Zelensky: Rusia ka përdorur një raketë të re që ka karakteristikat e ICBM-së
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pohuar se Rusia përdori një lloj të ri raketa në një sulm ndaj Ukrainës.
“Sot, fqinji ynë i çmendur ka treguar edhe një herë se çfarë është në të vërtetë dhe se si e përçmon dinjitetin, lirinë dhe jetën njerëzore në përgjithësi. Ai ka aq frikë sa po përdor tashmë raketa të reja”, tha Zelensky në një deklaratë.
Udhëheqësi ukrainas tha se raketa ishte me origjinë ruse dhe se “ka të gjitha karakteristikat – shpejtësinë, lartësinë – të një rakete balistike ndërkontinentale”.
Më tej, ai shtoi se ekspertët po hetojnë për të konfirmuar llojin e raketës. Në mëngjes u raportua nga mediat e huaja se Rusia kishte përdorur një raketë balistike ndërkontinentale.
Megjithatë, një zyrtar perëndimor sugjeroi se një ICBM nuk ishte përdorur në sulm.