Ministri Malaj sqaron pse nuk i’u kthyen paratë profesionistëve të lirë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Ministri i Financave, Petrit Malaj tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit për taksimine profesioneve të lira nuk ishte i qartë, prandaj nuk u zbatua menjëherë. Malaj u pyet nga deputetja e PD, Jorida Tabaku, mbi këtë çështje, ai tha se Kushtetuesja, pas një kërkese nga dikasteri që ai drejton, nuk dha opinion për këtë çështje, duke lënë të nënkuptohej që të ardhurat e realizuara nga efekti i këtij ligji, ishin legjitime.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte i qartë për vetë faktin se nuk shprehesh se çfarë duhet të ndodhet me të ardhurat që ishin mbledhur për sa kohë ligji ishte në fuqi. Ministria ka kërkuar një kërkesë për tu shprehur, Gjykata Kushtetuese nuk dha një opinion për këtë çështje duke lënë të nënkuptohej që të ardhurat e realizuara nga efekt i këtij ligji, ishin legjitime. Pavarësisht kësaj, qeveria kishte vullnetin për t’i kthyer mbrapsht këto para të mbledhura nga profesionistëve të lirë”, tha Malaj.
Në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht rrëzimin e nenit 69 që diskriminonte profesionistët e lirë nga tatimi prej 15%. Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera. Zbatimi i ligjit me llogaritjet e këstit të parapagimit të tatimit shkaktoi debate te bizneset e profesioneve të lira, të cilën e konsideruan zbatimin e tij jokorrekt.
Në ligj parashikohet se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri 10 000 000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të ardhurave vjetore. Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.
Kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pambajtura në kontabilitet në masën 30%.