Grenlanda dhe Kanali i Panamasë nuk janë në shitje, pse po kërkon t’i marrë Trump?

Presidenti i sapo-zgjedhur amerikan, Donald Trump, udhëhoqi fushatën duke premtuar izolimin e Amerikës nga konflikte të huaja, si lufta në Ukrainë, rritjen e taksave për partnerët tregtarë dhe rinovimin e prodhimit vendas.

Megjithatë, ditët e fundit ai sugjeroi një qasje më agresive në politikën e jashtme.

Fillimisht bëri një shaka për Kanadën, si një shtet të ri të SHBA-së.

Më pas kërcënoi me rikthimin e kontrollit mbi Kanalin e Panamasë.

Ai përsëri shprehu dëshirën nga mandati i tij i parë për të siguruar një territor autonom të Danimarkës, Greenland, i cili nuk është në shitje.

Edhe pse është e pamundur që SHBA-ja të marrë kontroll mbi ndonjë nga këto zona, këto deklarata mund të tregojnë se vizioni i Trumpit për “Amerikën në vend të parë” përfshin edhe fuqinë amerikane jashtë kufijve të saj për interesat tregtare dhe sigurisë.

Trump tha në një konferencë konservatore në Arizona se Panama po i ngarkon anijeve amerikane tarifa “të çmendura, shumë të padrejta” për përdorimin e kanalit. SHBA-ja mori përsipër ndërtimin e kanalit në fillim të shekullit të XX-të, por e dorëzoi kontrollin përfundimisht në vitet 1970 në bazë të një marrëveshjeje.

Trump deklaroi këtë javë se, nëse “shfrytëzimi” i kanalit nuk ndalet, ai do të kërkojë kthimin tek SHBA – megjithëse nuk tregoi se si. Ai shtoi se nuk do të donte që Kanalin e Panamasë “ta merrnin duar të gabuara” dhe veçoi Kinën, e cila ka interesa të mëdha në këtë rrugë ujore.

“Ka një interes real për sigurinë kombëtare amerikane në kontrollin e neutralitetit të kanalit”, tha Will Freeman, ekspert i Amerikës Latine në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, duke komentuar deklaratat e Trumpit, shkruan bbc. 

SHKARKO APP