Sylvinho nis përgatitjet për Poloninë, takohet fillimisht me Gjimshitin dhe Hysajn
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij teknik, kanë intensifikuar punën në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë.
Gjatë javëve të fundit, stafi teknik kuqezi ka ndjekur nga afër disa ndeshje të kampionatit “Abissnet Superiore”, për të vëzhguar lojtarët shqiptarë që aktivizohen në elitën e futbollit vendas. Mes takimeve të ndjekura kanë qenë Dinamo City-Vllaznia dhe Egnatia- Dinamo City.
Paralelisht me ndjekjen e kampionatit vendas, Silvinjo dhe stafi teknik kanë qenë të pranishëm edhe në disa takime në arenën europiane. Në Portugali, ata ndoqën sfidën e Europa League, Porto-Rangers, për të vlerësuar nga afër paraqitjen e mesfushorit kuqezi Nedim Bajrami.
Ndërkohë, në Itali, stafi teknik ishte i pranishëm në ndeshjen Lazio-Atalanta, ku aktivizohen dy nga titullarët e Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj.
Gjatë qëndrimit në Itali, trajneri zhvilloi edhe një takim me kapitenin Berat Gjimshiti, ndërsa në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit priti në një vizitë Elseid Hysaj, në kuadër të komunikimit me kapitenët e ekipit përpara ndeshjes së “Play-Off”-it.
Në javët në vijim, stafi teknik ka programuar të ndjekë nga afër edhe disa lojtarë të tjerë kuqezi në ndeshjet e tyre me klubet respektive, në mënyrë që të vlerësohet në detaje gjendja fizike dhe forma e secilit përpara sfidës së rëndësishme të “Play-Off”-it.
Përgatitjet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa fokusi mbetet maksimal për arritjen e objektivit në përballjen ndaj Polonisë.

KOHA JONË SONDAZH

