë vende, Angli, Gjermani, Poloni dhe Shqipëri…”Zoti Naggar, anëtar i Xhihadit, e lidhte Bin Ladenin direkt me rrjetin në Shqipëri…”
Mundet që dikush të thotë se këto fakte nuk janë të vërteta, këta artikuj janë shpifje, janë shkruar nga keqdashës e tendencioze ndaj shqiptarëve. Është e vërtetë se disa herë në shtypin dhe median e huaj, pra edhe në atë Amerikan është shkruar e folur për Shqipërinë. Në disa prej këtyre shkrimeve ka pasur edhe dashakeqësi, edhe të pavërteta. Është detyrë e komunitetit shqiptar të Amerikës që të mos qëndrojmë indiferent ndaj shkrimeve të tilla. Edhe për shkrimet që pasqyrojnë fakte të vërteta rreth Shqipërisë, unë mendoj se përsëri ne si komunitet duhet të luajmë rolin tonë: të sqarojmë të vërtetat, të ndikojmë në qeverinë shqiptare për korrigjimin e gabimeve të kaluara e të sotme, t’u përgjigjemi me dinjitet shkrimeve dhe opinioneve dashakeqëse. Roli i komunitetit shqiptar të Amerikës është edhe pasja e një lobi të fortë shqiptaro-amerikan (duke lënë mënjanë ndarjet që vijnë nga bindjet e ndryshme politike, nga përkatësitë fetare e zonale), që të bashkëpunojë dhe influencojë në institucionet amerikane lidhur me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe vende të tjera ku banojnë shqiptarë.
Edhe unë do të dëshiroja që faktet e dhëna në këto artikuj dhe botime të tjera të mos ishin të vërtetë dhe vendi im që shtrihet në një pozicion të mrekulluar të Evropës të mos i zihej emri si strehë e terroristëve të largët islamikë. Por faktet janë kokëfortë. Pa le kur edhe institucionet shtetërore amerikane e citojnë këtë të vërtetë. Kështu më 18 dhjetor 2001 në fjalën e tij në Senatin Amerikan para Komitetit për Terrorizmin, Nëndrejtori i Divizionit të FBI për Terrorizmin, J. T. Caruso, duke raportuar për Al-Qaeda-n Ndërkombëtare e rendit Shqipërinë në listën e vendeve ku veprojnë organizata islamike terroriste që lidhen me Al-Qaedan.
Kjo e vërtetë është e dhimbshme për çdo shqiptar dhe vetë ne shqiptarët nuk duhet të heshtim përballë të vërtetave, edhe kur ato janë në disfavorin e vendit tonë. Ne duhet të punojmë që të vërtetat për Shqipërinë e nesërme të mos kenë asnjë shëmbëlltyrë me të tilla të vërteta që na bëjnë të na skuqet faqja, pavarësisht se politikanët shqiptarë as skuqen, as zverdhen. Shqipëria nuk duhet të lejohet të kthehet në një bazë të terroristëve ndërkombëtarë islamikë. Është pozitiv fakti se më 11 shtator 2001 populli shqiptar dhe politikanët shqiptarë e dënuan aktin tragjik të terroristëve islamikë kundër Amerikës dhe Shqipëria po bashkëpunon dhe jep kontributin e vet në këtë luftë të gjatë e të vështirë, në këtë luftë që ka të bëjë me mbrojtjen e civilizimit dhe demokracisë.
Pyetja e parë që na lind është: Pse politikanët shqiptarë të këtyre 10 viteve të fundit e devijuan moton e revolucionit antikomunist studentor të Dhjetorit 1990: “E DUAM SHQIPERINE SI EUROPA”?
Si dëshmitar dhe pjesëmarrës në lëvizjen madhore studentore të Dhjetorit 1990, si një ndër përfaqësuesit e pedagogëve dhe studentëve që më 11 dhjetor 1990 morën pjesë në takimin me Ramiz Alinë për t’i paraqitur kërkesat e Lëvizjes Antikomuniste Studentore dhe si ish-deputet i PD në vitet 1992-1993, përsëris të vërtetën e njohur se kërkesat kryesore të kësaj lëvizjeje ishin: 1) Pranimi i pluralizmit politik, 2) Zgjedhje parlamentare pluraliste, të lira e të ndershme, 3) Integrimi i Shqipërisë në institucionet Evropiane e Perëndimore, 4) Përparësi marrëdhënieve me Amerikën, 5) Zhvillimi i ekonomisë së tregut, 6) Demokratizimi i vendit dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Lëvizja Antikomuniste e Studentëve dhe e popullit shqiptar asnjëherë nuk pati në objektivat e saj futjen e Shqipërisë në Konferencën Islamike dhe dhënien e ngjyrimeve fetare shtetit shqiptar.
Si hyri dhe pse Shqipëria nuk e ka vendin në Konferencën Islamike?
Shumë nga politikanët shqiptarë tashmë 10 vjet nuk e kanë analizuar sinqerisht dhe seriozisht mënyrën antikushtetuese dhe qëllimet djallëzore e antishqiptare të pranimit në Konferencën Islamike dhe nuk kanë marrë asnjë hap konkret për korrigjimin e së keqes. Për më keq, kur pas akteve terroriste të 11 shtatorit 2001 një deputet në Parlamentin e Shqipërisë kërkoi daljen e vendit tonë nga Konferenca Islamike, një valë akuzash u derdhen mbi të, madje edhe nga disa që në vitin 1992 kur ishin opozitë kishin kundërshtuar një akt të tillë të Presidentit të atëhershëm.
Le të diskutojmë duke lënë mënjanë përkatësitë fetare dhe duke u nisur vetëm nga një princip, nga principi i shqiptarizmit, nga kriteri se sa i shërbeu dhe i shërben Shqipërisë qenia në Konferencën Islamike. Është e vërtetë ajo që shkruhet në artikullin e sipërpërmendur të New York Times: “Shqipëria, të cilën tranzicioni kaotik nga regjimi komunist pas 1990 e ktheu atë në një magnet për terroristët, ishte shteti i parë Evropian që u bashkua me 50 anëtarët e Organizatës së Konferencës Islamike.”
Ishte më sa mbaj mend vjeshta e vitit 1992 kur shqiptaret dhe shumica e politikanëve shqiptarë mësuan papritur se Presidenti i tyre në një vend të largët arab nënshkroi aktin e futjes së Shqipërisë në Konferencën Islamike. Ky njoftim shkaktoi menjëherë reagime të ashpra në radhët e vetë Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj, në radhët e opozitës së asaj kohe dhe në popull. Në atë kohë, unë isha deputet i PD dhe Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Parlament. Mbaj mend se kur mësuam lajmin se Presidenti na futi në Konferencën Islamike, ishim në një nga sallat e Muzeut Kombëtar ku behej mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD në të cilën merrnin pjesë edhe deputetët e PD, mes të cilëve edhe unë. Mbledhjen e drejtonte kryetari i PD, Eduard Selami, i cili që nga viti 1996 ndodhet në Amerikë. Pjesëmarrësit kërkuan urgjentisht që të vinte në mbledhje Presidenti Berisha për të dhënë shpjegime mbi aktin arbitrar, antikushtetues dhe të fshehtë të futjes në Konferencën Islamike. Kur Presidenti Berisha hyri në sallë, akoma pa u ulur mirë në karrigen e tij, të parët që u ngritën dhe i kërkuan shpjegime për aktin e tij të paprecedent ishin disa deputetë dhe aktiviste të PD që ishin të fesë myslimane.
Ja disa nga pyetjet që iu bënë Presidentit:
-Kush ju ka autorizuar që të na futni në Konferencën Islamike? Çfarë duam në Konferencën Islamike? Pse shkel Kushtetutën? Pse nuk është diskutuar kjo çështje më parë sipas procedurës kushtetuese? Pse nuk je konsultuar me grupin tonë Parlamentar? Cilat janë motivet që të shtynë në këtë akt të paligjshëm? Vetë Kryetari PD se Shqipërisë, një ndër drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Antikomuniste dhe themelues i PD, miku im Eduard Selami, në atë mbledhje kundërshtoi haptazi Presidentin Berisha dhe futjen e Shqipërisë në Konferencën Islamike, theksoi se ne jemi në Evropë dhe vendi i Shqipërisë është në institucionet Perëndimore. Politika e PD duhet t’i përmbahet këtij orientimi dhe të realizojmë premtimet që i bëmë popullit për hapjen dhe integrimin e Shqipërisë me botën e civilizuar Perëndimore dhe institucionet e saj. Mbaj mend se një pjesëmarrës në mbledhje, një mysliman ish i persekutuar politik, bëri debat aq të ashpër me Presidentin dhe në shenjë proteste ai u largua nga salla. Nga ajo mbledhje u pa se edhe vetë politikanët shqiptarë të fesë myslimane nuk donin që Shqipëria të futej në Konferencën Islamike dhe se një akt i tillë ishte veprim i nxituar dhe tepër sekret i Presidentit Berisha. Asnjë negociatë paraprake nuk ishte bërë, asnjë diskutim ne Parlament nuk ishte bërë, asnjë gjë lidhur me këtë nuk ishte bërë publike më parë. Shumica e shqiptarëve, mes të cilëve edhe unë, ende nuk e dinim se ekzistonte një Konferencë Islamike. Asgjë nuk dihej për programin, qëllimin dhe kushtet e kësaj konference. Ato mund t’i kishte mësuar vetëm Presidenti shqiptar me dy-tre administratorë servilë. Argumentimi që Presidenti bëri se: “Ne jemi një vend më 70 për qind të popullsisë myslimane” nuk përligj motivet e fshehta të tij. Në vitin 1992 populli ishte i sapodalë nga dekadat e ndalimit të fesë, nga gjendja ateiste që iu imponua nga komunizmi. Pra në vitin 1992 shumica e shqiptarëve nuk kishin hyrë ende në ndonjë ceremoni fetare në xhami, kishë a teqe dhe as kishin pasur rastin të lexonin Kuranin a Biblën. Pra shqiptarët, përveç të moshuarve, ende nuk ishin transformuar nga ateistë në fetarë dhe mbase ende nuk dinin në thelb se çfarë është islamizmi apo kristianizmi. Madje, moshat e reja, që përbënin shumicën e popullsisë së vendit, as që dinin se çfarë feje do të zgjidhnin, pasi secili ka të drejtë të zgjedhë atë fe që preferon, pavarësisht se i çfarë feje ka qenë babai, gjyshi e stërgjyshi. Askush, pra as Presidenti Berisha nuk kishte të drejtë të paracaktonte preferencat fetare të rinisë shqiptare dhe të askujt. Për më tepër, referimi në statistikat fetare të kohës së mbretit Zog nuk i përgjigjet realitetit të ri shqiptar. Dihet se që nga viti 1990 e deri më sot me qindra mijëra shqiptarë kanë emigruar në vendet Perëndimore dhe kanë përqafuar kulturën e atyre vendeve ku jetojnë. Për më tepër martesat midis shqiptarëve me fe të ndryshme kanë qenë e janë një dukuri e zakonshme në Shqipëri. Janë jo të pakta martesat midis myslimanëve e kristianëve. Unë vetë dhe shumë te afërm të mi jemi martuar me vajza që vijnë nga familje myslimane dhe nuk kemi pasur as kemi ndonjë paragjykim fetar. Është koha që të bëhen regjistrime serioze edhe për ndryshimet e strukturës së popullsisë shqiptare sipas përkatësisë fetare dhe të mos abuzohet me shifrat e 70 viteve më parë, apo me shifrat e kohës së sundimit otoman. Duke e futur Shqipërinë në Konferencën Islamike Presidenti do te jepte edhe shkëndijat e njëfarë përçarjeje fetare, e njëfarë fundamentalizmi islamik në një kohë kur populli shqiptar njihet për tolerancën dhe bashkëjetesën e qetë midis myslimanëve e kristianëve. Ndërsa, për përkatësinë e hershme fetare të popullit shqiptar para pushtimit otoman dhe vlerat e civilizimit, ju lutem lexoni të madhin e kombit shqiptar, shkrimtarin e përmasave botërore dhe Atdhetarin e mençur e të zjarrtë, Ismail Kadare. Edhe vetë Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) mori përmasa të mëdha Evropiane e më gjerë edhe për faktin se shtetet perëndimore e konsiderojnë si mbrojtës të civilizimit evropian.
Futja në Konferencën Islamike, dhunim flagrant i Kushtetutës së Shqipërisë
Një argument tjetër pse shteti shqiptar nuk duhej dhe nuk duhet të bëjë pjesë në Konferencën Islamike është vetë Kushtetuta e Shqipërisë, ku thuhet se shteti është i ndarë nga feja.
Pra është detyrim kushtetues që shteti të mos marrë iniciativa dhe të mos anëtarësohet në organizata e konferenca fetare. Pra ish-Presidenti shqiptar dhunoi haptazi ligjet kushtetuese që Parlamenti dhe vetë Ai miratuan pas fitores së PD në mars të 1992. Natyrisht që liria fetare është një tregues i respektimit të të drejtave të njeriut dhe përfshihet në konventat ndërkombëtare. Amerika mbetet simboli shkëlqyer edhe për liritë fetare. Në këtë vështrim komunitetet fetare të çdo përkatësie në Shqipëri, duke respektuar ligjet e shtetit, mund të kenë të drejtë të vendosin vetë se në çfarë aleancash e konferencash duhet të përfshihen e marrin pjesë. Pra ishte e drejtë e Komunitetit Mysliman shqiptar që të vlerësonte dhe vendoste nëse ai si komunitet dhe jo Shqipëria, të merrte ose jo pjesë në Konferencën Islamike dhe jo ky vendim të merrej nga shteti shqiptar, nga Presidenti i asaj kohe.
Asnjë fe në Shqipëri nuk mund të përfaqësojë shtetin shqiptar, dhe as shteti nuk mund të përfaqësojë ndonjë fe. Pranimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike ishte krejtësisht i paligjshëm pasi nuk është respektuar procedura dhe formalitetet e kërkuara ligjore. Dihet se për pranimin e Shqipërisë në organizata, konferenca e bashkime të tjera ndërkombëtare shtetërore Kushtetuta (Paketa e Ligjeve Kushtetuese e asaj kohe) dhe ligjet e Shqipërisë parashikojnë një procedurë të caktuar që nuk mund ta shkelë askush, pra as Presidenti. Kështu për shembull për pranimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës janë bërë konsultime, diskutime, shkëmbime delegacionesh parlamentare, qeveritare dhe specialistësh etj. Procedura ka zgjatur rreth pesë vjet dhe marrëveshja është miratuar nga Parlamenti shqiptar. Publiku shqiptar ka qenë i mirinformuar përmes shtypit dhe medias shtetërore e private gjatë gjithë këtyre fazave dhe bisedimeve për anëtarësim. Aktualisht, për pranimin e Shqipërisë në BE dhe organizma të tjerë Evropiane, edhe pse Shqipëria është pjesë e Evropës, negociatat mes shtetit shqiptar dhe këtyre organizmave marrin vite. Natyrshëm lindin pyetjet: Pse Presidenti shqiptar nxitoi të lidhej në mënyrë sekrete me vendet islamike?
A i interesonte një gjë e tillë Shqipërisë që kishte vuajtur nga diktatura dhe prapambetja për shkak se Fuqitë e Mëdha për fatin e saj të keqe lanë në aleancat e Europës Lindore?
Pse asnjë shpjegim publik nuk kanë dhënë Presidenti dhe zyrtarët shqiptarë për këtë Konferencë? Deri me sot ish-Presidenti nuk i është përgjigjur pyetjes: Pse ai e bëri në mënyrë te fshehtë pranimin e Shqipërisë në Konferencën Islamike? Me kë e hartoi një plan të tillë antishqiptar? Dhe me sa duket ai kurrë nuk do t’i përgjigjet sinqerisht kësaj pyetjeje. E dyshimtë mbetet edhe zhdukja (nëse kjo është e vërtetë) pas 1997 -ës nga zyrat e Ministrisë së Jashtme dhe Presidenca e gjithë dokumentacionit që lidhet me pranimin e Shqipërisë në këtë Konferencë. Faktet e mëvonshme në Shqipëri si edhe ato të 11 Shtatorit 2001 në Amerikë, hedhin sidoqoftë njëfarë drite mbi të vërtetën.
Çfarë ndodhi në Shqipëri pas pranimit në Konferencën Islamike?
Siç shkruan edhe Wall Street Journal, militantët islamikë filluan të vijnë në Shqipëri me 1992, pas humbjes së regjimit komunist. Dyndje e madhe nga vendet arabe në Shqipëri. Pas futjes së Shqipërisë në Konferencën Islamike fillon edhe zbarkimi i terroristëve islamikë në Shqipëri. Sot mund të bëjmë edhe pyetjet: A mos vallë futja e Shqipërisë në Konferencën Islamike ishte pjesë e strategjisë së terroristëve islamike për të shtrirë rrjetin e tyre në Shqipëri? A mos vallë ishin rrjete të tilla terroriste që ia sugjeruan dhe e joshën Presidentin shqiptar për ta bërë një akt të tillë në mënyrë të rrufeshme? Le të shpresojmë që nuk është kështu.
Presidenti u dha edhe shtetësinë shqiptare disa arabëve! Qeveria Meksi hoqi vizat e hyrjes në Shqipëri për arabët dhe vende të tjera islamike. Përse gjithë këto privilegje për boten islamike? Përse Shqipëria po kthehej në një han pa porta? Mos vallë Presidenti synonte ta kthente Shqipërinë në njëfarë Afganistani! Në vjeshtën e vitit 1992 e më pas vërshuan në vendin tonë të ashtuquajtur investitorë nga vende islamike që erdhën e ndërtuan qindra xhami, hapën themelet e një hoteli “madhështor” në një vend të zgjedhur afër Universitetit të Tiranës, (por që ai hotel akoma nuk është ndërtuar); Vërshuan firma arabe të dyshimta dhe shoqata “bamirëse” islamike që i shtrinë kthetrat e tyre në pjesët më të mira të Shqipërisë pasi kishin bekimin dhe ndihmën e pakursyer të Presidentit dhe të disa qeveritarëve shqiptarë. Mbase ka edhe ndonjë investitor serioz nga vendet islamike që mund të ketë ndërtuar ndonjë hotel apo hapur biznes tjetër në Shqipëri dhe që nuk ka lidhje me terroristët islamikë. Nëse ka, në këtë artikull unë nuk flas për këtë kategori.
Që atëherë në popull kishte jo pak dyshime për disa investime misterioze të islamikëve në Shqipëri. Dihet fjala vjen se në anë të rrugës Tiranë-Vorë, afër kryqëzimit me rrugën për në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Rinasit, një shoqëri arabe misterioze rrethoi me dy a tre rrathë muresh një sipërfaqe toke, se ku u ndërtua brenda atyre mureve rrethues, vendosi masa të rrepta sigurimi me roje të përforcuara. As unë, as shumica e shqiptarëve akoma nuk e dimë se çfarë bëhej aty brenda. Asnjë prodhim nuk shihej të dilte. A mos vallë aty përpunohej drogë nga ku fitimet i shkonin terroristëve islamikë dhe ndonjë pushtetari shqiptar? Apo mos vallë aty mblidheshin e stërviteshin terroristë që vinin nën petkun arab si investitorë dhe bamirës? Apo thjesht bëhej pastrim i parasë së zezë? Isha në Shqipëri këtë vit dhe pyeta shumë vetë se çfarë është bërë e bëhet brenda atyre mureve. Asnjë nuk dinte gjë. Një qytetar tiranas më tha se këtë e dinë vetëm arabët, ish-Presidenti Berisha, Ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, ish-kryeministri Meksi, ish-Ministri i Brendshëm Agron Musaraj.
E dinë edhe President Mejdani, Fatos Nano, Fatos Klosi, Kryeministri llir Meta e ndonjë pushtetar tjetër. Tani me siguri e dine edhe shërbime të fshehta perëndimore. A nuk kemi të drejtën edhe ne komuniteti shqiptar që të kërkojmë shpjegime dhe prononcime publike nga personat e sipërpërmendur lidhur me ketë objekt, lidhur me pyetjen nëse terroristët kanë pasur kampe trajnimi në Shqipëri si dhe çështje të tjera të pashpjeguara deri më sot? Një ndër bankat e para pas 1992-it ishte BANKA ISLAMIKE, në zemër të kryeqytetit, në anë të Shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, jo larg nga Presidenca, pothuajse ngjitur me zyrat e Parlamentit dhe përballë godinës se Kryeministrisë, në një nga ish godinat e Komitetit Qendror të PPSH. Drejtuesit dhe “investitorët” e kësaj banke ishin ndër miqtë më të afërt të Presidentit Berisha, i cili sa herë shkonte në zyrë apo kthehej në shtëpi do të kishte mundësi ta shihte këtë godinë, këtë Banke. Shpresojmë që CIA, FBI dhe qeveria shqiptare tani të kenë sqaruar diçka lidhur me këtë bankë dhe aktivitetin e saj. Një “përfitim tjetër i madh” pas futjes në Konferencën Islamike ishte që disa vajza shqiptare, madje edhe ato 13-18-vjeçare pranuan të venë perçen pothuajse si në Afganistan dhe ashtu dilnin edhe rrugëve të Tiranës së civilizuar. Dhe për këtë thuhej se “investitorët dhe bamirësit islamikë” i paguanin me një shumë të hollash çdo muaj. Mbase duket e pabesueshme, por kjo është e vërtetë. Turp i madh! Shqipëria po kthehej para kohës së ish mbretit Zog. Shqipëria po huazonte pamjen e një vendi të largët islamik, ajo nuk ishte me vetvetja! Dhe Perëndimi, edhe pa e artikuluar publikisht, pyeste veten: Ku po shkon kështu Shqipëri? Asnjë motiv nuk mund të përligjë kthimin e Shqipërisë në një vend të bazave të organizatave terroriste.
Në vitet 1992-1997 vetëm Presidenti, Kryetari i SHIK-ut dhe i Shoqatës së Intelektualëve Islamike të Tiranës, Bashkim Gazidede (Në vitin 1997 ai do të arratisej dhe do të shkonte tek miqtë e tij në një vend islamik, të cilëve u shërbeu me përkushtim duke abuzuar detyrën e tij në dëm të Shqipërisë), Kryeministri Meksi dhe Ministri i Rendit Musaraj e ndonjë tjetër duhet ta kenë ditur se shumë prej atyre “miqve” të largët mund të ishin pjesë e rrjeteve terroriste islamike. Atyre u janë dhënë edhe informacione nga shërbimet sekrete perëndimore që survejonin terroristët islamike në Shqipëri. E megjithatë këta pushtetarë u lanë fushë të lirë veprimi këtyre terroristëve, madje edhe mund t’u kenë plotësuar kërkesat që ata kishin. Unë dua të besoj se një gjë e tillë nuk është bërë që të bashkëpunohej me terroristët, por cilatdo qofshin motivet, ato janë antishqiptare dhe të pandershme.
As terrorizmi, as mbështetja e tyre nuk mund të përligjen. Për më tepër veprime të tilla të qeverisjes më tepër veprime të tilla të qeverisjes shqiptare ishin haptazi antishqiptare, i jepnin një ndihmë të madhe regjimit të Milosheviçit. Kjo sigurisht ka alarm uar shërbimet e fshehta perëndimore.
Siç dihet nga viti 1992 deri në Gusht 1998 asnjë nga terroristët islamikë që vepronin në Shqipëri nuk u arrestua dhe as u dorëzua. Madje qeveria shqiptare edhe në vitin 1998, siç pohon vetë Kryetari i SHISH-it Fatos Klosi, hezitonte të zbatonte urdhërat e CIA-s dhe të organeve të tjera nderkombëtare për arrestimin e këtyre terroristëve dhe ekstradimin e tyre. Nuk mund të quhet e sinqertë një qeveri shqiptare që detyrohet të arrestojë “miqtë e saj islamikë” vetëm kur CIA dhe FBI të detyrojnë ta bëjnë këtë. E sinqertë është që vetë Shqipëria nuk duhej të kthehej në një vend ku organizata terroriste islamike a të cfarëdo ngjyre tjetër të kenë pasur apo të kenë aktivitet. Vetë shërbimi sekret shqiptar dhe organet e tjera të shtetit duhej e duhet ti parandalojë, të mos i lejojë të futen në Shqipëri, të zbulojë, arrestojë dhe ekstradojë apo asgjesojë terroristët e çdo ngjyre në Shqipëri.
Përse edhe qeveria e sotme, e pranon qenien e Shqipërisë në Konferencën Islamike?
Disa nga pyetjet e tjera që mund të bëhen sot janë: Përse sot, kur ka rreth pesë vjet që qeverisin ata që më 1992 e kritikuan me të drejtë Berishën për futjen në Konferencën Islamike vazhdojnë të mos e shfuqizojnë formalisht dhe praktikisht atë akt antikushtetues të tij? Përse mori pjesë Shqipëria në mbledhjen e Konferencës Islamike që u mbajt pas akteve të terroristëve islamikë në Amerikë? A mos vallë në klasën e sotme politike ka pushtetarë e individë që për të keqen e Shqipërisë dhe ndonjë përfitim të tyrin personal duan që vendi ynë të mbetet aty ku nuk e ka vendin, pra në Konferencën Islamike?
Të gjitha këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave qeveritarët e sotëm në Shqipëri duhet t’i japin përgjigje publike. Atyre nuk u lejohet që të përligjin qenien e Shqipërisë në Konferencën Islamike duke thënë se atë e bëri Berisha. Jo, që nga 1997 kjo është vepër e socialistëve në pushtet. Në Shqipëri është e lehtë të mos lejohet të futet, apo nëse futet është e lehtë të zbulohet çdo terrorist islamik nëse vetë pushtetarët shqiptarë nuk i mbështesin ata. Shqipëria është një vend i vogël, ku edhe kriminelët ordinerë njihen me emër, ku falsifikatorët, trafikantët, kontrabandistët njihen nga shteti dhe nga populli. Por ata lihen të lirë nga vetë shteti. Një rrethanë shumë ndihmëse në luftën kundër terrorizmit islamik në Shqipëri është fakti se përbërja e popullsisë shqiptare nuk është disakombëshe a disa racash siç ngjet në Amerikë e vende të tjera. Pra po të jetë vullneti i mirë i shtetit dhe nëse vetë shteti nuk është i korruptuar dhe i implikuar, Shqipëria nuk mund të jetë kurrë bazë e organizatave terroriste islamike apo çfarëdo lloji qofshin, as e mafias ndërkombëtare të drogës, prostitucionit, trafiqeve.
Pas 11 Shtatorit 2001, politikanët shqiptarë duhet ta kenë kuptuar se nuk do të munden më të mashtrojnë qeveritë perëndimore me demagogjinë e tyre pro Perëndimit duke pasur vetëm këmbët dhe një pjesë të pronave të paligjshme në Shqipëri, trupin në Perëndim, ndërsa zemrën dhe kokën në Lindjen Islamike. Por tashmë Perëndimi u zgjua dhe do të dijë të shohë veprën e jo fjalët e bukura dhe lajkat e politikanëve shqiptarë.
Çfarë i duhet sot Shqipërisë?
Sot, më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një ekip drejtues të ndershëm, për një ekip që mund ta krijojë e drejtojë i Madhi Kadare. Shqipëria është e njollosur se ata që e drejtojnë janë të korruptuar. Siç theksoi Ismail Kadare në takimin e tij me disa krijues e intelektualë të Lezhës, më 24 nëntor 2001: “Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një ekip drejtues… Njerëzve të veçuar në Ballkan u merr koka erë shumë shpejt. Pra, tani edhe Shqipërisë i duhen ekipe politike, që mund t’i balancojnë problemet dhe të gjejnë zgjidhje më të shpejta… Pa një strategji të menduar dhe pranimin e ekipit si e vetmja rrugë për zhvillimin e një vendi, nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme. Luhatjet janë të papranueshme, kur ato ndodhin gjatë, pa e përcaktuar kahjen e përqendrimit.” (Shih: Revista Kuvendi”, No 7, Dhjetor 2001, Faqe 15, Detroit). Për imazhin e keq që kanë sot të huajt për Shqipërinë, siç theksoi Kadareja në takimin në Lezhë, fajtorë jemi vetë ne shqiptarët. Me një ekip drejtuesish të ndershëm që do ta duan dhe do të punojnë me gjithë zemër e përkushtim për vendin e tyre, Shqipërisë do t’i kthehen vlerat e saj të vërteta, Shqipëria do të kthehet në vend të begatuar, në një vend që do të radhitet me dinjitet në vendet që mbrojnë e zhvillojnë civilizimin Perëndimor, do të dijë të gjejë vendin e saj në bashkësinë e civilizuar Perëndimore. Dhe unë mendoj se një ekip të tillë mund ta krijojë sot një personaliteti madh, i respektuar dhe i paimplikuar në korrupsion. Një personalitet i tillë sot është Ismail Kadare. Ne, komuniteti shqiptar i Amerikës, duhet të bashkohemi në apelin që i bëjmë Kadaresë për të pranuar një rol të ri në politikën shqiptare, rolin e drejtuesit të shtetit shqiptar në këtë kohë të vështirë, por jo pa rrugëzgjidhje. Është koha që Kadareja të ngrihet mbi parapëlqimin e tij për të mos u marrë me politikë. Jo, i dashur Kadare, ndryshe nga sa keni argumentuar në vitet 1991-1992, Ju sot jeni edhe politikani më i mirë dhe më i ndershëm i Shqipërisë. Më një ekip të drejtuar nga Kadareja unë shpresoj se politika shqiptare do të fillojë të kthehet në një politike serioze dhe të përgjegjshme para popullit dhe vendit, në një politikë që do ta bëjë Shqipërinë një vend të denjë të bashkësisë Perëndimore, në një vend ku Shqipëria nuk do të përmendet më as si vend i terrorizmit islamik. Dhe shqiptarët duhet dhe do të fillojnë të bashkëpunojnë për të ndërtuar jetën e tyre, vendin e tyre dhe do të dinë të bashkëjetojnë në paqe e harmoni pa dallime feje, krahine, përkatësie partiake dhe ideje.