Zenepe Luka: Ishulli i Sazanit, ishulli i ushtrisë së vdekur

(Botuar me  22 tetor 1998 në KOHA JONE)

Nga Zenepe Luka-

VLORË – Në bazën ushtarake të Pashalimanit tashmë kanë mbetur vetëm katër nëndetëse të ndryshkura. Nuk kanë më asnjë vlerë ushtarake dhe janë aty vetëm si relikte për të treguar se dikur ua kemi rrëmbyer rusëve. Sesa dhemb një nëndetëse e ndryshkur, këtë e dinë vetëm ata që kanë punuar e kaluar një jetë aty. Por udhëtimi ynë ka tjetër destinacion, edhe ky po ushtarak, ishullin e Sazanit. Në datën 22 tetor ai ka festën e Çlirimit. Por nuk ka kush ta festojë. Me anijen “Gaetano Magliano”, dhe me iniciativën e Komandantit të Distriktit Bektash Petoshati udhëtojmë për në ishull… Sytë e të gjithëve janë ngulur përgjatë bregdetit, që nis me Portin e Vlorës.

Porti i ri, Porti i Zvernecit, plazhi i Admiralit për të vazhduar më tej me Kepin e Dalanit e me radhë deri në ishull. Fakti që nuk do koment, teksa s’ngopesh me këto bukuri përrallore, është virgjëria. Dora e mendja e njeriut këtu ka bërë vetëm një punë: bunkerizimin e bregdetit, hapjen e tuneleve pa fund dhe mbushjen e barkut të tyre gjigant me municion luftarak… që fle aty prej gjysmë shekulli. Ndërsa secili në mënyrën e tij shijon këtë udhëtim magjepsës, për një moment anija ndali zhurmën. Pamë njëri-tjetrin në sy dhe të gjithëve na shkoi mendja te ndonjë defekt. Kishim arritur te Bovat, 4 milje drejt kanalit të veriut, ku në 28 mars të 97-tës, ndodhi tragjedia e Otrantos. Çdo mjet që kalon në atë vijë ndalet dhe njerëzit rënkojnë për gjëmën e madhe.

58 vjet më parë një grua ngriti flamurin në Sazan

Më 22 tetor të 1944, Vlora ende nuk quhej e çliruar. Në Sazan nuk ishte ngritur flamuri shqiptar. Një veterane, ish-partizane e brigadës së 12 S, atëherë 16 vjeçe ngriti flamurin e fitores më 22 tetor të 44-ës. “Vlora nuk quhej e çliruar, nëse nuk çlirohej ishulli, ishte një urdhër i brigadës” – nis bisedën veterania. Kështu caktuan 5 partizanë që ishin të skuadrës sime të drejtuar nga Bajram Mici. Kërkova të shkoja me çdo kusht, por nuk më lanë. Ndërsa lundra po nisej iu kujtova që kishin harruar flamurin, shkova e mora me vrap dhe nëpër ujë ua çova, por hipa edhe vetë në lundër. Tani u bëmë 13 vetë, 5 partizanë, 4 italianë dhe 2 rusë. Pas 12 orë udhëtimi të vështirë mbërritëm në ishull. Në agimin e 22 tetorit u gjetëm në majën më të lartë. Gjatë rrugës gjetëm 12 robër të kombësive të ndryshme, 8 armenë, 2 çekë, 1 polak dhe 1 italian që kryente detyrën e kuzhinierit. Nga bisedat me ta u mësua se gjermanët ishin larguar një natë më parë. Ngritëm flamurin, në ishullin e çliruar, aty ku u mboll edhe lapidari. Por lundra kish ikur dhe nuk mundëm të lajmëronim shokët për fitoren. Qëlluam me topa t’u tregonim se ishim gjallë…

Në ishull vetëm ushtarë italianë të “San Markos”

Ishte e trishtueshme. Kishim dëgjuar e lexuar për një ishull militar që ishte “prita” shqiptare e detit. Por gjetëm një vend të shkretë e të rrënuar. Të vetmit që mundohen ti japin gjallëri janë ushtarë te batalionit italian që janë aty për të ndihmuar në ristrukturimin e sektorëve ushtarakë të tij. Komandanti Capola i anijes që na shoqëroi, flet për punën e bërë deri tani nga repartet speciale zhytëse. Pastrimin, ankorimin e nxjerrjen nga thellësitë të anijeve të mbytura prej shumë vjetësh dhe tashmë po përfundojnë depon e ujit që është gati ditën e festës. Diplomati Tenichi do të vlerësonte kontributin e tyre, që i shërben edhe miqësisë. “Shqipëria duhet ndihmuar se është në momente të vështira, vijon ai. Dhe ky vend me njerëz të mirë e punëtorë di të vlerësojë”. Komandanti i distriktit Petoshati u drejtohet ushtarakëve italianë se: “Unë nuk do të isha ushtarak, njeri, e aq më tepër shqiptar, nëse nuk do të çmoja ndihmën tuaj dhe t’ju jepja mbështetjen time”.

Nga biseda mësohet se gjatë punës për nxjerrjen e anijeve ka rënë në krye të detyrës nëntogeri italian Lorenco Lazzareco. Në ditën e 1-vjetorit të rënies më 9 shkurt të 1919-tës u drejtohet Petoshati, këtu do të ngulet një lapidar dhe sheshi do të marrë emrin e të rënit, që është propozuar të bëhet dëshmor. Bashkërisht hamë një drekë të shijshme të gatuar në repart, ku Tenichi nuk resht dollitë.

Ishulli pa jetë, i shndërruar në bunker

Duke i rënë kryq e tërthor Sazanit, i vetmi ishull i Shqipërisë dhe pasi ngjitesh në pikën më të lartë nga niveli i detit, në lartësinë e 311 metrave, të ndjek vetëm një pamje – shkatërrim. Kjo qytezë e bukur me të gjitha ambientet, me shkollën që mban emrin “22 Tetori” ditën e çlirimit të Sazanit, me kinema, godina fjetje, rrobaqepësi, deri edhe një ministadium, gjatë 1997 është shndërruar në gërmadhë. Dy gjëra nuk kanë ndërruar pamje këtu, tunelet gjigante të mbushura me miliona tonelata municione luftarake nga më të ndryshmet dhe lapidari që kujton festën e çlirimit. Thellësia e detit, që në këtë gji arrin në 70 metra, nuk ka penguar vërshimin e njerëzve-bisha, që kanë marrë dhe dyert e dritaret të atyre banesave, që dikur strehonin familjet e oficerëve të ushtrisë që shërbenin në ishull.

Kur lindi qyteza në ishull dhe si pushoi frymëmarrja njerëzore

Historikun e njeh mirë një nga drejtuesit e Distriktit, Vitri Bezhani, pasi ka jetuar për 12 vjet aty. Merret me kulturën, madje ka qenë në Ansamblin e Ushtrisë. Ka qenë vërtet një ishull, i ndarë nga bota tjetër, por aty kanë jetuar njerëz që kanë kaluar gëzimet, hidhërimet dashuritë e dramat e jetës së tyre. Tashmë ato janë vetëm kujtime, dhe kujtime që shoqërohen vetëm me lot nga ata që i kanë jetuar… “Në Tiranë u dashurova me Mimozën dhe pastaj u transferuam në Sazan. Dhe lindëm dy fëmijë – Klerad dhe Nils”.

Familjet e para janë vendosur në 1917 dhe numri ka qenë 140 frymë, thotë Vitri, deri në 1991, që u shpërbë. Një qytezë-ishull është e kompletuar me gjithçka, qysh nga maternitete deri tek varret. Agron Peshtani, një oficer i ri në Sazan, ishte dashuruar me një vajzë, Zanën, që më pas lindën një fëmijë në det në katërsilurus, pasi nuk arriti në maternitetin e Vlorës. Por dashuria e tyre u mbyll me një tragjedi, burrë e grua vdiqën aksidentalisht. Aty ka lindur edhe marinari që na shoqëron këto ditë si përkthyes i italishtes, Klodian Gjondeda. Po një oficer, Pasho Velaj ka varrosur fëmijën aty.

Shkatërrimi nisi qysh nga 1992, thotë një oficer i marinës që ka qenë atje në ato vite, dhe shkaktar është Berisha. Berisha përgjegjës edhe për Sazanin? e pyesim. Po, dhe ja pse, argumenton ai. “Ish-Presidenti erdhi në Ishull së bashku me Verner, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s. U takua me 100 familjet dhe u tha shprehimisht: Erdhi dita që t’ju heqim që këndej, do të sistemoheni në Vlorë. Familjarët e besuan, por kanë mbetur rrugëve edhe sot. Të pastrehë, të papunë. Nëse nuk do të ish braktisur nga familjarët, nëse do ta mbante nën kontroll policia dhe ushtria, a do të shkatërrohej kështu ishulli? Kurrë, – përgjigjet ai dhe në sy i endet një mjegull loti. Tani në Sazan do të gjesh vetëm gjurmët e jetës njerëzore dhe lepuj që i ndesh në çdo metër. Do të gjesh edhe gjurmët e të huajve që kanë jetuar aty, përfshi edhe një shtëpi publike, që më pas do të bëhej thertore. E pa cenuar mbetet vetëm Gryka e Xhenemit – që bie thikë në det.

Gjeneral Aleks Andoni, mall dhe obligim për ishullin

Për shumë vite ka shërbyer në këtë ishull edhe grada e lartë e ushtrisë shqiptare sot, gjeneral Aleks Andoni. 24 orë para ditës së festës, në orë të vona ai pranoi me kënaqësi të thoshte diçka për “Koha Jonë”.

“Me këto që po them, nisi bisedën ai, dua të përshëndes të gjithë shokët e miqtë e mi që kemi punuar e jetuar atje… por edhe ata që po bëjnë çmos ta gjallërojnë ishullin. Kujtimet në Sazan, ku u rritën djemtë dhe të gjitha familjet përbënin një familje të madhe, është pjesa më e artë e jetës sime. Vite të vështira pune e kënaqësie të madhe. Sa herë shërbimi më çon atje çmallem me shokët me çdo pëllëmbë të Ishullit”.

Po gjenerali ndjen edhe obligim. “Shkatërrimet e 1997 më kanë tronditur shumë, ndaj them se ky ishull ku kam lënë rininë time, përbën pikën më të ndjeshme të përkujdesjes. Janë konkretizuar të gjitha përpjekjet që Sazani të kthehet në statusin që i takon, si pjesa më e dashur e tokës tonë dhe pozicion i avancuar i sigurisë dhe mbrojtjes së vendit”.

Sazani ka filluar rilindjen

Komandanti i distriktit, Bektash Petoshati, ndjehet i kënaqur me punën e bërë deri tani, për të sjellë frymëmarrjen. Atje është efektivi i detarëve që punon e stërvitet në këtë bazë ushtarake, që shkon drejt restaurimit. Në bashkëpunim me batalionin San Marko do të bëhet rikonstruksioni i të gjitha objekteve, madje më 22 tetor ditën e 54-vjetorit të çlirimit, do të realizohet një qitje luftarake. Flamujt shqiptarë dhe italianë, përkushtimi i të dy palëve, gatishmëria e 4 siluruesve, tregon se gjithçka është nën kontroll dhe ishulli po ringjallet.

Ditën që shkuan forcat e distriktit, pas shkatërrimeve, tregojnë se u hartua edhe një këngë që tashmë është himn për detarët:

Shqipëri, shqipe me fletë

Djemtë po ngrenë Sazanin

Për Atdheun e shtrenjtë

Japim jetën, japim xhanin…

 

Në Pashaliman oficeri që qante për 4 silurueset

 

Kthimi për në Vlorë u bë nga Pashalimani. Edhe aty gjithçka po ringjallet dhe që nga janari, kemi të bëjmë me repart të vërtetë ushtarak. Qeveria turke ka akorduar fonde për rimëkëmbjen… Aty na bëri përshtypje Selman Brahimi që rrinte mbi nëndetësen 370 e nuk ndahej, sido që ajo si dhe 3 të tjerat, tashmë janë shndërruar në relikte. Kam 15 vjet që punoj në këtë nëndetëse dhe shpirtin e kam këtu. Ja këtu ndenja edhe gjatë ditëve të vështira të 97-tës dhe në të mirë e në të keq kam dëbuar grupet e armatosura që donin ta fundosnin. Shteti duhet të mendojë për riparimin e siluruesve. Pashalimani s’mund të bëjë pa ato që prej shumë vitesh i ka pasur në prehrin e tij.

Një tjetër oficer plotësoi atë që nuk e shprehu Selmani. “6 muaj luftë qëndruam këtu dhe shpëtuam sa mundëm, por shteti nuk na dha asgjë, sido që ka një urdhër ministri”. Jeta në Pashaliman është më intensive. Katër silurueset stërviten, po bëhet riparimi i anijeve, cisterna shkon e vjen për t’i sjellë ujë efektivit, ndërsa sapo ka ardhur e riparuar nga Italia, anija-Frigorifer. Edhe anijagjuajtëse është riparuar në Brindizi e kryen detyrën e saj.

Në shkollën ushtarake të instruksionit bëhej stërvitja e marinës dhe policisë ushtarake. Aty prek ndihmën turke që po kryen riparimin e 11 ndërtesave, qysh nga baza e Pashalimanit. Gjithsesi mendja të rri tek Ishulli i Sazanit që nëse do të kish një përkujdesje të shtetit dhe angazhim të mendjes njerëzore, do të bëhej qyteza turistike më e bukur në botë. Ndoshta, në ditën e sotme të 54-vjetorit të çlirimit të Ishullit, dikush që e ka në dorë këtë do të kujtohet… /ZENEPE LUKA/

SHKARKO APP