Veliaj jep lajmin e mirë për nxënësit e Tiranës, bashkia bursa për vitin shkollor 2024-2025

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin për dhënien e bursave për nxënësit e arsimit parauniversitar për vitin shkollor 2024–2025. Ky vendim synon të mbështesë financiarisht nxënësit që ndjekin arsimin bazë dhe të mesëm në institucionet arsimore publike të kryeqytetit, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin dhe edukimin e tyre.

”Për sa përket solidaritetit dhe bursave, është në nderin e Bashkisë së Tiranës dhe këtij Këshilli Bashkiak, që jep 2500 bursa ekselentëve, për çunat e gocat me 10-a. Duam ta vijojmë këtë ritëm dhe dua të falenderoj të gjithë nxënësit e shkëlqyer. Të gjithë i kemi njësoj, por ata që bëjnë një përpjekje ekstra të veçantë, janë krenari për qytetin. Jam i vendosur që të vijojmë t’i bëjmë këto pagesa. 451 i kemi për arsimin profesional publik. Kjo do të thotë, kryesisht për nxënës që vijnë nga Zall Herri, Zall Bastari, pra që nuk e kanë mundësinë të shkojnë e vijnë përditë, por rrinë në konvikte dhe kanë bursë nga Bashkia e Tiranës”, nënvizoi Veliaj.

Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve të Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar nxënësit dhe familjet në nevojë, duke lehtësuar barrën financiare dhe duke krijuar një mjedis më të favorshëm për arsimim. Bashkia e Tiranës vijon të jetë një partner i rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e brezave të rinj, duke investuar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në përkujdesjen sociale për komunitetin.

SHKARKO APP