“Po bëhem 19 vjeç, aq sa ishte motra ime kur vdiq” – Rrëfimi prekës i Elijona Binakajt në BBVK
Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Elijona Binakaj, ka prekur thellë publikun me një rrëfim emocional dhe të sinqertë gjatë ditëlindjes së saj të 19-të, të festuar brenda shtëpisë së spektaklit.
Në dhomën e rrëfimit, Elijona u shfaq e vetmuar dhe e përfshirë nga emocione të forta, duke shpërthyer në lot teksa foli për dhimbjen që e shoqëron këtë përvjetor. Ajo tregoi se kjo moshë ka një domethënie të veçantë dhe të rëndë për të, pasi është pikërisht mosha në të cilën motra e saj humbi jetën.
“Zakonisht për çdo ditëlindje mërzitem, por të paktën kam pasur babin ose familjen pranë. Tani jam krejt vetëm dhe kjo moshë po më mundon shumë, sepse motra ime ka ndërruar jetë në moshën 19-vjeçare. Tani që unë arrita në atë moshë, nuk më duket e drejtë… nuk e di,” u shpreh ajo mes lotësh.
Elijona shtoi se kjo është një tjetër ditëlindje e vështirë pa njerëzit më të dashur të jetës së saj.
“Janë bërë katër ditëlindje dhe tani po bëhet e pesta që e festoj pa nënën dhe motrën,” tha ajo, duke theksuar boshllëkun emocional që e shoqëron prej vitesh.
Historia e saj është një nga më të dhimbshmet të ndara ndonjëherë në këtë format televiziv. Nëna dhe motra e Elijonës humbën jetën në një aksident tragjik autobusi në Kroaci, teksa udhëtonin nga Gjermania drejt Kosovës për një vizitë familjare.
Rrëfimi i ndjerë i Elijona Binakajt ka ngjallur reagime të shumta nga publiku, i cili ka shprehur empati, mbështetje dhe respekt për guximin e saj për të ndarë një histori kaq personale dhe të dhimbshme në një moment kaq emocional.
KOHA JONË SONDAZH

