Lirimi i Berishës pas 331 ditëve në ‘arrest shtëpiak’ ngjall shpresat në kampin blu

Pas 331 ditëve në ‘arrest shtëpiak’, Sali Berisha rikthehet sot tek selia e Partisë Demokratike.
Sot Partia Demokratike ka arritur një fitore të vogël, lirinë e liderit të saj, liri e cila vjen të ngjall shpresat e saj për një fitore më të madhe, atë të fitores në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Deputetë dhe anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike kanë përshëndetur vendimin për lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak.
Belind Këlliçi përmes një reagimi në Facebook u shpreh se “farsa ra” dhe se “më në fund kreu i PD u lirua”.
‘Farsa ra! Më në fund lirohet Kryetari i PD dhe Lideri i Opozitës, Prof. Dr. Sali Berisha’, shkroi Këlliçi.
Për lirimin e Berishës reagoi edhe nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, i cili u shpreh se “lajmi për rrëzimin e masës së arrestit ndaj Kryetarit të PD është fantastik”.
Sipas tij më lirimin e Berishës “PD tani kalon në një stad të ri” dhe se me kryedemokratin në liri “është e pamundur të ndalet entuziazmi dhe bindja në fitore”.
“Lajmi për rrëzimin e masës së arrestit ndaj Kryetarit të PD është fantastik!
Zoti dhe e drejta e tij dhe e jona po triumfon.
PD tani kalon në një stad të ri!
Me Sali Berishën në liri është e pamundur të ndalet entuziazmi dhe bindja në fitore.
Ndryshimi filloi të vijë…!” shkruan ai.
Nga ana tjetër Klevis Balliu e cilësoi lirimin e Berishës si “shpresa për një Shqipëri si e gjithë Europa”.
“Ditë e zezë për narkoshtetin. Ditë e bardhë për Shqipërinë”, shkroi ai më tej.
Entuziazmi demokrat erdhi disa orë pas protestës, e cila fuqizoi aksionin opozitarë.
AV

SHKARKO APP