Papa Françesku: Fjala e vërtetë dhe e fuqishme e Krishtit e shndërron botën
Sot Ungjilli i liturgjisë së kësaj së diele të 34-të të vitit kishtarm ciklit të dytë nga Gjoni (Gjn 18,33-37) na e paraqet Jezusin përpara Poncit Pilat – këto fjalët e para të lutjes së Engjëllit të Tënzot, që shqiptoi në Sheshin e Shën Pjetrit Papa nga Dritarja e Engjëllit, i ndjekur nga turma që pushton çdo të diel Sheshin. Po kjo e diel nuk është e zakonshme.
Sheshi i Vatikanit pret Krishtlindjen, i stolisur tashmë me Bredhin e festës e, së shpejti, edhe me Shpellën e Betlehemit! E pak ditë më pas, turma e besimtarëve do të mund kapërcejë edhe pragun e Derës Shenjte, duke fituar ndjesën e plotë! Emocione të fuqishme, aq më tepër tani, kur Roma e moçme, këto ditë e rinuar, është pothuajse gati për të jetuar çaste të paharrueshme! Ndaj Papa e nisi lutjen me dy fjalë, dy emra: mbret e botë!
Dy fjalë marrin kuptim të ri
Jezusi i dorëzohet prokurorit romak për ta dënuar me vdekje. Megjithatë, një dialog i shkurtër fillon ndërmjet të dyve. Nëpërmjet pyetjeve të Pilatit dhe përgjigjeve të Zotit, në veçanti dy fjalë shndërrohen, duke marrë një kuptim të ri: fjala “mbret” dhe fjala “botë”.
Jezusi dhe Pilati, ballë për ballë
Në fillim Pilati e pyet Jezusin: “A je ti mbreti i Judenjve?” (v. 33). Duke arsyetuar si zyrtar i perandorisë, dëshiron të kuptojë nëse njeriu përballë tij përbën ndonjë kërcënim edhe për të, për mbretin, autoritetin që i komandon të gjithë nënshtetasit e tij. Si përgjigje, Jezusi pretendon se është mbret, po, por në një mënyrë krejt të ndryshme nga ajo e Pilatit!
Pse Jezusi është mbret?
Jezusi është mbret sepse është dëshmitar: është Ai që thotë të vërtetën (shih v. 37). Fuqia mbretërore e Jezusit, Fjalës së Hyjit të mishëruar, qëndron në fjalën e tij të vërtetë dhe të fuqishme, që e shndërron botën.
Dashuri hyjnore, që shëlbon e fal
“Bota” e Ponc Pilatit është ajo, në të cilën i forti fiton mbi të ligshtin, i pasuri mbi të varfërin, zemërkeqi mbi zemërbutët. Një botë që, për fat të keq, e njohim mirë. Jezusi është Mbret, por mbretëria e tij nuk është e kësaj bote (v. 36). Bota e Jezusit është ajo e reja, e përjetshmja, të cilën Zoti e përgatit për të gjithë, duke dhënë jetën e tij për shpëtimin tonë:
“Është mbretëria e qiejve, të cilën Krishti e sjell mbi tokë me hir e vërtetësi (shih Gjn 1,17). Bota, Mbreti i së cilës është Jezusi, që shëlbon krijimin e rrënuar nga e keqja me forcën e dashurisë hyjnore, e çliron dhe e fal, i jep paqe dhe drejtësi”.
Dialogu i Krishtit me Pilatin
Vëllezër dhe motra, Jezusi i flet Pilatit nga afër, por ai qëndron larg tij, sepse jeton në një botë tjetër. Dialogu i tyre nuk bëhet mirëkuptim, Pilati nuk thotë të vërtetën, edhe pse e ka përballë.
Ai do ta kryqëzojë Jezusin dhe do të urdhërojë të shkruhet në kryq: “Mbreti i Judenjve” (Gjn 19,19), por pa i kuptuar këto fjalë. Megjithatë Krishti erdhi në botë, në këtë botë tonën: kushdo që është me të vërtetën e dëgjon zërin e tij (shih Gjn 18,37). Është zëri i Mbretit të universit, që bëhet shërbëtor i të gjithëve.
A është Jezusi mbreti im?
Dëgjimi i Zotit hedh dritë në zemrat dhe në jetën tonë. Pra, le të përpiqemi të pyesim veten: a mund të them se Jezusi është “mbreti” im? Në çfarë kuptimi? A është Fjala e Tij udhërrëfyesi im, siguria ime? A shoh tek Ai fytyrën e mëshirshme të Zotit që më shikon mua e çdo vëlla e motër? Këto pyetjet e fundme të Papës, e si zakonisht, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Zotit, ftesa:
“T’i lutemi së bashku Marisë, shërbëtores së Zotit, ndërsa presim me shpresë Mbretërinë e Zotit”.
R.SH. / Vatikan