Forcat ajrore izraelite sulmojnë sërish Bejrutin

Avionët luftarakë izraelitë goditën sërish objektiva në Bejrut, duke përfshirë një zonë të banuar vetëm disa kilometra larg qendrës së qytetit.

Këmbanat e kishave ranë në një lagje të krishterë për të paralajmëruar sulmet, duke i bërë banorët të kërkonin strehim në kishat aty pranë. Libanit, ndryshe nga Izraeli, i mungojnë strehimoret gjatë sulmeve ajrore dhe një sistem zyrtar paralajmërimi.

Dëshmitarët okularë raportuan shpërthime të forta, të ndjekura nga shtëllunga tymi që ngriheshin mbi shtëpitë në zonë, me erën e tymit që përhapej në lagjet përreth.

Nuk pati raportime fillestare për të vdekur apo të plagosur.

Izraeli është i përfshirë në një luftë jo vetëm në Rripin e Gazës me grupin palestinez Hamas, por edhe me milicinë aleate të Iranit Hezbollah në Liban.

Hezbollahu tha se po sulmon Izraelin në mbështetje të Hamasit, i cili kreu një masakër në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar – duke rezultuar në 1200 të vdekur.

Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore në brezin bregdetar ndërsa kërkon të eliminojë Hamasin.

“Më shumë se 43 000 njerëz janë vrarë deri më tani”, sipas autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi.

Që nga shtatori, ushtria izraelite ka zgjeruar masivisht sulmet e saj në Liban, ku thotë se po kërkon të largojë Hezbollahun nga kufiri i saj verior, në mënyrë që banorët të mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Avionët luftarakë kanë bombarduar objektiva në të gjithë vendin dhe shpesh në jug të Bejrutit.

“Më shumë se 3 000 njerëz janë vrarë në Liban deri më tani”, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. //a.i/ ATSH

SHKARKO APP