NATO uron Shqipërinë në 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) uroi sot Shqipërinë në 112-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

“Bashkohuni me ne për të festuar Ditën e Pavarësisë të aleatit tonë, Shqipërisë”, thuhet në mesazhin e NATO-s, e cila shpërndau në rrjetet sociale edhe një fotografi të ushtarakëve të Shqipërisë.

Forcat e Armatosura të Shqipërisë po japin një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO.

Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

/m.m/a.f/

SHKARKO APP